Home / Lajme / Maqedoni / Shqiptarët e bojkotojnë festën e pavarësisë së Maqedonisë

Shqiptarët e bojkotojnë festën e pavarësisë së Maqedonisë

8 shtator-“Manifestimi qendror është një manifestim për vetëpromovim dhe promovim të projekteve partiake të VMRO-së, me të cilat ata dëshirojnë të bëjnë kriminalitet historik”, deklaroi Cërvenkovski, i cili do të bojkotojë manifestimin qendror që sonte do të mbahet në Shkup.

Lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM në Maqedoni, Branko Cërvenkovski deklaroi se manifestimi i VMRO-DPMNE për 20 vjetorin e pavarësisë është një kriminalitet historik.

Ai këtë e deklaroi sot me rastin e shënimit të 20 vjetorit të pavarësisë së vendit të organizuar në Shkup.

“Manifestimi qendror është një manifestim për vetëpromovim dhe promovim të projekteve partiake të VMRO-së, me të cilat ata dëshirojnë të bëjnë kriminalitet historik”, deklaroi Cërvenkovski, i cili do të bojkotojë manifestimin qendror që sonte do të mbahet në Shkup.

Sipas tij, pikërisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) është më meritore për shtetin dhe pavarësinë, duke filluar nga referendumi i vitit 1991, ndërtimi i institucioneve shtetërore, ushtrisë, doganave dhe tërë sistemit shtetëror dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Ne nuk e paramendojmë Maqedoninë pa vizion të qartë dhe qëllim, por momentalisht jemi këtu. Ndoshta dikujt i pëlqejnë përmendoret, ajo është një shije personale, por jam i sigurt se mbi 2 milion vetave nuk i pëlqen varfëria”, deklaroi lideri socialdemokrat. Ai ka shtuar se beteja kryesore politike nuk do të ndodhë pas katër viteve, por ndoshta shumë shpejt.
Partitë shqiptare në Maqedoni kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në manifestimin e sotëm për shënimin e pavarësisë së Maqedonisë.

Nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se në parim nuk janë kundër manifestimeve të datave të ndryshme që përkujtojnë evenimente shtetërore të rëndësishme, por janë kundër manifestimeve që simbolizojnë nënshtrim, diskriminim dhe margjinalizim të shqiptarëve në Maqedoni.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu shprehet se, fatkeqësisht edhe pas 20 viteve pavarësi, shqiptarët si element kryesor shtet-formues në Maqedoni, ngelin të përjashtuar nga shtetformësia dhe nga hisja që u takon.

“Nuk shohim element shqiptar në këtë manifestim dhe për këtë arsye, RDK do ta bojkotojë atë. Maqedonia është shtet multietnik, bëjmë apel që edhe partitë e tjera të bojkotojnë këtë manifestim monoetnik”, është shprehur zëdhënësi i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Armir Ramadani.

Paralajmërime të sigurta për bojkot vijnë edhe nga Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK).

“Megjithëse jam i ftuar në cilësinë e ish- nënkryetarit të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë të merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë, nuk do të marr pjesë në këto manifestime”, deklaroi kreu i BDK-së, Hysni Shaqiri.

“Që të ketë kuptim festimi i përbashkët, pala maqedonase do të duhet të heq dorë nga diskriminimi i shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës, shprehet Shaqiri.

Edhe partitë tjera jo parlamentare si BDSH, PDK dhe PPD kanë paralajmëruar bojkotin.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri kanë shfaqur dilema lidhur me pjesëmarrjen në ceremoninë e paralajmëruar grandioze për shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi ka deklaruar se shqiptarët do të shënojnë 20 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, aq sa maqedonasit festojnë dhe ndjejnë Marrëveshjen e Ohrit.

Maqedonia shënon sot përvjetorin e 20-të të pavarësisë së saj pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë i cili do të kalojë përmes ceremonish të veçanta dhe festive.

Të gjitha manifestimet janë me elemente të theksuara kombëtare, duke humbur karakterin multietnik të këtij vendi.

Sipas programit të manifestimeve dhe kryesisht manifestimit qendror që do të mbahet në sheshin e Shkupit, ku do të bëhet edhe promovimi i përmendores së “Aleksandrit të Madh”, janë paraparë manifestime dhe programe artistike me elemente ekskluzivisht maqedonase.

Manifestimi qendror fillon sot në Parlamentin e Maqedonisë me një mbledhje solemne dhe më pas pason transferimi i Deklaratës së Pavarësisë nga Parlamenti në Muzeun e ri të ashtuquajtur “Muzeu i luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi” i ndërtuar pranë lumit Vardar në pjesën qendrore në kuadër të projektit “Shkupi 2014”. (INA)

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *