Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti:Prioritet absolut për BDI-në edhe pas 100 ditëshit mbetet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO

Ahmeti:Prioritet absolut për BDI-në edhe pas 100 ditëshit mbetet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO

7 nëntor-Në këtë kontekst, shton lideri i partisë, ftojmë opozitën për bashkëpunim dhe qasje konstruktive ndaj zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe zgjidhjen e çështjes së emrit. BDI shtrin dorën e bashkëpunimit për arsye se prioritet programor i të gjitha partive politike në vend është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE. Ky synim madhor, siç tha, kërkon përpjekje të përbashkëta dhe konstruktivitet.

Në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, edhe përkundër përçarjes së madhe të votës shqiptare në të gjitha zonat e banuara me shqiptarë, Bashkimi Demokratik për Integrim përsëri e fitoi besimin e popullit shqiptar bashkë me shumicën absolute të votave. Ky mandat i fuqishëm na i hapi dyert që ta përfshijmë programin tonë parazgjedhor si pjesë përbërëse të planprogramit të përbashkët qeverisës me partnerin tonë të koalicionit, tha lideri i Bashkimit për Integrim, Ali Ahmeti në konferencën për shtyp me rastin e 100 ditëve të Qeverisë.

Përveç përpilimit të programit të përbashkët, Bashkimi Demokratik për Integrim, siç tha, insistoi në marrjen e përgjegjësisë më të madhe institucionale dhe kjo sipas tij u realizua nëpërmjet 2 zëvendëskryeministrave, 5 ministrave, 4 zëvendësministrave, 5 sekretarëve shtetëror, mbi 30 drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve dhe shumë funksionarëve të tjerë të BDI-së në këtë qeverisje, por edhe me përforcimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në administratën publike.

Me menaxhimin e dikastereve si Sekretariati për Integrim Evropian dhe ai për Marrëveshjen e Ohrit, bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtësisë, Ekonomisë, Vetëqeverisjës Lokale si dhe Ambientit, sipas Ahmetit, Bashkimit Demokratik për Integrim merr përgjegjësi të madhe për realizimin e drejtpërdrejt të reformave që nevojiten për arritjen e standardave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, por njëkohësisht edhe për ta konfirmuar vlerësimin e miqve në NATO që Maqedonia i plotëson kushtet për të qenë anëtare fuqiplotë e Aleancës veriperëndimore.

Menjëherë pas konstituimit të Parlamentit, deputetët e vlerësuan iniciativën e Bashkimit Demokratik për Integrim për interpretimin autentik të Ligjit për Amnisti, që mundësoi mbylljen e menjëhershme të katër dosjeve politike kundër ushtarëve dhe drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Ky vendim në masë të madhe ndikoi në ndërtimin e masave për mirëbesim midis komuniteteve që parashihen edhe me Marrëveshjen e Ohrit si dhe përafroj mbylljen e temave që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001 që na mundëson të ndërtojmë të ardhmën duke e kujtuar të kaluarën”, theksoi Ahmeti.

Kreu i partisë vuri në dukje se deputetet e vlerësuan kërkesën për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, duke e ndryshuar ligjin që tashmë mundëson të gjithë funksionarët shqiptar të drejtohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe lë mundësinë për avancim të mëtejmë deri në zbatimin e plotë të nenit 7 të Kushtetutës që rregullon statusin zyrtar të gjuhës shqipe. Nëse dikush hamendet akoma rreth dispozitave ligjore të parapara në këtë nen, tha Ahmeti, atëherë lë të shoh certifikatën e lindjes në gjuhën shqipe që u promovua pak ditë më parë ose le t’i hedh sy vetëm pasaportave, letërnjoftimeve dhe dokumenteve të ndryshme shtetërore në dy gjuhë.

Ahmeti përkujtoi se që kur Gjykata Kushtetuese abrogoi Ligjin për Flamurin kombëtar në vitin 2007, Bashkimi Demokratik për Integrim u zotua, edhe pse në opozitë, që nuk do të lejojë nëpërkëmbje të simbolit kombëtar dhe që do t’i rikthejë dispozitat e abroguara në ligj.

“Deputetët vlerësuan edhe këtë nismë duke miratuar ndryshimet me ligj i cili garanton paprekshmërinë e flamurit tonë kombëtar në përputhje me Ligjin numër 8926 për përmasat e flamurit kombëtar shqiptar. Ligji përcakton përmasat e flamurit kombëtar për përdorim zyrtar në proporcion 1 me 1.4. Andaj, përtej manipulimeve injorante për nevoja të politikës ditore, BDI nuk do të lejojë përdhosje të flamurit dhe bastardim të përmasave kushtetuese gjatë përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar në institucionet e shtetit”, shtoi numri një i partisë.

E shënuam një dekadë nga nënshkrimi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit, marrëveshje e cila vuri themelet e Maqedonisë së re. Këtë përvjetor e nderuan personalitete shumë të larta nga komuniteti ndërkombëtar, studiues, bota akademike si dhe përfaqësues të elitave politike vendore. Gjithë njëzëri e perceptojnë Marrëveshjen e Ohrit si bazament të fuqishëm të një shoqërie moderne, multietnike dhe multikulturore. Marrëveshje e Ohrit vuri themelet e marrëdhënieve të reja midis komuniteteve duke ofruar barabarësi qytetare me respekt ndaj dallimeve dhe kultivim të kulturave etnike. Sipas kryetarit të partisë, duhet bërë akoma më tepër për miratimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit nga të gjithë qytetarët dhe duhet pranuar ky realitet i ri që i solli Maqedonisë paqen, stabilitetin dhe pozita respektabile në komunitetin ndërkombëtar.

Bashkimi Demokratik për Integrim, pas dorëheqjes kolektive të Komisionit Shtetëror për Regjistrim dhe propozimit për ndalim të procesit të regjistrimit, vendosi që ta pranojë këtë vlerësim të Komisionit. Rëndësia e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni është përtej një operacioni statistikor sepse ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e komuniteteve dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre. Çdo regjistrim në të ardhmen, siç vlerëson Ahmeti, duhet të realizohet vetëm pas arritjes së një konsensusi etnik dhe politik për procesin bashkë me reformën e tërësishme të Entit Shtetëror për Statistikë.

Në përfundim të 100 ditëshit të parë të bashkëqeverisjes, ministrat e BDI-së bashkë me kolegët e tyre nga partneri i koalicionit, miratuan buxhetin për vitin 2012. Buxheti shtetëror ashtu si edhe planprogrami qeverisës, përfshin projektet prioritare të partnerëve të koalicionit të parapara në programet zgjedhore dhe si çdo vendim tjetër i rëndësisë së veçantë, arrihet me konsensus të partnerëve qeverisës.

Bashkimi Demokratik për Integrim, në këtë vit, ka vënë prioritet mbi arsimin dhe kulturën shqiptare si dhe infrastrukturën në Maqedoninë veriperendimore.

“Në këtë mandat do të realizojmë vepra konkrete infrastrukturore që do ta përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve duke krijuar kushte më të mira ekonomike dhe lidhshmëri të avancuar me rajonin”, shtoi Ahmeti.

Në këto projekte bëjnë pjesë ndërtimi i sheshit Skënderbeu, rikonstruimi i teatrit shqiptar në Shkup, përfundimi i objektit qendror të Universitetit Shtetëror të Tetovës në Tetovë dhe Shkup, lëshimi në përdorim i objektit të USHT-së në Kërçovë, ndërtimi i sallës së sporteve në Tetovë në kuadër të USHT-së, ndërtimi i bibliotekës dhe teatrit në Tetovë bashkë me rikonstruimin e qendrës për kulturë, shtrirja e Koridorit 8, sjellja e investimeve të drejtpërdrejta në zonën e lirë ekonomikë në Tetovë, realizimi i hekurudhës Kërçovë – Qafë Thanë, rrugës Shkup – Bllacë dhe zgjërimi i kufirit, hapja e vendkalimeve kufitare Bellanoc – Stançiç, Llojan – Miratovc, ndërtimi i rrugës Kumanovë – Likovë – Haraçinë, rrugës Kërçovë – Dibër, rrugës Tetovë – Bogovinë – Vrapçishtë – Gostivar, rrugës Tetovë – Jazhincë, hidrosistemet në Pollog dhe Likovë, investime në Kodër të Diellit, stacioni i filtrimit të ujit në Gostivar, pikë për grumbullimin e produkteve bujqësore në Pollog bashkë me projekte të tjera konkrete.

Prioritet absolut dhe i padiskutueshëm për Bashkimin Demokratik për Integrim, siç tha Ahmeti në konferencën për shtyp për arritjet brenda 100 ditëve të Qeverisë, është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Ky vend nuk ka alternativë tjetër. Theksoi se për këtë, kanë angazhuar të gjitha kapacitetet në zgjidhjen e çështjes së emrit që mban peng rrugën drejt NATOs dhe fton miqtë ndërkombëtar që të kyçen në mbylljen e mëhershme të kontestit.

“E vetmja e ardhme e Republikës së Maqedonisë është anëtarësimi i saj i menjëhershëm në NATO dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, vlerëson Ahmeti.

Në këtë kontekst, shton lideri i partisë, ftojmë opozitën për bashkëpunim dhe qasje konstruktive ndaj zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe zgjidhjen e çështjes së emrit. BDI shtrin dorën e bashkëpunimit për arsye se prioritet programor i të gjitha partive politike në vend është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE. Ky synim madhor, siç tha, kërkon përpjekje të përbashkëta dhe konstruktivitet.

“100 ditëshi i parë i Qeverisë paraqet periudhë në të cilën opozita dhe gjithë shoqëria vetëpërmbahet nga kritika duke lejuar akomodimin e përbërjes së re qeveritare. Por, Bashkimi Demokratik për Integrim e shfrytëzoi këtë periudhë jo për tu akomoduar, por për të bërë punë dhe për të vënë themelet e pozicioneve tona të reja në bashkëqeverisjen e re. Funksionarët e Bashkimit Demokratik për Integrim janë në dispozicion të gazetarëve dhe grupeve të interesit për t’ju informuar në më shumë detaje rreth të gjitha projekteve konkrete të 100 ditëshit të bashkëqeverisjes së BDI-së si dhe punën që na pret në periudhën para nesh”, njoftoi lideri i partisë, Ali Ahmeti.

Gjithashtu lexo

Shkarkohet Zvërlevski, me 64 vota për dhe asnjë kundër

Kuvendi i Maqedonisë, pas debateve disajavëshe maratonike të deputetëve VMRO-DPMNE-së, e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *