Home / Sport / Në Tetovë, Teteksi pret Shkëndijën

Në Tetovë, Teteksi pret Shkëndijën

Teteksi-Shkëndija dhe Metalurgu-Vardari janë duelet që pritet të shënojnë javën e 10-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Kampionët në fuqi me trajnerin e ri Nexhat Shabani mendojnë vetëm për fitore e cila do t’i mbante në hap për kreun dhe do tu mundësonte të shfrytëzojnë epilogun e takimit që do të zhvillohet në Autokomandë të Shkupt. Renova udhëton drejt Kërçovës, në kërkim të fitores përballë Napredokut.

Pas pauzës dy javore për shkak të eliminatoreve për Euro 2012, skuadrat elitare u kthehen detyrave në kampionat, kur fundjava sjell ndeshjet e javës së 10-të. E gjithë vëmendja e opinionit në vend është drejtuar kah stadiumi i qytetit në Tetovë, ku do të përballen skuadrat lokale Teteksi dhe Shkëndija. Duelet mes rivalëve të mëdhenj gjithnjë sjellin shumë nxitje, emocione, paqartësi dhe futboll interesant, që fatkeqësisht në të shumtën e rasteve përcillen me trazira të shumta në mes tifozëve të të dyja skuadrave. ‘Është një ndeshje si të gjithë tjerat, megjithse të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky duel për tifozët tanë. Ne jemi të përgatitur maksimalisht për të dhënë më të mirën tonë dhe shpresojmë që me fitore do t’i gëzojmë fansat e Shkëndijës’, deklaroi mbrojtësi i djathtë i ‘kuqezinjëve’, Ilir Elmazovski. Shkëndija kërkon fitoren kundër Teteksit, për të lënë pas dy humbjet e njëpasnjëshme me Bregallnicën në Kupë dhe Vardarin në kampionat. Në pankinën e Shkëndijës në këtë duel do të debutojë trajneri i ri Nexhat Shabani, i cili zëvendëson në këtë post Qatip Osmanin. Ndërkohë ‘kuqezinjtë’ në këtë duel do të mund të llogarisin në portierin Jovanovski dhe mesfushroin Huseini, të cilët kthehen në ekip pas pauzës si pasojë e kartonave të kuq. Ndërkohë dilemma e vetme për stafin teknik të kampionëve në fuqi është Emini, i cili megjithse ka filluar të stërvitet me grupin, gjithsesi s’dihet nëse do të jetë i gatshëm për lojë dhe për aktivizimin e tij do të vendoset para fillimit të takimit. Skuadra e Renovës do të jetë mysafire e Napredokut në Kërçovë, ku shpreson të vazhdojë me serinë e rezultateve pozitive. Xhepçishtasit pas fitoreve të fundit janë të motivuar maksimalisht, ndërsa premtojnë maksimumin për të dalë me rezultat pozitiv nga ky takim. ‘Napredoku është skuadër cilësore dhe luan futboll të mirë, mirëpo ne kemi planet tona dhe duam rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. Nuk do jetë e lehtë, por ne besojmë në forcën e ekipit’, u shpreh mesfushroi i Renovës, Muharem Bajrami. Në ndeshjet tjera spikat derbi i madh i Shkupit, ku Metalurgu do të presë Vardarin në duelin e dy skuadrave të para në renditje. Rabotniçki në Çair (për shkak të rikonstruimit të terenit të stadiumit Filipi i Dytë) do të presë Ohrid 2004, ndërsa 11 Oktomvri në Strugë (për shkak të pezullimit të terenit në Prilep) do të ndeshet me Sileksin. Java e 10-të kompetohet të dielën, kur Horizonti në Turnovë do të ndeshet me Bregallnicën.

Dyshet e javës së 10-të:
Teteksi-Shkëndija,
Napredoku-Renova,
Rabotniçki-Ohrid 2004,
Metalurgu-Vardari,
11 Oktomvri-Sileksi,
Horizont T.-Bregallnica.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *