Home / Sport / Festë futbolli në Tetovë, Shkëndija përballet me Renovën

Festë futbolli në Tetovë, Shkëndija përballet me Renovën

‘Fitore, s’ka dyshim. Shkëndija në cdo duel hyn për të fituar, pa marrë parasysh epilogun përfundimtar. Besoj se në këtë moment jemi ekip më kualitativ dhe me ndihmën e publikut do të arkëtojmë tre pikë të reja në saldon tonë’, deklaroi futbollisti i Shkëndijës, Ferhan Hasani, ndërsa kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu shtoi. ‘Shkëndija është favorite në këtë duel, ka ekip më të mirë, janë në formë më të mirë, mirëpo në derbi jo gjithmonë vendos kualiteti. Në këto duele vendimtar mund të jetë motivimi, individualiteti, apo një lëvizje e një futbollisti të caktuar. Me rëndësi është të dhurojmë futboll cilësor për të kënaqur publikun, ndërsa me korektësi të dyanshme të gjithve tu tregojmë se shqiptarët duan sportin dhe nuk janë shkaktar të incidenteve’.

Stadiumi i qytetit në Tetovë edhe një herë tjetër do të sjellë derbi lokal, ku pritet futboll cilësor dhe kualitet i lartë i të dyja skuadrave, gjithsesi i përcjellë me kulturë sportive si që u ngjan dy ekipeve më të mira shqiptare në Maqedoni. Kampionja në fuqi Shkëndija, do të presë ish-kampionen, Renovën, në duelin që zgjon interes të madh në opinionin futbollistik në rajonin e Pollogut, por edhe më gjërë. Dy skuadrat që fituan titullin në dy sezonet e fundit, do të përplasen me njëra tjetrën në tjetër duel të rëndësishëm, ku pikët kanë vlerë të madhe për të dyja palët, por që njëkohësisht nga të dy taboret nuk anashkalojnë respektin për kundërshtarin dhe dëshirën për një ndeshje korrekte. ‘Normal na pret një duel mjaft tërheqës, ku do përballen dy skuadra lokale që kanë rivalitet të madh. Normal si në gjithë botën, ashtu edhe te ne derbit lokal zgjojnë interes të madh në opinion. Unë pres takim interesant, numër të madh shikuesh të cilët i’a shtojnë bukurinë takimit dhe normal atmosferë korrekte. Rivaliteti sportiv duhet të jetë në nivel, 90-të minuta do luftojmë për fitore, ndërsa në fund sigurisht përsëri do mbesim shokë dhe miq ndërmjet veti. Une pres që opinionit t’i tregojmë se shqiptarët kanë vlera sportive dhe morale, për t’ua bërë me dije se Tetova është qytet i futbollit dhe se titujt në dy vitet e fundit nuk kanë përfunduar rastësisht këtu’, deklaroi futbollisti i Shkëndijës, Ferhan Hasani, i cili pritet të jetë rreziku më i madh për mbrojtjen e Renovës. ‘Para se gjithash pres një ndeshje korekte, në të cilën do të fitojë futbolli tetovar. Dua të cek se në këto derbi asnjëherë s’ka patur problem në teren, mes lojtarëve, përkundrazi gjithmonë ka patur korrektësi maksimale. Tani shpresoj që edhe publiku të jenë korrekt ndaj të dy ekipeve, për të dhënë një shembull palës tjetër. Mendoj se nuk ka vend për jo korektësi dhe për sharje ndërmjet veti’, tha kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu, i cili më pas shtoi. ‘E dijmë se pjesa më e madhe e publikut do të jetë për Shkëndijën dhe normal që do japin përkrahje maksimale skuadrës së tyre. Por të gjithë duhet ta kuptojnë se ne futbollistët jemi shokë, shihemi cdo ditë, por në teren duam fitore për ekipin tonë. Të gjithë dijnë se fitorja në derbi të këtillë ka vlerë të posacme, mirëpo në asnjë moment nuk duhet të harojmë se bëhet fjalë për një ndeshje futbolli, ku duhet të nxjerim në pah para se gjithash vlerat njerzore. Korrektësia duhet të jetë në nivel, në këtë kohë kur nga të gjithë anët neve si shqiptarë provojnë të na prezantojnë si popull problematik’, tha Nuhiu. Të dyja skuadrat në këtë duel vijnë pas barazimeve në mesjavë. Shkëndija luajti pa gola në Kërcovë me Napredokun, ndërsa Renova në Teteovë barazoi me të njëjtin rezultat me Vardarin. D.m.th. ekipet në mesjavë nuk arritën të shënojnë, ndoshta duke ‘ruajtur’ gjithë arsenalin e tyre për të dielën, kur pritet të dhurojnë ndeshje spektakulare. ‘Mendoj se vetëm fati sportiv bëri që Napredoku të shpëtojë pa pranuar gol. Mirëpo ky është futbolli, duhet të pajtohemi me gjëra të këtilla dhe të shikojmë përpara. Ja ku kemi mundësi të kompensojmë atë që lëshuam në Kërcovë. Jam i sigurtë se kësaj radhe do të ketë gola, shpresoj shumë, me atë që le të ketë një më tepër në rrjetën e Renovës’, tha pak sa me ironi ‘Buba’, ndërsa Nuhiu shtoi. ‘Sigurisht se golat janë ata që zbukurojnë këtë sport dhe ne besojmë se numrit të madh të shikuesve të pranishëm do t’u dhurojmë futboll cilësor dhe kuptohet edhe gola. S’mbaj mend Shkëndija dhe Renova mes veti të kenë luajtur pa gola, kështu që besoj se do të jetë edhe tani. Për kënaqësi të publikut, pse jo, le të ketë një goleadë, ku fitorja do t’i takonte ekipit me më shumë fat’. Në fund dy protagonistët rivalë folën edhe për pritjet e tyre nga ky takim, duke potencuar se fitorja do të jetë objektiv kryesor. ‘Fitore, s’ka dyshim. Shkëndija në cdo duel hyn për të fituar, pa marrë parasysh epilogun përfundimtar. Besoj se në këtë moment jemi ekip më kualitativ dhe me ndihmën e publikut do të arkëtojmë tre pikë të reja në saldon tonë. Gjithsesi se nuk pres të jetë lehtë, Renova ka futbollistë cilësorë që kuptojnë futbollin, mirëpo përsëris se në këtë moment besoj se Shkëndija është më e fortë se Renova dhe këtë gjë pres ta konfirmojmë të dielën në teren, për tu dhuruar tifozëve tanë një fitore nga ky derbi’, u prononcua me optimizëm, numri ‘10’-të i Shkëndijës dhe anëtari i përfaqësueses së Maqedonisë, Ferhan Hasani. ‘Ne do japim maksimumin tonë që posedojmë, për të nxjerë rezultat pozitiv, me qëllim që deri në pauzë të grumbullojmë sa më shumë pikë, që më pas në pranverë me disa përfrocime të kërkojmë Evropën. Shkëndija është favorite në këtë duel, ka ekip më të mirë, janë në formë më të mirë, mirëpo në derbi jo gjithmonë vendos kualiteti. Në këto duele vendimtar mund të jetë motivimi, individualiteti, apo një lëvizje e një futbollisti të caktuar. Garantojmë maksimumin tonë, ndërsa pas ndeshjes do shohim epilogun. Përsëris se me rëndësi është të dhurojmë futboll cilësor për të kënaqur publikun, ndërsa me korektësi të dyanshme të gjithve tu tregojmë se shqiptarët duan sportin dhe nuk janë shkaktar të incidenteve’, përfundoi kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Shkëndijës. Në ndeshjen e parë të këtij sezoni, Shkëndija mundi Renovën si ‘mysafire’ me dy golat e Mensur Kurtishit, ndërsa tani pritet tjetër duel interesant. Ndeshja Shkëndija-Renova zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 13:00. Ndërkohë në takimet tjera të javës së 16-të, tre duele zhvillohen të shtunën. Metalurgu pret Napredokun, Vardari përballet me Ohrid 2004, ndërsa Bregallnica takohet me Sileksin. Të dielën përvec duelit Shkëndija-Renova do të zhvillohet edhe përballja mes Horizontit dhe Rabotnickit, ndërsa java e 16-të kompletohet të hënën me duelin mes Teteksit dhe 11 Oktomvrit.

Fitore për Metin

Shkëndija në duelin me Renovën do të jetë pa mesfushorin Muhamet Huseini, i cili të mërkurën në Kërcovë pësoi dëmtim të rëndë, i cili do ta largojë nga teren një kohë më të gjatë. Dhe si shokë të vërtetë, nga tabori i Shkëndijës mbështesin maksimalisht bashkëlojtarin e tyre, ndërsa paralajmërojnë fitore për të. ‘Duam fitore ndaj Renovës, për t’ia kushtuar Metit. Në emër të të gjithë bashkëlojtarëve e them se do luajmë për bakshëlojtarin tonë të lënduar. Na vjen keq për dëmtimin e rëndë, por futbolli me vete bart gjëra të këtilla. Mungesa e tij është humbje e madhe për Shkëndijën, por do tentojmë të kompensojmë këtë. Metit i dëshirojmë rehabilitim të shpejtë dhe nuk dyshojmë se ai do të kthehet edhe më i fortë’, deklaroi Ferhan Hasani. Ndërkohë edhe kapiteni i Renovës, Nuhiu, mbështeti futbollistin e lënduar të Shkëndijës. ‘Me keqardhje pranuam lajmin për dëmtimin serioz të Huseinit. Sigurisht se kjo është një goditje e rëndë për të, dhe ne të gjithë jemi në përkrahje maksimale të tij në aspektin moral. Nga zemra i dëshirojmë rehabilitim të shpejtë dhe kthim në terenet e futbollit ku është ndër më të dalluarit’, tha Nuhiu.

Dyshet:
Metalurgu-Napredoku,
Vardari-Ohrid 2004,
Bregallnica-Sileksi,
Shkëndija-Renova,
Horizonti-Rabotnicki,
Teteksi-11 Oktomvri.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *