Home / Lajme / Rajon / Në Podujevë gjithçka ndodh

Në Podujevë gjithçka ndodh

4 nentor-Zyrtarisht shkaqet janë ende misterioze, por dyshohet se gjithçka ndërlidhet me kushtet e këqija në shkollën e vjetër. Kohë më parë kështu ndodhi edhe në një dasmë në këtë qytet.

Trupi u është ligështuar dhe përnjëherë janë alivanosur. Kur kanë hapur sytë, e kanë parë vetën në spital duke marrë infuzion. Njëmbëdhjetë nxënës të shkollës së Mesme Teknike “Fan . S. Noli” në Podujevë janë alivanosur njëri pas tjetrit, duke bërë që tërë shkollën ta kapë paniku.
Ata janë dërguar të enjten në mbrëmje në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë për ndihmën e parë mjekësore.
Derisa tetë vajza janë trajtuar aty, tre të tjerë, dy djem në gjendje më të rëndë dhe një vajzë tjetër, janë nisur me urgjencë drejt Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16 e 30 minuta të së enjtes, saktësisht pas orës së pestë të ndërrimit të dytë, kur disa nxënës të kësaj shkolle janë plandosur përtokë pa ndjenja.
Djem e vajza të dy klasave 11/1 dhe 11/3 të Shkollës së Mesme “Fan . S. Noli” në Podujevë janë alivanosur në mënyrë misterioze, duke bërë që në lidhje me këtë rast të ndërhyjë edhe Policia e Kosovës.
Shkaqet e kësaj alivanosjeje nuk dinë t’i shpjegojnë as mjekët, të cilët thonë se më parë duhen bërë analizat në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për të mësuar shkaqet.
Egzona Hashimi, nxënëse në klasën 11/1 në këtë shkollë, e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, derisa merrte të enjten në mbrëmje infuzionin, tregonte për Express sekondat para se asaj t’i binte të fikët.
“Derisa isha në korridor të shkollës pas orës së pestë, vetëm kam ndjerë ligështim të trupit dhe jam rrëzuar”, tregon ajo, e cila gjatë marrjes së infuzionit thoshte se kishte ethe, dhimbje koke e temperaturë.
Por jo vetëm Egzona. Edhe Nebahate Islami nga klasa 11/3 thotë se është alivanosur, derisa ishte në korridor. Megjithëkëtë, Nebahatja ka një shpjegim tjetër.
“Në atë çast në korridor vinte një erë shumë e rëndë dhe shumë e keqe që ta zinte frymën dhe vetëm kur jam rrëzuar nga ligështimi i trupit”, thotë ajo për Express.
Derisa tetë vajzat kanë marrë ndihmën e parë nga mjekët në Podujevë dhe sipas mjekut kujdestar Arben Beqiri, ato janë në gjendje më të mirë, krahasuar me tre të tjerët të dërguar për analiza më të thella në QKUK në Prishtinë.
Sa u përket dyshimeve të para për arsyen që ka mundur të shkaktojë këtë alivanosje masive, mjeku kujdestar Arben Beqiri thotë se dyshimet e para janë se bëhet fjalë për një helmim me prejardhje ende të panjohur.
“Analizat e tyre do të dërgohen në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ku do të mësohet shkaku”, thotë ai për Express. Ndërkohë, vetë nxënësit tregojnë se kushtet higjienike në këtë shkollë të vjetër duket se mund të jenë një nga shkaktarët e këtij rasti.
Nxënësit thonë se përveç vjetërsisë së shkollës, ajo është e tejmbushur, madje deri në 45 veta janë në një klasë, pastaj nuk ka ujë të rrjedhshëm, dritaret janë shumë të vjetra e nuk hapen, apo se dyshemeja është shumë e keqe.
Policia në Podujevë thotë se është duke hetuar rastin, ndërkohë që kohë më parë në një dasmë në këtë qytet në mënyrë të ngjashme ishte alivanosur nusja dhe shumë gra pjesëmarrëse në aheng, të cilat ishin dërguar edhe për trajtim mjekësor. (express)

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *