Home / Sport / Gostivari kanos Renovën, Shkëndija në Shtip me epërsi!

Gostivari kanos Renovën, Shkëndija në Shtip me epërsi!

Ndeshjet e kthimit të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë sjellin disa duele interesante, në të cilat Gostivari është para befasisë më të madhe. Skuadra e kategorisë së dytë fitoi 1:0 në Tetovë përballë Renovës dhe tani shpresojnë të kompletojnë befasinë me eliminim e skuadrës favorite. Shkëndija drejt Shtipit shkon me epërsi prej ‘dy hapave’, pasi mundi Bregallnicën 2:0 në takimin e parë në Tetovë. Duel interesant zhvillohet në Shkup, ku Metalurgu dhe Rabotniçki mes veti do të kërkojnë fazën e ardhshme.

Mesjava në futbollin vendor sjell ndeshjet e kthimit të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë. Dy skuadra shqiptare pritet të vazhdojnë garat, nëse kemi parasysh faktin se Gostivari dhe Renova përplasen mes veti, ndërsa Shkëndija me epërsi prej dy golave nga ndeshja e parë udhëton drejt Shtipit, për tu përballur me Bregallnicën. ‘Kuqezinjtë’ fituan 2:0 në Tetovë dy javë më parë, duke marrë rezultat shumë aktiv për ndeshjen e kthimit. Kampionët e Maqedonisë janë në epërsi për të avansuar në çerekfinale, mirëpo të dielën në kuadër të javës së 8-të në Kampionat më vështirë se sa pritej mundën të njëjtin kundërshtar me rezultat minimal 1:0. ‘Bregallnica është skuadër e papërshtatshme dhe këtë e dëshmoi në dy ndeshjet kundër neve. Edhe pse në të dyja rastet shënuam fitore, megjithatë ata vërtetuan se dinë të jenë të rrezikshëm. Pozitiv është fakti se nuk lejojmë të pranojmë gol dhe shpresoj këtë gjë ta bëjmë edhe në Shtip. Ne jemi optimistë për të avansuar në fazën e ardhshme të Kupës së Maqedonisë, kemi epërsi nga ndeshja e parë, mirëpo na presin edhe 90-të minuta që duhet t’i kalojmë me sukses. Me angazhim maksimal, qasje serioze në lojë dhe efikasitet në sulm, besoj se do të kualifikohemi në çerekfinale të Kupës’, foli me optimizëm mbrojtësi i Shkëndijës, Sedat Berisha. ‘Kuqezinjtë’ në këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisin në shërbimet e reprezentuesit Muhamed Huseini, i cili të dielën u ndëshkua me karton të kuq. Ndërkohë edhe Bregallnica do të luajë pa kapitenin Zdravkov që gjithashtu ‘u skuq’ në ndeshjen e të dielës në Tetovë. Në Gostivar derbi shqiptar. Gostivari përballë Renovës në një duel që pritet të sjellë shumë nxitje. Kjo nga fakti se anëtari i Ligës së Dytë para dy javëve befasoi në Tetovë, duke mundur Renovën 1:0. Tani gostivarasit shpresojnë të kompletojnë befasinë, mirëpo nga tabori i Renovës janë të bindur në përmbysje të rezultatit. ‘Ne jemi të orintuar për një tjetër fitore dhe vazhdim të garave në Kupë. Megjithatë edhe përkundër fitores në ndeshjen e parë, larg asaj se mendojmë se do ta kemi të lehtë. Renova është skuadër cilësore dhe vazhdon të mbetet favorit në këtë duel. Mirëpo neve nuk mund të na mohojë askush për të qenë optimistë që në një tjetër 90-të minutësh sakrifikues të eliminojmë kundërshtarin e madh’, shprehet mbrojtësi strugan i Gostivarit, Arjeton Ziba. ‘Gostivari na befasoi në Tetovë dhe ne tani shkojmë për të marrë hak. Kemi përballë skuadër cilësore dhe shumë të motivuar dhe ky do të jetë problem për ne. Mirëpo ne duam të vazhdojmë garat në Kupën e Maqedonisë dhe për këtë kemi nevojë për një fitore me dy gola diferencë. Besoj se kemi kapacitet për të arritur këtë cak dhe do jemi maksimalisht të orinetuar në këtë drejtim’, deklaroi mesfushori me tipare sulmuese të Renovës, Argjend Gafuri. Ndeshja më interesante e kësaj faze do të zhvillohet në Autokomadë të Shkupit, ku fituesi në fuqi Metalurgu do provojë të eliminojë Rabotniçkin pasi në ndeshjen e parë barazuan pa gola. Teteksi shihet favorit përballë Sileksit, me të cilët luajtën 2:2 në takimin e parë. Vardari pritet të kalojë lehtë Tikveshin, Pelisteri pret Horizontin, Mirvaci ndeshet me Napredokun, ndërsa ndeshja mes Skopjes dhe 11 Oktmovrit do të zhvillohet të ejnten. Të gjitha ndeshjet startojnë në orën 14:30.

Dyshet e 1/8 së finales:
Metalurgu-Rabotniçki,
Bregallnica-Shkëndija,
Teteksi-Sileksi,
Gostivari-Renova,
Tikveshi-Vardari,
Pelisteri-Horizonti,
Miravci-Napredoku,
Skopje-11 Oktomvri

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *