Home / Lajme / Rajon / Jam presidente falë Kuvendit, jo marrëveshjes

Jam presidente falë Kuvendit, jo marrëveshjes

25 tetor-“Në tri komunat në veri të Kosovës ka kohë që kemi strukturat ilegale të ndërlidhura me grupet kriminale, që përfitojnë nga kjo gjendje dhe që dëmtojnë interesat reale të qytetarëve”, ka thënë presidentja e vendit.

Nuk ka Ahtisaari Plus, ose autonomi të veçantë për tri komunat veriore të Kosovës. Nuk ka ndarje të territorit të Kosovës, nuk ka ndarje të territorit të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh dhe nuk ka as zhvendosje të popullsisë, ka thënë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Në një intervistë për gazetën Epoka e Re, presidentja megjithatë ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë si dy shtete sovrane dhe të pavarura për rregullimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Si dy shtete sovrane dhe të pavarura, edhe Kosova edhe Serbia kanë nevojë të zhvillojnë dialog dhe të arrijnë të gjitha ato marrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe multilaterale që i bëjnë shtetet ndërmjet vete”, ka deklaruar Jahjaga.

Duke folur për gjendjen në veri, ajo ka thënë se në gjithë territorin e Kosovës duhet të vlejë parimi i sundimit të ligjit.

“Në tri komunat në veri të Kosovës ka kohë që kemi strukturat ilegale të ndërlidhura me grupet kriminale, që përfitojnë nga kjo gjendje dhe që dëmtojnë interesat reale të qytetarëve”, ka thënë presidentja e vendit.

Jahjaga ka thënë se është zgjedhur presidente falë votimit nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, po nuk ka preferuar ta bëjë publike nëse do të jetë kandidate për presidente në zgjedhjet e ardhshme.

“Mandatin e kam në bazë të votimit në Kuvendin e Kosovës. Pa këtë votëbesim asnjë marrëveshje politike nuk do të më ulte në karrigen e presidentes së vendit. Unë e kam mandatin aktual kushtetues dhe në kohën që caktohet data e zgjedhjeve dhe hapet fushata zgjedhore atëherë unë kam të drejtë të deklarohem”, ka thënë presidentja Jahjaga. /Telegrafi/

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *