Home / Sport / Shqipëria shpreson t’i marrë pikë Francës

Shqipëria shpreson t’i marrë pikë Francës

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Josip Kuzhe, pranon se Kombëtarja kryesisht duhet të mbrohet në ndeshje me Francën. Kuzhe ka theksuar se Shqipëria rastin e vet duhet ta kërkojë përmes kundërsulmeve. Shqipëria takohet me Francën të premten (sot) nga ora 21:00 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Ndeshja u takon eliminatoreve për “Euro 2012”.

“Ndeshja me Francën është më e madhja për mua prej se kam marrë drejtimin e Shqipërisë. Shpresoj të vazhdojmë të mbetemi të pamposhtur në shtëpi. Mendoj që në takim me Francën nuk mund të kontrollojmë ndeshjen 100 %. Pra, nuk e kemi në dorë fatin e lojës, sepse jam i bindur që Franca do të ketë dominimin e topit, që do të thotë se na mbetet që kryesisht të kundërsulmojmë. Por, ne duam dhe kemi qëllim që mos të luajmë duke menduar vetëm për mbrojtjen”, ka thënë Josip Kuzhe të enjten në konferencë për shtyp.

Ai ka zbuluar edhe formacionin që pritet të startojë kundër Francës. Në portë do të jetë Samir Ujkani, ndërsa para tij Armend Dallku, Lorik Cana, Admir Teli e Kristi Vangjeli. Në mesfushë do të luajnë Debatik Curri, Ervin Skela, Ansi Agolli dhe Ervin Bulku apo Altin Lala. Sulmin do ta udhëheqin Hamdi Salihi e Erjon Bogdani. Kuzhe të enjten nuk është deklaruar i vendosur për Bulkun apo Lalën, ndonëse më shumë ka favorizuar Bulkun.

“Me Lalën përfitojmë racionalitet, aftësi shkatërruese, lojë inteligjente në ndihmë të mesfushës. Me Bulkun marrim vendosmëri, duele, agresivitet dhe aftësi vrapuese. Unë e respektoj Lalën, por po e vë në dyshim, sepse kundër Francës na duhet shumë fizik dhe aftësi vrapuese. Për këtë arsye mendoj për Bulkun”, ka shpjeguar Kuzhe. Trajneri kroat ka treguar pse këmbëngul që Curri të luajë në mesfushë e jo në mbrojtje si deri më tani.

“Me Currin përfitojmë një lojtar shumë agresiv, që mund të punojë në krijimin e lojës, por mund të hyjë edhe në duele. Fitojmë një futbollist që mund të shkojë te zona e rreptësisë së kundërshtarit, që mund të luftojë për topa të lartë. Curri mund të jetë shumë i fortë në mesfushë, ndërsa për mbrojtje ne kemi zbuluar Telin të cilit i besojmë. Dua që t’i kem të dy në fushë dhe kjo është zgjidhja më e mirë”, ka theksuar Kuzhe. Ai beson që Dallku mund të përballet me plot sukses me Franck Riberyn në krahun e majtë.

Cana kërkon ndihmën e tifozëve

Ndeshja me Francën vlerësohet shumë e rëndësishme për kombëtaren. Aktualisht Shqipëria është e parafundit në grupin D eliminator për “Euro 2012” me tetë pikë. Franca është e para me 12 pikë.

Lideri i kombëtares, Lorik Cana, ka thënë se për të ndalur Francën, skuadrës i duhet edhe ndihma e tifozëve. Sipas tij e rëndësishme është që kombëtarja të mbetet e bashkuar.

“Franca është në presion që të marrë rezultate në Shqipëri e Rumani, në mënyrë që të sigurojë pozitën e parë. Francezët janë ndoshta lojtarët më të mirë në botë në pozitat e tyre dhe për t’i ndalur duhet të tregojmë të vetmen gjë që mund t’u bëjë ballë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar, çdo gjë të bëjmë bashkë. Të kemi edhe mbështetjen e publikut, pasi ajo është një nga armët tona kryesore”, ka thënë Cana. Ai ka pranuar se niveli i Francës është shumë më i lartë se ai i Shqipërisë. Por, sipas tij kjo jo gjithnjë vendos ndeshjet.

“Respekti ndaj Francës është maksimal, por ne jemi një skuadër që nuk ndihemi inferiore. Nuk besoj të ketë ndonjë skuadër që të jetë aq krenare sa ne, që përfaqëson ngjyrat e vendit të tij. Unë e kuptoj se si nivel ka një diferencë të madhe mes dy skuadrave, por kemi treguar edhe në të kaluarën se mund të marrim pikë apo të mundim çdo kundërshtar. Natyrisht që do të mundohemi të bëjmë këtë edhe me Francën”, ka shtuar Cana. Sipas tij futbollistët e Francës kanë respekt për Shqipërinë.

Stadiumi ngjyroset kuqezi

Interesimi në mesin e tifozëve shqiptarë për ndeshjen me Francën vlerësohet shumë i madh. Stadiumi pritet të ngjyroset kuqezi nga tifozët që do të udhëtojnë nga të gjitha vendet e banuara me shqiptarë. Biletat tashmë janë shitur, ndërsa çmimi i tyre në tregun e zi është dukshëm më i shtrenjtë. Në tribuna sërish fjalën kryesore pritet ta kenë “Tifozat Kuq e Zi”. Ata të enjten kanë dënuar aktin e Policisë së Tiranës që ka bllokuar koreografinë e përgatitur për ndeshje me Francën.

“Për shkak të një videoklipi për këngën e Kombëtares, kemi bërë koreografinë me foton e Shqipërisë. Pa asnjë shpjegim nga ana e Policisë së shtetit, kjo koreografi po bllokohet që të hapet në stadium. I kujtojmë Policisë së Shtetit se në stadiumet shqiptare po hapen koreografi dhe flamuj të të ashtuquajturit vorio-epir dhe ajo nuk reagon me bllokime. Njëjtë ndodhi edhe në ndeshjen e luajtur në Shkodër ndaj Malit të Zi ku u hap parulla: ‘Shkodra është Mal i Zi”, dhe prapë asnjë reagim nga policia. Policia tregon ‘forcën’ e vet ndaj një koreografie, ndaj një grupi djemsh që përkrahin veçse Kombëtaren dhe ngjyrat Kuq e Zi. Muskujt e shtetit dolën në pah”, thuhet në reagimin e tifozëve. Tifozët e Kombëtares kanë kërkuar që policia mos të bllokojë koreografinë e përgatitur për ndeshjen me Francën.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *