Home / Lajme / Maqedoni / Ibrahimin s’e njeh amnistia

Ibrahimin s’e njeh amnistia

27 tetor-Familja, e cila dita ditës pret lirimin e djalit të tyre, është e habitur pse deri më sot, një muaj e më shumë nga sjellja e Ligjit të amnistisë, Ibrahimi nuk lëshohet i lirë

Urim HASIPI

Edhe pse i amnistuar me ligj, asnjë vendim gjyqësor për lirimin e Ibrahim Sulejmanit nga Tetova, i cili prej 9 vjetësh po vuan dënimin me burg, nën akuzë “krime lufte gjatë konfliktit të 2001”. Sulejmani ende mbahet i mbyllur në burgun e Shtipit edhe pse premtimi nga ana e ministrit të Drejtësisë, Blerim Bexheti, si dhe zyrtarëve gjyqësor ishte se Sulejmani do të jetë i pari që do të lirohet pas interpretimit të Ligjit të amnistisë. Familja e tij, e cila dita ditës pret lirimin e djalit të tyre, është e habitur pse deri më sot, një muaj e më shumë nga sjellja e Ligjit të amnistisë, Ibrahimi nuk lëshohet i lirë. “Ende nuk i dimë arsyet se pse djali mbahet në burg. Na është thënë se jo sot, jo nesër do të lirohet, por djali mbahet akoma në burg. Të tjerët, pra ata që paralajmërojnë se do ta lirojnë, duhet të japin përgjigje. Unë e di se Ligji i amnistisë e kapë edhe djalin tim, kurse pse nuk lirohet akoma, nuk e kam të qartë”, thotë Rufat Sulejmani, prindi i Ibrahim Sulejmanit. Ndërkohë që Shpend Devaja, avokat i Ibrahimit, thotë se ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore I në Shkup për lirimin e Sulejmanit, por siç thotë Devaja, pasi Ibrahimi është i akuzuar edhe për vepra tjera, gjykata është duke e bërë llogari burgun e mbajtur dhe dënimet që i janë shqiptuar.
“Nëse veprat për të cilët akuzohet nuk e tejkalojnë burgun e mbajtur deri më tani, atëherë ai do të lirohet. Vendimi duhet të sillet shpejt, pasi Gjykata e Shkupit është duke bërë përllogaritjet e veprave tjera dhe burgut të vuajtur deri tani”, ka deklaruar Devaja. Në Gjykatën e Tetovës kanë thënë se procedurat janë kryer që moti nga ana e tyre, madje menjëherë pas interpretimit të Ligjit të amnistisë. “Gjykata Themelore e Tetovës, duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga avokati-mbrojtës Shpend Devaja nga Shkupi, për ndërprerje dhe lirim të plotë nga vuajtja e dënimit me burgim të dënuarit Ibrahim Sulejmanit nga Tetova, më datë 09.09.2011 solli aktvendim me të cilin i dënuari plotësisht lirohet nga vuajtja e dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh të shqiptuar me Aktgjykim të Gjykatës Themelore Shkupi 1 -Shkup, më datë 12.03.2003, të ndryshuar me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit Shkup datë 26.06.2003 për veprat penale Krime lufte kundër popullatës civile…”, qëndron në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Themelore e Tetovës. Vetë Ibrahim Sulejmani disa herë ka kërkuar që të lirohet, pasi siç shprehej ai, po mbahet pa pikë faji në burg. Ibrahim Sulejmani gati nëntë vite po mbahet në burgjet e Maqedonisë, i dënuar me 15 vite heqje liri. Njëherësh, ai është i vetmi i dënuar për konfliktin e vitit 2001.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *