Home / Lajme / Rajon / Familja Hoxha, 16 vite në kërkim të drejtësisë

Familja Hoxha, 16 vite në kërkim të drejtësisë

21 tetor-Ardian Hoxha potencoi se dëshirojnë ta dinë të vërtetën për babain, dëshirojnë të gjejnë eshtrat, dëshirojnë t’ia bëjnë varrin siç ai e meriton, si një hero i Kosovës

Me rastin e 16 vjetorit të zhdukjes së biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, familja Hoxha dhe shumë qytetarë të tjerë kanë protestuar të premten para Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë. Me këtë rast ata kanë sqaruar se familja e tyre jeton në ankth për 16 vite. “Gjashtëmbëdhjetë vite që nuk e dimë se ku e kemi babain, vëllain, djalin, burrin dhe gjyshin tonë Remzi Hoxha. Sot gjendemi këtu, para Ambasadës së Britanisë së Madhe që t’ia shprehim pakënaqësinë dhe zhgënjimin e familjes sonë për Qeverinë Britanike e cila akoma nuk ka marr masa që të ekstradohet Ilir Kumbaro, personi kyç i implikuar në zhdukjen e babait tim”, tha në konferencën e shtypit Ardian Hoxha, djali i biznesmenit.
Kumbaro është një nga katër personat e akuzuar për çështjen e rrëmbimit me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë.
Prej 15 vitesh Kumbaro jeton në Britani në një banesë sociale në sajë të ndihmës sociale që shteti i ka akorduar pasi kishte deklaruar se ishte i paaftë për punë, me identitetin Shaqa Shatri. Hoxha sqaroi se ka dy arsye se pse Kumbaro, duhet të ekstradohet në Shqipëri. E para, tha ai, për rrëmbim, zhdukje, torturim dhe vrasje të babait të tij, Remzi Hoxha, gjë të cilën e rikonformoi edhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë dhe e dyta, për vjedhje të identitetit të Shaqa Shatrit, dhe për shkak se me këtë identitet ka marrë shtetësinë Britanike dhe ka shfrytëzuar shumë benificione nga Qeveria dhe taksapaguesit Britanik. Ardian Hoxha sqaron se me ligj, për këtë shkelje duhet t’ia merret shtetësia Ilir Kumbaros dhe të dënohet sipas ligjin në fuqi të Britanisë së Madhe, e më pastaj të ekstradohet në Shqipëri. Ai shtoi se Qeveria Britanike akoma nuk ka ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. “Për fat të keq, vetëm mediat kanë qenë më të zëshmet në përpjekjet për të zbardhur fatin e babait tim. Edhe pse me shumë vonesë, drejtësia në Shqipëri ka nisur të merret me zbardhjen e zhdukjes së babait tim, mirëpo ajo ende vazhdon të pengohet nga pushteti në Shqipëri. Jemi të lumtur që Gjykata e Lartë ka rikonfirmuar masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron, por shpresojmë që procesi të mos pengohet tutje nga pushteti. Jemi dëshmitar të faktit se pushteti në Shqipëri mbron, përkrah dhe shpërblen vrasësit e babait tim, duke zhdukur gjurmët, duke u dhënë atyre poste shtetërore, duke bërë presion mbi prokurorinë dhe gjykatat, si dhe duke financuar avokatët e Ilir Kumbaros për të prolonguar sa më shumë ekstradimin e tij për në Shqipëri”, tha Hoxha. Ai shtoi se tani më është vërtetuar se në zhdukjen, torturimin, dhe vrasjen e babait të tij janë të implikuar anëtarët e SHIK-ut të kohës kur Sali Berisha ishte President i Shqipërisë. “Janë 9 personat që e kanë marrë nga vendi i punës babain tim, në ditën të shtunë të 21 tetorit të vitit 1995, në pikë të ditës, në mes të Tiranës. Prej këtyre 9 personave, 4 nga ta, Arben Sefgjini, Budjon Meçe, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, janë duke u gjykuar tani”, tha djali i biznesmenit. Sipas tij ka shumë fakte që janë deponuar në prokurori që vërtetojnë pjesëmarrjen e tyre në zhdukjen, torturimin dhe vrasjen e Remzi Hoxhës. “Dua të pyes kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, përse iu del në mbrojtje të këtyre kriminelëve? Përse e pengon drejtësinë? Përse e pengon ekstradimin e Ilir Kumbaros? Çdo ditë që prolongohet ekstradimi i Ilir Kumbaros për në Shqipëri do të thotë: 1 ditë më shumë liri për Ilir Kumbaron, më shumë të holla për avokatët e Ilir Kumbaros, dhe 1 ditë më shumë pushtet për kriminelët”, tha Ardian Hoxha. Ai më tej sqaroi se babai Ii tij ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të kauzës Shqiptare dhe ndoshta kjo ka qenë ajo që i ka penguar vrasësit e tij. “Ndoshta edhe kanë qenë bizneset sekrete me Serbinë dhe kriminelët Serb të pushtetit të asaj kohe për të cilat ai ‘kishte njohuri’. Por ndoshta ka pasur edhe arsye tjera. Në asnjë mënyrë nuk falet përdorimi i dhunës dhe eliminimi fizik i njeriut, në shekullin 21, ‘në mes të Evropës’. Të gjithë personat e përfshirë në këtë krim duhet të dalin para drejtësisë dhe qeveria të mos e pengojë drejtësinë”, tha djali i biznesmenit të zhdukur. Ardian Hoxha potencoi se dëshirojnë ta dinë të vërtetën për babain, dëshirojnë të gjejnë eshtrat, dëshirojnë t’ia bëjnë varrin siç ai e meriton, si një hero i Kosovës.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *