Home / Sport / Cana: Duam fitore për shqiptaro-maqedonasit

Cana: Duam fitore për shqiptaro-maqedonasit

Kapiteni i Kombëtares,Cana, flet para miqësores së sotme ndaj Maqedonisë. “Më vjen keq që luhet në Prilep, pasi do kemi pak mbështetës”
Shqipëri-Maqedoni (sot, ora 13:00)

Formacioni i mundshëm
Shqipëria (4-4-2)
: Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli, Roshi, Cana, Bakaj, Hyka, Januzi (Kapllani), Salihi, Trajner: Xhemal Mustedanagiç
Maqedonia (4-3-3): Bogatinov, Sikov, Todorovski, Georgievski, Lazevski, Demiri, Gjurovski, Gligorov, Fetai, Naumoski, Hasani. Trajner: Xhon Toshak
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kapiteni i Kombëtares sonë ka pohuar se skuadra do të luajë për vetëm një rezultat: fitoren. Por kjo, jo vetëm për të sjellë një tjetër atmosferë në skuadër pas humbjes me Azerbajxhanin, por edhe për të kënaqur tifozët e kësaj skuadre, sidomos ata shqiptarë që jetojnë në këtë shtet. Kujtojmë se 35-40 për qind e popullsisë në Maqedoni është me kombësi shqiptare, ndaj mendohet se do ketë një interesim të madh nga ana e sportdashësve ndaj ekipit tonë përfaqësues.
Deklarata – “Ne kemi ardhur për të fituar në Maqedoni. Edhe pse nuk është një ndeshje me shumë rëndësi, pasi vlen më shumë për statistikë ose për të parë gjendjen e disa lojtarëve të rinj, ne duam të fitojmë, pasi së pari duam të krijojmë një tjetër atmosferë përreth ekipit pas rezultateve zhgënjyese që skuadra ka marrë si në ndeshjet kualifikuese gjatë këtij viti, por edhe pas miqësores me Azerbajxhanin, të luajtur tri ditë më parë në Tiranë”, ka pohuar Cana.
Shqiptarët – Më tej, kapiteni tashmë zyrtar i Kombëtares sonë, pas largimit nga ekipi i Altin Lalës dhe Ervin Skelës, ka theksuar rëndësinë që merr kjo ndeshje edhe për tifozët shqiptarë të Maqedonisë. Sakaq, ai shpreh një lloj keqardhjeje që kjo sfidë është vendosur të luhet në stadiumin e një qyteti ku ka pak shqiptarë. “Ne do futemi në fushë për të fituar dhe këtë e bëjmë më së pari për shkak të tifozëve tanë. Edhe në Maqedoni ka shumë shqiptarë, por unë në këtë takim nuk pres shumë shikues, sepse ndeshja luhet në një qytet që është larg mjediseve shqiptare, ndaj realisht më vjen keq për këtë gjë. Gjithsesi, ne do mundohemi që t’i bëjmë krenarë ata që do vijnë në stadium ose do na ndjekin nga televizioni”, vazhdoi Cana.
Atmosfera – Fakti që ndeshja luhet në stadiumin e Pobebës (skuadra është dënuar nga UEFA për shkak të trukimeve të ndeshjeve në Kupat e Europës), ka sjellë jo shumë entuziazëm përreth skuadrës sonë. Kujtojmë se në ndeshjet e tjera të luajtura në Tetovë apo Shkup ka pasur shumë shqiptarë që kanë ndjekur kuqezinjtë. Madje, në ndeshjen e Ligës së Europës Rabotnicki-Lacio, Lorik Cana u prit si hero para një muaji në Aeroportin e Shkupit nga tifozët shqiptarë të Maqedonisë.

Trajneri kërkon fitoren në Prilep
Xhemo: S’ndryshoj ekip, luaj sërish me dy sulmues
Pas përfundimit të stërvitjes së djeshme në orarin kur do të luhet sot takimi, në orën 13:00, trajneri i emergjencës në krye të Kombëtares shqiptare, Xhemal Mustedanagiç, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka theksuar se do të luajë në sulm ndaj Maqedonisë, duke mos ndryshuar pra taktikë, edhe pse në transfertë. “Në Prilep kemi ardhur për të fituar. Shpresoj që Shqipëria të përsërisë lojën e pjesës së dytë kundër Azerbajxhanit, dhe nëse ndodh kjo, atëherë nuk duhet të brengosemi për të ardhmen tonë. Formacioni do të jetë sikur ai ndaj Azerbajxhanit, që do të thotë se nuk do të ketë ndryshime. Do luajmë me dy sulmues, pasi duam me çdo kusht që të dalim të fituar nga kjo sfidë”, ka theksuar fillimisht Muste-danagiç. Në fakt, tekniku nuk e ka bërë të ditur formacionin me të cilin do luajë nga minuta e parë, por, sipas të gjitha gjasave, në linjën e sulmit do të jetë veç Salihit, edhe Januzi.

Bastet
Maqedonia shihet si favorite nga specialistët e basteve, pasi është kuotuar më ulët se Shqipëria. Kështu, fitorja e vendësve sot vlen 2.10, barazimi 3.10, ndërsa fitorja e Shqipërisë vlen 3.60. Sakaq, për rezultat në kokë më pak i kuotuar është 0-0, i cili kuotohet vetëm 2.55 dhe rezultatet më të paimagjinueshme janë 4-4, 4-3 ose 3-4, të cilët kuotohen me 250.

Terr televiziv, miqësorja nuk transmetohet në Shqipëri
Takimi miqësor i ditës së sotme, Maqedoni-Shqipëri, nuk do të transmetohet për shkak të kërkesës së lartë, sipas Televizionit Shqiptar që ka kërkuar Federata Maqedonase për këtë takim. Drejtori i TVSH-së, Petrit Beci, sqaron tratativat që ka bërë me drejtuesit e federatës maqedonase, por pa mundur të arrihet në një marrëveshje. “Duhet të dini ju dhe gjithë sportdashësit shqiptarë që TVSH-ja ka të drejtën ekskluzive të zhvillimit të ndeshjeve kualifikuese të Kombëtares brenda territorit të Shqipërisë. Ndërsa jashtë territorit e ka në dorë paketa Supersport, me të cilën ne kemi rënë dakord që kur luante në Shqipëri u japim atyre falas sinjalin, e transmetojnë dhe ata e anasjelltas, ata na e japin kur luhet jashtë, por kjo vetëm për ndeshjet kualifikuese. Për miqësoret nuk ka një marrëveshje. Sakaq, ne i kërkuam Federatës Maqedonase që ta transmetonin ndeshjen dhe ata na kërkuan 12 mijë euro, një çmim që sipas nesh është shumë i lartë. Së pari se bëhet fjalë për një miqësore pa shumë interes. Së dyti, se luhet në një orar totalisht të papërshtatshëm dhe së treti se kombëtarja jonë luan me të rinjtë, pa trajner dhe me një mijë e një probleme. Gjithsesi, ne i bëmë një tjetër ofertë maqedonasve, duke u thënë se nuk do paguanim më shumë se 2 mijë euro për këtë ndeshje dhe ata nuk na kthyen përgjigje, çka do të thotë se ky takim nuk do transmetohet”, ka pohuar Beci.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *