Home / Sport / Volejboll, Shkëndija shpreson të prezentohet denjësisht në Rumani

Volejboll, Shkëndija shpreson të prezentohet denjësisht në Rumani

Shkëndija në fundjavë do të qëndrojë në Rumani ku do të marë pjesë në turneun Kupa Ballkanike për klube. Nga tabori i ‘kuqezinjëve’ paralajmërojnë dhënien e maksimumit, për të prezantuar denjësisht volejbollin tetovar dhe shqiptar në suaza ballkanike.

Skuadra kampione e Maqedonisë, KV Shkëndija sot pasdite niset drejt Rumanisë ku në katër ditët e ardhëshme do të zhvillohet Kupa Ballkanike për Klube. Ky turne që do të zhvillohet në qytetin Kluzh, do të japë emrin e skuadrës e cila do të vazhdojë garat në garën evropiane GM Kapital Çelenxh kup. ‘Kuqezinjtë’ kanë lënë pas tre javë përgatitje cilësore, të cilat shpresojnë të jenë të mjaftueshme për të sjellë performansë dhe prezantim të denjë në Rumani. ‘Ne kemi përfunduar fazën përgatitore dhe tani jemi koncentruar në paraqitje sa më të mirë në këtë turne. Qëllimi jonë parësor është që të prezentojmë sa më mirë klubin, Shkëndijën dhe Tetovën në përgjithsi. Premtojmë se do japim maksimumin dhe shpresoj të arrijmë rezultate pozitive edhe pse përballë do kemi kundërshtarë shumë të fortë. Bëhet fjalë për skuadra që vijnë nga shtete që kanë traditë në volejboll, posaçërsiht Serbia dhe Rumunia. Prandaj uë nuk mund të premtoj ndonjë befasi të madhe, por them se do japim gjithçka nga vetja për tu prezantuar denjësisht‘, tha trajner i KV Shkëndija Durim Luma, i cili si hendikep të skuadrës së tij e shef mungesën e ndeshjeve kontrolluese. ‘Problem i madh për ne është se edhe përkundër përpjekjeve të mëdha, nuk arritëm të sigurojmë asnjë ndeshje kontrolluese. Arsyeja e mungesës së kundërshtarëve është se të gjithë refuzojnë të luajnë, pasi janë në fazën fillestare të përgatitjeve. Ne tentuam që të luajmë edhe me skuadra të jashtme, konkretisht kontaktuam me Studentin e Shqipërisë, por morëm të njëjtën përgjigje. Normal kemi luajtur mes veti për të tentuar që volejbollistët të arrijnë në një far forme optimale, por e them se pa ndeshje kontrolluese, gjithë kjo ishte improvizim’, shtoi Luma.

Shkëndija në stërvitjet e fundit ka qenë e kompletuar, pasi i janë bashkuar edhe reprezentuesit Trajçevski dhe Gjorgjievski, të cilët ishin të angazhuar me kombëtaren e Maqedonisë. Drejtuesit e Shkëndijës njoftojnë se për shkak të tërheqjes së dy skuadrave (Mareku i Bullgarisë dhe Studenti i Shqipërsië) turneu ka pësuar disa ndryshime dhe në vend që të nisë më 7 shtator, i njëjti starton më 9 shtator, ndërsa parashihet të mbyllet më 11 shtator, kur do të mësohet emri i skuadrës që do të fitojë këtë Kupë dhe do të avansojë në Çelenxh Kupë. ‘Tërheqja e Marekut dhe Studentit ka sjellë ndryshime dhe ne duhet të përshtatemi me situatën faktike. Tre kundërshtarët që kemi në grup janë shumë të fortë dhe ne do prvojmë ndaj të njëjtëve të jemi në element sa më të mirë’, përfundoi Luma.

Tërhiqen Mareku dhe Studenti

Shumë paqartësi dhe konfuzion ka sjellë tërheqja nga ky turne i skuadrës bullgare Marek dhe Studentit të Shqipërsië. Kështu në vend të dy grupeve, tani do të formohet një grup me katër skuadra. Përveç Shkëndijës do të garojnë edhe skuadra vendase e Kluzhit, Brçko si dhe ekipi që fitoi këtë turne në vitin e kaluar Ribnica.

Shkëndija të premten starton kundër Kluzhit

Organizatorët e këtij turneu kanë publikuar shortin sipas të cilit është mësuar orari i ndeshjeve. Kështu Shkëndija ndeshjen e parë do ta ketë të premten, kur do të përballet me ekipin rumun Kluzh. Të shtunën ‘kuqezinjtë’ do të luajnë kundër skuadrës Serbe Ribnica nga Kralve, ndërsa të dileën në ndeshjen e fundit kundërshtarë do të jetë skuadra boshnjake Brçko.

Shkëndija pa Abazin dhe Rustemin

Shkëndija në këtë turne pritet të prezantohet me formacion të fortë, megjithse ka disa ndryshime. ‘Kuqezinjtë’ kanë angazhuar reprezentuesit Trajçevski dhe Gjorgjievski, të cilët së bashku me Husajn, Kajtazin, Ristovskin, Velën dhe të tjerët krijojnë përbërje të fortë. Megjithatë trajneri Luma nuk është pa probleme, pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e të riut Eldin Rustemi i cili këto ditë duhet të udhëtojë drejt Turqisë, ku planifikon të regjistrohet në studime. Ndërkohë si befasi e madhe vjen edhe tërheqja e Naim Abazit. Njëri prej volejbollistëve standard të Shkëndijës, i cili viteve të fundit ngriti shumë nivelin e lojës ka vendosur që mos të meret më me volejboll. Lutjet dhe bindjet e drejtuesve dhe trajnerit të Shkëndijës kanë rezultuar të kota, pasi Abazi ka mbetur në vendimin e tij për tu tërhequr nga volejbolli.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *