Home / Lajme / Maqedoni / Hallet e “Ballistëve”

Hallet e “Ballistëve”

Ne nuk jemi huliganë e as të dhunshëm, siç po na trajton policia dhe institucionet tjera shtetërore. “Ballistët” ankohen se për dallim nga tifozët e klubeve tjera, ndaj tyre përdoren kute dhe janë në shënjestër të dënimeve

Urim HASIPI/KOHA

Tetovë, 10 nëntor – Jo çdo herë ndeshjet e futbollit përfundojnë ashtu si duhet, posaçërisht në Tetovë, ku shpeshherë tifozeria shqiptare dhe maqedonase, në vend që të bëj tifo për klubet
përkatëse, më shumë shkarkon ofendime etnike, fetare dhe kulturore. Gjithmonë njëra palë akuzon tjetrën dhe anasjelltas, kurse shpesh shkaktarët e ofendimeve dhe incidenteve kalojnë vetëm me paralajmërime ose nuk penalizohen fare.
Rivaliteti tradicional mes klubeve të futbollit “Shkëndija” dhe “Teteks” nga Tetova nuk është pjesë vetëm e traditës së futbollit në Maqedoni, por edhe zënkave dhe armiqësive mes tifozëve të këtyre dy klubeve, “Ballistët” dhe “Vojvodët”. Këtu nuk mungon edhe rivaliteti mes “Ballistëve” dhe “Komitëve” të Vardarit. “Ballistët” nga kundërshtarët e tyre janë vlerësuar si problematik, megjithatë drejtuesit e këtij grupi kategorikisht mohojnë të jenë të dhunshëm dhe iniciues të shumë incidenteve që kanë ndodhur vitet e fundit në Tetovë. Mediat maqedonase në kronikat e tyre dhe në gazeta na paraqesin si huliganë, problematik dhe të dhunshëm, ankohen “Ballistët”. Udhëheqësia e tyre thotë se nuk ka asgjë të përbashkët me huliganizmin, por se shantazhohen dhe xhelozohen nga grupet tjera mënyrën e veçantë se si bëjnë tifo për “Shkëndijën”.
“Ne asnjëherë nuk i fillojmë incidentet, por gjithmonë na imponohen. Jo vetëm për ‘Ballistët’, por për të gjithë të pranishmit në stadium është provokim që të vijnë 1000 pjesëtarë të forcave speciale nga Shkupi kur luan ‘Shkëndija’ dhe ‘Teteksi’ apo kur luajmë me Vardarin etj. Krijohet situatë sikur me qenë luftë dhe në këto raste incidenti është i paevitueshëm. Ka raste kur policët na provokojnë, na shajnë, na fyejnë në baza nacionale, që ne të irritohemi dhe më pas të intervenon. Policia ka paditur një 15 vjeçar, ka arrestuar njerëz të pafajshëm nëpër rrugët e qytetit”, thotë Shkëlzen Meta, kryetar i Shoqatës së tifozëve “Ballistët”. Ndonëse janë të ri në moshë, njerëzit kryesor të “Ballistëve” janë të vetëdijshëm se nga veprimet e tyre dënohet klubi. “Rivaliteti me Vojvodët tejkalon rivalitetin e zakonshëm vetëm në tribuna. Kur luajmë kundër tyre ato i konsiderojmë si armiq dhe kalojmë në sharje nacionale. Pra, këtu vjen në shprehje armiqësia që kemi si kombe, ne si shqiptarë dhe ato si maqedonas. Me ato nuk kemi asgjë të përbashkët. Ato i filluan sharjet, ato i filluan fyerjet në baza nacionale, dhe normalisht ne nuk mund të rijmë duarkryq kundrejt këtyre ndodhive”, thotë Elmedin Ahmeti.
Ballistët shprehen se kanë bashkëpunim me të gjitha shoqatat e tifozëve shqiptarë nga Maqedonia, Kosova, dhe Shqipëria. Jeta e Shkëlzenit, Elmedinit dhe Lindit dhe ballistëve të tjerë, është e lidhur vetëm për “Shkëndijën”, kurse kohëve të fundit edhe me kombëtaren e Shqipërisë. Ato thonë se shpesh herë kur luan “Shkëndija” jashtë Tetovës, Federata e Futbollit të Maqedonisë ndeshjet i cakton paradite, vetëm e vetëm për të pamundësuar që ata të jenë prezentë dhe ta përkrahin klubin. Megjithatë, “Ballistët” rikujtojnë se edhe sikur ndeshjet të takohen herët në mëngjes, ata do të jenë pranë ekipit të zemrës. “Ne nuk jemi vulgar, por na irritojnë veprimet e policisë, FFM-së dhe shtetit në përgjithësi kur bëhet fjalë për Ballistët dhe Shkëndijën. Para dy tre vitesh ne ndeshjen Vardari-Renova, u ndez flamuri kombëtar shqiptar, askush nuk reagoi, as FFM, as shteti, as partitë politike. Pastaj në ndeshjen MZT-Liria, sërish u ndez flamuri shqiptar nuk reagoi askush. Incidenti në Nerez të Shkupit, askush nuk u mor në përgjegjësi. Shumë incidente tjera kanë ndodhur por askush nuk ka reaguar. Kurse kur bëhet fjalë për Shkëndijën dhe Ballistët të gjithë ngrihen në këmbë kundër neve”, thotë kryetari i “Ballistëve”, Shkëlzen Meta. Mjafton një fjalë apo një veprim që ne të dënohemi, të rihemi dhe të shahemi sidomos, thotë ai, nga shteti dhe mediat në gjuhën maqedonase. “Por kjo nuk do të na ndalë neve, përkundrazi na motivon më shumë”, thekson Meta.
Por edhe vetë drejtuesit e klubit futbollistik “Shkëndija” pranojnë se e vërteta është diku në mes, pasi ndër tifozët ka edhe të rinj problematik. Kryetari i klubit futbollistik “Shkëndija”, Nuriman Shaqiri, nuk pajtohet me animin e një pjese të vogël të “Ballistëve”. Sipas tij, ato në mënyrë jo korrekte e përkrahin klubin. “Bëhet fjalë për një grup shumë të vogël. Nuk arrijnë as dhjetë ata që shkaktojnë probleme, dhe kryesia e klubit i ka identifikuar. Kemi biseduar disa herë, por nuk janë të vetëdijshëm për veprimet, por janë të vetëdijshëm për dëmet që i sjellin klubit. Ne kemi rreth 2000 mijë ‘Ballistë’ që na përkrahin në çdo ndeshje dhe nuk kemi problem me të gjithë, por vetëm me disa persona. Klubi dhe kryesia ka politikën e vet të cilën e respekton, dhe nuk bie pre e veprimeve të papërgjegjshme”, thotë Shaqiri. Ai përmend se mos animi korrekt ka ndikuar që në shumë raste skuadra të dënohet dhe dëmtohet në rezultat.
Ndërkohë, Policia e Tetovës jozyrtarisht janë shprehur se shumicën e incidenteve e shkaktojnë tifozët e “Shkëndijës”. Vetëm në nëntë muajt e kaluar të këtij viti, janë regjistruar 5 raste të prishjes së rendit dhe të qetësisë publike në ndeshjet sportive, prej të cilave katër në Tetovë dhe një në Gostivar, ku kanë qenë të involvuar 26 tifozë, në numër më të madh të klubit “Shkëndija” nga Tetova. Këto prishje të rendit dhe të qetësisë publike janë sanksionuar me tre vepra penale dhe dy padi penale për vepra të ndryshme. Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar numri i përgjithshëm i prishjes së rendit dhe të qetësisë publike në ndeshje sportive është tetë, ku kanë qenë të involvuar 47 persona. Në atë periudhë janë parashtruar 7 padi në bazë të ligjit për pengim të dhunës dhe sjellje të pahijshme në ndeshjet sportive dhe një kallëzim penal, thonë në policinë e Tetovës. Edhe gjatë 2010, në të shumtën e rasteve në numër më të madh kanë qenë tifozët e Shkëndijës. Në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, nuk dëshirojnë ti komentojnë sjelljet e tifozëve të asnjë klubi. “Nga ajo që deri më tani e kanë vërejtur policët, të cilët rregullisht dhe në mënyrë profesionale i ndjekin ndeshjet, duhet të potencohet se individë-tifoz, numër konsiderueshëm i tyre, shfrytëzojnë fjalor vulgar, fyerje në baza etnike dhe provokime të ndryshme, kushtimisht thënë dedikuar taborit kundërshtar të tifozëve. Krahas kësaj, ato shpesh herë hedhin edhe gurrë dhe sende tjera të forta pas tifozëve tjerë, futbollistëve, gjyqtarëve, policëve të cilët rregullisht i sigurojnë ndeshjet dhe kujdesen për mbajtjen e qetësisë publike në dhe përreth stadiumit”, thotë zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Marjan Josifovski.
Imazhe dhune dhe fyerje u regjistruan në ndeshjen e fundit mes Teteksit dhe Shkëndijës, para një muaji. 11 tifozë të Shkëndijës u ndëshkuan me padi penale për katër vepra penale. Policia nuk saktëson numrin, por thotë se edhe në anën e tifozëve të Teteksit-“Vojvodët”, ka të dënuar.
Ndërkaq, punëtorët sportiv edhe njohësit e zhvillimeve sportive thonë se tifozët duhet të përkrahin në mënyrë të denjë ekipin e tyre, por jo edhe të fyejnë dhe shajnë kundërshtarët në baza nacionale dhe fetare. “Ajo që i lejohet mbretit, nuk i lejohet fshatarit, dhe në rastin konkret rolin e mbretit e luajnë të gjithë skuadrat tjera të Maqedonisë, kurse në rolin e fshatarit është Shkëndija dhe pjesa përbërëse e saj ‘Ballistët’, thotë profesori i kulturës fizike Myftar Zyberi. Ai thekson se ndodhitë në sportin e Maqedonisë duhet matur me të njëjtat kute dhe dënimet që i jep FFM-ja, duhet bazuar në fakte të vërteta. “Unë nuk dua që të arsyetoj veprimet e ‘Ballistëve’, por kujtoj se dënimet që i jepen Shkëndijës gjoja për shkak të Ballistëve, nuk janë me të njëjtat kute me të cilat maten bëmat dhe të pa bëmat e tifozëve tjerë. Mua më vjen keq që ‘Ballistët’ kanë rënë në grackë dhe imitojnë sjelljet e shëmtuara të ‘Vojvodëve’ dhe ‘Komitëve’. Kam bindjen e thellë dhe shpresoj se Ballistët do të ndërtojnë imazhin e tyre të mënyrës së të bërit tifo, karakteristik për emrin që mbajnë”, thotë profesori Zyberi. Duke bërë krahasim me tifozët tjerë në Ballkan, profesori Zyberi thekson se tifozët tetovarë dallojnë, në kuptim pozitiv. “Në këto hapësira kemi huliganizëm ballkanik, i cili buron nga politika, nga ndikimi mediatik, prejardhja sociale e individëve, kushtet shoqërore dhe domosdo të gjitha këto kanë një efekt spiral i cili nuk i anashkalon as ‘Ballsitët’”, vëren profesori u kulturës fizike Myftar Zyberi. Në fund ai potencon se tifo bëhet për të përkrahur skuadrën deri në fitore e jo për ta ndëshkuar atë. “Tifo nuk bëhet duke sharrë dhe ofenduar në pikëpamje nacionale. Tifo nuk bëhet as duke sharë Toshe Proevskin. Tifo bëhet duke duartrokitur, tifo bëhet duke bërtitur Shkëndija, Shkëndija, Shkëndija…dhe tifo bëhet duke kënduar për Shkëndijën. Tek e fundja nuk ia vlen që çdo gjë të rrezikohet për futbollin dhe bën tifo duke respektuar Dekalogun e djaloshit të ri sportist shqiptar që u miratua në kohën e Mbretit Zog”, thotë profesori i kulturës fizike Myftar Zyberi.

Historia e “Ballisteve”
Klubi “Shkëndija” ekziston që nga vitin 1979, mirëpo tifozët e saj nuk kanë mundur të bartin emër për shkak të problemeve që i shkaktonte ish regjimi klubit. Ballistët në Tetovë në vitet 1989,1990,1991 janë paraqitur si grup “BAL”. Ballistët zyrtarisht u themeluan në vitin 1992 kur edhe Maqedonia u fut në rrugët e demokracisë. “Ballistët” sot kanë identitetin e vet në veshje, tribunën “Marshin Beqiri” dhe moton “15 vite tribunë, 15 vite sukses, 15 vite krenari”.

VITI 2011
– 4 incidente në Tetovë
– 26 tifozë kryesisht të Shkëndisë
– 3 vepra penale
– 2 padi penale

VITI 2010
– 8 incidente
– 47 persona të involvuar
– 7 padi penale
– 1 vepër penale

Incidenti i fundit Shkëndija-Teteks
– 11 tifozë të Shkëndijës të përfshirë në incident
– 4 vepra penale për Ballistët
– Policia thotë se ka të dënuar edhe “Vojvodë”
gazeta Koha

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *