Home / Lajme / Rajon / Zbulohet dorëshkrimi i fundit i Migjenit

Zbulohet dorëshkrimi i fundit i Migjenit

2 tetor-Pikërisht këtë paragraf, nuk kanë dashur ta komentojnë apo marrin në konsideratë as në atë kohë, as në diktaturë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo pa e përdorur si e kanë pasur zakon… dhe as sot, kur, normalisht, duhet që dikujt t’i jetë pastruar shikimi dhe kristalizuar audio e dëgjimi në përgjithësi

Është një fletë e zverdhur e një fletoreje me viza, tipike e kohës në vitet 1938, ajo ku Migjeni ka shkruar një nga momentet e rebelimit dhe filozofisë së një… trumcaku.

Në atë fletë të verdhë të shkruar nga Migjeni në Sanatoriumin italian është pikërisht trumcaku që filozofon së tepërmi, që bën ciu-ciu, por që në momentet e sëmundjes së autorit të madh kalon sipër vizave, shprehje e gjendjes së rënduar të poetit që po jetonte ditët e fundit. Dorëshkrimi gjendet në arkivin e Muzeut të Shkodrës, e ndoshta kjo fletë është edhe “quintesenca” jetësore në filozofinë e Migjenit. Ajo filozofi që ka brenda si rebelimin edhe me natyrën, por edhe me pavdekësinë, e cila në fund të shkrimit është quajtur… eternitas.

“Fjalët” e Trumcakut

“I lodhun, dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndroj mbi degë”… kështu e fillon shkrimin Migjeni. Shikohet qartë paradoksi që në fillim, ku “trumcaku është i lodhun ma i pakënaqun, por me fat” dhe patjetër që mund të kuptohet se pse kjo shkruhej në prill të 1938-ës, pak para vdekjes së poetit. Më tej Migjeni vazhdon: “Me urrejtje shikonte natyrën që s’e krijoj ma artistikisht. Me përbuzje vërente bylbylin. Tashma e kuptoj mirfilli se duhet të vuejë nga fataliteti i gjanave. Kështu tue mendue ndjen një lehtsi trumcaku. Në thellsin e ndergjegjes së tij, filloj të ndjehet fillozof. ( Kish të drejt! Se kush arrin ndër trutë e vet, të jenë i pakënaqun me fat, ai me të vërtetë filloi me bamë fillozofi – dhe një fillozofi ma të vërtetë se çdo tjetër fillozofi). Trumcaku që ka zili bylbylin, pse nuk është artistikisht si ai, ndoshta pamja, apo kënga e tij në krahësim me bylbylin, apo të dyja bashkë, dhe pikërisht mbas kësaj fillon edhe fillozofia. Mos qënia artistikisht në pamje si bylbyli e bën trumcakun të kuptonte fatalitetin e … gjanave!!. Çuditej trumcaku për madhështinë e ndjesive të tija dhe çuditej për fatalitetin e gjanavet. Pse asht trumcak, vetëm pse asht trumcak, nuk mund t’a thotë kangën e bylbylit. Çuditje për padrejtsin e natyrës dhe ish gati të bajë diçka; një kryengritje kundra natyrës!… Por trumcaku fillozof e mundi trumcakun harbut. Me një indiferencë apathike fishklloj dhe flutroj nga dega, nën strehë të pullazit”. Pastaj poeti vazhdon… “dhe aty ia nisi: ciu ciu, ciu ciu, si një fillozof unik dhe faqezi”. Ndoshta ky është momenti që Migjeni rebelohet pse nuk e kuptojnë ose lejojnë, apo edhe pse nuk e lejojnë duke qenë trumcak të këndojë si bylbyl. Mbase bylbyli ka fatin dhe mbase është ai që “e ka mirë me natyrën”… Një interpretim i jashtëzakoshëm i paradoksit dhe dyzimit në fund të jetës së shkurtër, e cila tashmë po i mbaronte. Ishte fundi i historisë që kthente “trumcakun” rebel, në një filozof, sikundër thotë Migjeni.

Shkrimi pa titull me firmën e poetit

Por pjesa më e rëndësishme e dorëshkrimit të gjetur ka sipër një kryq të madh si në ato raste kur shkruajmë diçka e duam ta prishim. Lapsi që ka prishur shkrimin është në tjetër ngjyrë, por aty poeti shkruan për përjetësinë – “eternia”. Nuk dihet nëse

ka qenë dora e Migjenit që ka vendosur këtë “iks” prishës. Në paragrafin që është tentuar të fshihet shkruhet: “Ky paradoks i trumcakut, mund të ngjajë (ndodhë) edhe një miljon vjet, kur truri i trumcakut të zhvillohet aq sa asht sot i zhvilluem truri i njeriut. E na njerzit e këtij skajit të dheut për nji miljon vjetë, mund t’arrijmë që mos t’ia kemi zili njerzve që na rrethojnë (si trumcaku që ia kish zili bylbylit). Një miljon vjet – afat i bukur… Si ju duket? Jo, jo, nuk a shum. Ç’janë një miljon vjet para eternitas”.

Dhe poshtë këtij paragrafi poeti ka firmosur….Migjeni.

Pikërisht këtë paragraf, nuk kanë dashur ta komentojnë apo marrin në konsideratë as në atë kohë, as në diktaturë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo pa e përdorur si e kanë pasur zakon… dhe as sot, kur, normalisht, duhet që dikujt t’i jetë pastruar shikimi dhe kristalizuar audio e dëgjimi në përgjithësi… Gjithsesi “Paradoksi i Trumcakut” mbetet një nga momentet e jashtëzakohshme të poetit, i cili mbas shumë pak muajsh vdiq në “sanatoriumin” ku ka shkruar edhe pjesën më të çuditshme filozofike të tijën. Kjo është ndoshta shpërthimi filozofik i fundit i tij, që është pikërisht ai shkrim pa titull, por që flet për një trumcak… E ky dorëshkrim zbulohet pikërisht në 100-vjetorin i lindjes së Millosh Gjergj Nikollës.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *