Home / Sport / Barcelona e rekordeve

Barcelona e rekordeve

Rezultatet pozitive dhe sukseset e njëpasnjëshme nuk janë të vetmet që e shquajnë Barcelonën e sotme. Në klubin katalunas kanë filluar të thyhen edhe rekordet personale. Portieri Valdes e shkroi emrin e tij në histori të Barçës, duke mos pësuar gol për 877 minuta. Ndërkohë, Lionel Messi e kaloi shifrën prej 200 golash, kurse trajneri Pep Guardiola në Pragë e udhëhoqi klubin spanjoll për herë të 200-të.

Përpos rezultateve pozitive të njëpasnjëshme dhe sukseseve që po arrin, në Barcelonë po thyhen edhe rekordet individuale. Të martën mbrëma, në ndeshje me Viktoria Plzen, të zhvilluar në Pragë, janë regjistruar tri arritje të tjera në klubin katalunas.

Victor Valdes e ka shkruar emrin e tij në historinë e Barcelonës. Portieri spanjoll e theu rekordin e deritashëm të Miguel Reinas në klubin katalunas, duke mos pësuar gol për 877 minuta.

Përfaqësuesit spanjoll i nevojiteshin vetëm 38 minutat e para që mos të pranonte gol dhe ta tejkalonte rekordin e Reinas, të regjistruar në sezonin 1972/73, kur për plot 824 minuta nuk kishte pranuar gol.

Futbollisti i fundit që e kishte mposhtur Valdesin ishte ai i Valencias, Pablo Hernandez, kur në kuadër të javës së katërt në La Liga kishte shënuar gol në minutën e 23-të, që më pas Barcelona me anë të Cesc Fabregasit kishte shënuar golin e barazimit, 2:2. Që nga ajo periudhë, Valdes nuk ka pësuar gol në 9 ndeshje, prej të cilave 6 në La Liga dhe 3 në Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, në ndeshje me Viktoria Plzenin, rekord ka regjistruar edhe Lionel Messi, i cili e arriti shifrën e 200 golave në fanellën e Barcelonës. Ai shënoi nga penalltia në pjesën e parë, në fitoren bindëse të katalunasve në Grupin H.

Ndërsa, më pas ylli argjentinas shënoi edhe dy gola për të arritur në kuotën 202. Përfaqësuesi argjentinas realizoi 100 gola vetëm në dy sezonet e fundit dhe tash ka arritur në kuotën e 20 golave këtë sezon.

Së fundmi, Messi e kishte kaluar rekordin e Ladislao Kubalas (194 gola) për t’u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në histori të Barçës. 24 vjeçari tash është vetëm 35 gola prapa Cesar Rodriguezit, i cili mban rekordin me 237 gola, të shënuar në periudhën 1939-1955.

“Jam i lumtur për lojën, rezultatin dhe për faktin që kam shënuar 200 gola, por më i rëndësishmi është rezultati. Nuk është objektiv imi që të arrij rekorde. Do të mundohem vetëm ta ndihmoj ekipin të fitojë dhe të shënojë gola”, deklaroi Messi.

Ai e kishte shënuar golin e parë për Barcelonën në maj 2005, kur kishte shënuar në fitoren ndaj Albacetes si 17 vjeç, 10 muaj e 7 ditë. Një shifër për mbamendje e ka regjistruar edhe trajneri Pep Guardiola, i cili në Pragë e udhëhoqi klubin për herë të 200-të. Ish futbollisti i njohur spanjoll ka fituar gjithçka me Barçën, si trajner dhe si lojtar.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *