Home / Sport / Shabani në pankinën e Shkëndijës

Shabani në pankinën e Shkëndijës

Të martën në stëvitje do të dalë trajneri i ri Nexhat Shabani, i cili të dielën edhe zyrtarisht ka arritur akordin me drejtuesit e ‘kuqezinjëve’. Nga tabori i Shkëndijës përgenjështrojnë lajmin e publikuar të shtunën në ‘Vest’, ku thuhet se tetovarët kanë borxh në Austri. Ndërkohë ekipi të shtunën barazoi 2:2 në ndeshje kontrolluese me Gostivarin.

Shkëndija e Tetovës ka zgjidhur paqartësitë rreth trajnerit të ri, pasi të dielën ka zyrtarizuar marrëveshjen me Nexhat Shabanin. Edhe pse trajneri shkupjan kohë më parë përjashtoi mundësinë për të marrë drejtimin e ‘kuqezinjëve’, megjithatë duket se insistimi i tetovarëve ka dhënë rezultat, si rrjedhojë e së cilës është arritur akordi për bashkëpunim një-vjeçar. ‘Me kënaqësi mund të konfirmoj se Nexhat Shabani është trajner i ri i Shkëndijës. Kemi arritur marrëveshje për të bashkëpunuar deri në fund të sezonit dhe nëse mbesim të dy palët të kënaqura, sigurisht se do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më tej. Ne kishim bisedime me disa trajnerë, dua të potencoj të gjithë shqiptar dhe na vjen mirë që arrijmë marëveshje pikërisht me atë që më së shumti e donim. Falemenderojmë edhe trajnerët tjerë që ishin në kombinim, me shpresë që të bashkëpunojmë në të ardhmen’ deklaroi drejtori sportiv i Shkëndijës, Besir Shaqiri. Të dielën ekipi kishte seancë të rregullt stërvitore, të hënën futbollistët kanë ditë të lirë, ndërsa nga kryesia e klubit mësojmë se stërvitjen e të martës do ta drejtojë trajneri i ri Shabani. Ndërkohë Shkëndija të shtunën pauzën në kampionat e shfrytëzoi për zhvillimin e një ndeshje kontrolluese, duke luajtur 2:2 me Gostivarin. Skuadra nga Liga e Dytë dy herë ishte në epërsi, mirëpo Shkëndija rrikthehej me anë të Kurtishit dhe Deharit. ‘Jemi të kënaqur me atë që pamë në këtë takim kontrollues. Në një lojë të relaksuar kishim mundësi të shohim formën e të gjithë futbollistëve, deri sa trajneri Selimi provoi edhe futbollistët më të rrinjë që janë në ‘derë’ të ekipit të parë. Shpresojmë që të ndrisim formën deri të shtunën, kur presim fitore në duelin me Teteksin’, u shpreh Besir Shaqiri. Ky i fundit foli edhe për lajmin e publikuar të shtunën në një medium maqedon, ku thuhej se Shkëndija ka lënë borxh të madh në hotelin ku qëndroi gjatë verës. ‘Aspak nuk është e vërtetë ajo që thuhet në atë tekst dhe unë se kam të qartë nga ku erdhi ky lajm. Mediumi në fjalë është treguar skajshmërisht joprofesional, pasi sikur edhe të kishte diçka të vërtetë e rrugës është që të kontaktohemi edhe ne. E vlerësoj si skandaloz këtë ofendim ndaj Shkëndijës, ndërsa ne për këtë do të kërkojmë drejtësi edhe përmes avokatëve tonë. Mediumi në fjalë nuk nxori në faqen e parë kur ne fituam titullin e kampionit. I njëjti medium nuk u mor me skandalin e ditëve më parë kur ministrja Jankullovska anashkaloi gjuhën shqipe duke e vlerësuar si ‘të huaj’, ndërsa tani shpejton të shtypë këtë lajm, duke pretenduar se janë shumë spektakular’, përfundoi Shaqiri.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *