Home / Sport / Baftjari dhe Thaci në Mont Blanc

Baftjari dhe Thaci në Mont Blanc

Dy alpinistë nga Tetova ditë më parë kanë arritur të ngjiten në majen më të lartë të Alpeve, Mont Blanc e cila kap lartësinë prej 4810 metrave. Baftjari dhe Thaçi shprehen të kënaqur me përvojën që përjetuan, ndërsa shtojnë se ndjenja për të qenë në pikën më të lartë në Unionin Evropain ishte fantastike.

Alpinistët tetovarë Burim Baftjari dhe Arben Thaçi ditë më parë janë ngjitur në majen më të lartë të Alpeve, Mont Blanc e cila është në 4810 metra lartësi mbidetare. Ngjitja në majen më të lartë në Unionin Evropian ishte ekspedita e parë shqiptare e financuar nga një institucion shtetëror, pasi ky rrugëtim sfidues drejt Alpeve u mundësua nga Komuna e Tetovës. ‘Ekspedita për në Mont Blanc, nëse mund ta quajmë ekspeditë për shkak të kohëzgjatjes së shkurtë të saj, për ne si anëtarë të Klubit të Alpinizmit ‘Nun’ nga Tetova ka qenë e veçantë për disa arsye. E para, kjo ekspeditë vijon menjëherë pas ekspeditave të shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria në kuadër të klubeve të tyre të alpinizmit. E dyta, gjithë këtë rrugëtim, ne së bashku me Burimin e kemi ogranizuar vetë, d.m.th pa ndihmën e ndonjë udhëheqësi, apo si që e quajnë ndryshe ‘guida’, e cila do të na lehtësonte rrugën. Rrugë e cila deri në majen e Mont Balnit është plot rreziqe’, shprehet Arben Thaci, njëri prej alpinistëve tetovarë që pati rastin të shijojë majen e Alpeve. Itinerari që ndoqën dy ngjitësit nga Tetova njihet me emrin ‘Rruga mbretërore’ dhe është itenerari më i popullarizuar mes alpinistëve nga mbarë bota dhe që fillon në rreth 2000 metra lartësi mbidetare ndërsa deri në maje ekzistojnë dy kampe në të cilat ngjitësit pushojnë dhe bëjnë aklimatizimin e nevojshëm. ‘Ndjenja është e veçantë, d.m.th. paraprakisht nuk ke ndonjë paraftyrim se sa mund të jetë e vështirë. Për atë, unë sa bashku me Arbenin nuk e kemi nënvlerësuar këtë, për këtë qëllim kemi ushtruar mjaft. Sidomos vrapim në terene të pjerta, ngjitje në malet e Sharit, kështu që nuk ka qenë edhe aq e rëndë për ne. Kemi bërë gjithashtu aklimatizmin, që është më se i nevojshëm. Don të thotë se jemi ngjitur deri në një lartësi të caktuar dhe kemi zbritur poshtë për të fjetur, që të nesërmen në mëngjes herët të ngjitemi për në maje’, shtoi alpinisti tjetër Baftjari.

Kjo rrugë megjithatë është disi edhe e rrezikshme nga mundësia e rrëshqitjes së shkëmbinjëve, orterkëve e sidomos nga ‘krevaset’, gjejgësisht të çarat në shtresën e përhershme të akullit që zakonisht mbulohen nga shtresat e reja të dëborës dhe nuk mund të vërehen aq lehtë. Ato mund të arrijnë qindra kilometra largësi. Megjithatë Baftjari dhe Thaçi arritën të kalojnë çdo pengesë, duke shijuar pikën më të lartë të Alpeve. ‘Të them të drejtën emocionet ishin tepër të larta, dëshira për tu fotografuar ishte tepër e madhe, aq sa ishim konfuz. Kishte edhe shumë njerëz tjerë, maja është mjaft e vogël d.m.th. për shkak të pjertësisë së madhe dhe aty u bë një tollovi ashtu që arritëm megjithatë ne të fotografohemi dhe i haruam gjërat tjera, të shohim pamjet dhe të kënaqemi me pamjet që kemi rreth neve’, sqaron Thaci ndjenjën që përjetoi në momentin kur u gjet në majen e Mont Balc-ut. ‘Maja e bardhë’ gjendet në Francë, ndërkaq kulmi i saj në 4810 metra lartësi mbidetare e ndan territorin e Francës dhe të Italisë. Ngjitja e parë në këtë maje është realizuar në vitin 1786 dhë që atëherë ajo ngjitje konsiderohet të jetë nisja e alpinizmit modern. Tani për çdo vit kjo maje ngjitet nga rreth 20 000 njerëz nga mbarë bota. Temperatura më e ulët që është regjistruar ndonjëherë në këtë maje është – 43 gradë C. Destinacioni i ardhshëm i dy alpinistëve tetovarë është maja më e lartë e Andeve, gjejgësisht Akonkagua me një lartësi prej rreth 7000 metrave. Kjo është një lartësi ende e paaritshme nga ndonjë ngjitës shqiptar.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *