Home / Sport / Turp për futbollistët ‘kuqezi’!

Turp për futbollistët ‘kuqezi’!

‘Fama u ka rënë në kokë’, thotë një fjalë e vjetër popullore që gjithnjë e më shumë vërtetohet. Nëse ka njeri që e ka të paqartë domethënien e kësaj shprehje, shembull për të kuptuar kuptimin e thënies janë futbollistët e Shkëndijës.

Duke fituar titullin e kampionit një vit më parë, arritën suksesin më të madh në historinë e skuadrës tetovare, mirëpo njëkohësisht pjesa më e madhe e futbollistëve arritën edhe suksesin më të madh personal. Këtu s’ka gjë të keqe. Por e keqja është se në sezonin vijues, disa futbollistë ende jetojnë në ëndërën e kampanjës paraprake. Është normale të kesh krizë, të mos jesh në formë, apo të kesh ditë të dobët. Këto gjëra ndodhin në futboll dhe secili ndodh që nuk është në momentin e vet më të mirë. Dhe kështu u mendua për humbejn e Shkëndijës 2:1 nga Horizont Turnova. Kështu u arsyetua paraqitja e dobët në fitoren 3:0 kundër 11 Oktomvrit, ndërsa e njëjta arsye vlejti në debaklin 3:1 nga Rabotniçki. Më pas erdhi seria e gjatë e fitoreve që na mori mendjen dhe kritikat (100 % të arsyeshme) i lamë anësh. Por realisht edhe përkundër fitoreve, loja e ‘kuqezinjëve’ në sfidat me Napredokun, Ohrid 2004 dhe dy herë me Bregallnicën ishte për çdo kritikë dhe kjo ndjehej me pakënaqësinë e kohë pas kohëshme të publikut. Kur ne (gazetarët) kritikonim, ndoshta dikush nuk na jepte të drejtë, pasi skuadra po fitonte, mirëpo ne kishim parasysh se fati nuk do të jetë gjatë kohë me Shkëndijën dhe për sezon të suksesshëm duhet angazhim maksimal, lojë kolektive dhe përkushtim ndaj ekipit. Fati një ditë do ta kthente shpinën dhe për dallim nga gabimet në kampionat, ku ka kohë dhe hapsirë për rikuperim, në kuadër të Kupës çdo gabim nënkupton dështim dhe eliminim. Tani ne (gazetarët) ndoshta fitojmë të drejtë, pasi realiteti (i hidhur kësaj rradhe) thotë se Shkëndija është hedhur jashta garës së Kupës së Maqedonisë, duke humbur mundësinë dhe ëndrën e kahmotshme për të fituar këtë trofe. Futbollistët ka kohë që ‘shiten si yje’ dhe të mërkurën në Shtip ndoshta mësuan atë që të gjithëve na vjente keq t’ua themi, nga respekti i titullit të fituar vitin e kaluar. Futbollistët e Bregallnicës u treguan ‘yjeve’ të Shkëndijës se nuk janë të tillë, se yjet mbesin ‘yje’ vite me rradhë, madje edhe pas përfundimit të karrierës. Një titull i fituar nuk të bën yll, nëse vitin e ardhshëm në kokë krijosh bindje se vetëm duhet të paraqitesh në teren dhe kundërshtari do të dorëzohet nga respekti dhe frika se përballë ka skuadrën kampione.Bregallnica u tregoi të githëve se si mbrohen ngjyrat e klubit dhe si ulen në tokë ‘yjet’ që kanë humbur shkëlqimin e tyre nga vetkënaqësia dhe egoja e të vetë-quajturit ‘më i mirë’. Me plot përgjegjësi mund të themi se Shkëndija këtë vit ka bindshëm ekipin më të mirë në Ligë, mirëpo nëse luan si skuadër, me angazhim maksimal, përkushtim ndaj ekipit dhe respekt ndaj kundërshtarit. Ndërkohë nëse futbollistët vazhdojnë të ‘shiten si yje’ para të tjerëve, shumë shpejtë do të vijnë në situatë që edhe në shtëpi të vet të humbin respektin. Titulli i viti të kaluar do të mbetet histori, por tifozët kërkojnë të tjera suksese dhe gëzime. Të gjithë mund të kuptojnë se skuadra do ketë rënie dhe ngjitje, tituj dhe dështime, mirëpo askush futbollistëve aktual ‘nuk do u’a bëjë hallall’ nëse nuk shfrytëzojnë kualitetin e tyre të padiskutueshëm për të vazhduar dominimin në futbollin e Maqedonisë dhe për të mbajtur Shkëndijën në piedestalin fitues. Kupa mbetet ëndër dhe të për momentin nxiret nga kombinimi, të paktën deri vitin e ardhshëm, ndërsa Shkëndijës i mbetet që të koncentrohet në kampionat, ku në saje të kualitetit kërkohet mbrojtja e titullit, ndërsa minimumi është dalja në Evropë. Të shtunën Shkëndija ka sfidë të rëndësishme në Shkup, ku do të përballet me Vardarin. Mundësi e shkëlqyeshme që futbollitët të demantojnë këtë shkrim dhe të tregojnë se ndoshta edhe në Shtip kishin ditë të dobët. Tifozët, më saktësisht pjesa më e madhe e ‘Ballistëve’ as që përmendin dështimin nga Bregallnica, duke dashur të koncentrohen në sukses kundër Vardarit. Prandaj futbollistët e Shkëndijës duhet të vetëdijësohen, se pas tyre qëndron një armatë e madhe e tifozëve besnik që janë me skuadrën në të mirë e të keqe, që kuptojnë mirë futbollin, pranojnë çdo humbje nga më i miri në teren, por asnjëherë nuk pranojnë mos-angazhim dhe vetëkënaqësi në fushën e blertë. Të shtunën pritet numër i madh i tetovarëve të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, të cilët do jenë në mbështetje të ekipit dhe futbollistët këtu kanë rastin për të bërë që ndoshta të harohet paraqitja e të mërkurës në Shtip. ‘Djema’, Tetova don shprit sakrifikues dhe fitore të Shkëndijës, pasi për dallim nga e kaluara kur kjo ishte e pamundur nga arsye të ndryshme, tani të gjithë janë të vetëdijshëm se ekipi ka cilësi, kualitet, kushte dhe arsye për të fituar.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *