Home / Sport / Formula 1, Fetel hyn në histori, zyrtarisht dy herë kampion

Formula 1, Fetel hyn në histori, zyrtarisht dy herë kampion

Sebastian Fetel u bë kampioni më i ri që fiton dy herë Botërorin e Formula 1, duke i mjaftuar një vend i tretë në Çmimin e Madh të Japonisë.

Piloti gjerman i Red Bull u rendit pas Xhenson Baton dhe Fernaldo Alonsos në Suzuka, megjithatë në fund ai mori trofeun e kampionit, pas një edicioni të dominuar totalisht prej tij. 24-vjeçari u nis nga pole-positioni për herë të 12-të këtë sezon, duke treguar se fitimi i titullit ka qenë mëse i merituar. Pas përfundimit të garës, një Fetel tepër i emocionuar falënderoi të gjithë nëpërmjet radios. “Ju faleminderit të gjithëve, nuk ishte asgjë e garantuar, por ia dolëm”, tha ai. Më pas, ishte radha e dy ish-kampionëve Baton e Alonso, që ta përgëzonin njeriun që tashmë ka hyrë në histori. Fetel ka arritur në 324 pikë, kundrejt 210 të Baton dhe 202 të Alonsos, ndërsa është ngjitur në podium 14 herë nga 15 gara. Gjithsesi, gara e Japonisë mund të kishte përfunduar më keq për gjermanin, i cili në start nxorri jashtë piste Xhenson Baton, duke i prerë rrugën. Por, komisarët e pistës nuk menduan kështu dhe Fetel vazhdoi garën i qetë. Në fund gjithsesi, piloti britanik arriti të fitonte, duke u duartrokitur gjatë nga fansat japonezë, kjo edhe për shkak të lidhjes së tij me bukuroshen japoneze Xhesika Mikibata. Pas Baton, Alonsos e Fetel, u rendit Mark Veber, i cili la pas në vendin e pestë Ljuis Hamilton dhe në të gjashtin Mikael Shumaker. “Të fitosh titullin këtu është fantastike, – deklaroi kampioni i botës, Fetel, pas garës. – Kam shumë gjëra për të thënë, por është e vështirë t’i mbash mend të gjitha. Dua të falënderoj të gjithë inxhinierët dhe stafin, jo vetëm ata që janë këtu, por edhe ata që punojnë në fabrikë çdo ditë të javës”, shtoi piloti gjerman i Red Bull. Fetel mori më pas edhe përgëzimet e Baton e të Alonsos.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *