Home / Lajme / Maqedoni / Teleferiku i Tetovës mbetet histori

Teleferiku i Tetovës mbetet histori

Kodra e Diellit në Tetovë ka patur teleferik që nga vitet 70-ta dhe ka funksionuar deri në luftën e vitit 2001 kur u dëmtua, dhe prej atëherë nuk investohet në teleferikun transportues Tetovë-Kodra e Dielli

– Teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit tani më është vetëm një histori, pasi që i njëjti nuk punon që nga përfundimi i luftës së 2001, kur edhe pësoi dëmtime. Më shumë se dy dekada teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit kishte shërbyer për të transportuar vizitorët dhe skitarët nga qyteti i Tetovës për në pikën turistike të Kodrës së Diellit. Por, gati se dhjetë vite nuk është në funksion pasi që ka dëmtime në disa shtylla. Ndërkohë, sipas autoriteteve të kësaj qendre, model të këtillë të teleferikut nuk ka askund në botë. “Modeli i fundit i këtij teleferiku ka dalë nga përdorimi para 18 viteve në Maribor të Sllovenisë. Teleferiku nga Tetova për në Kodër të Diellit është jashtë përdorimit më shumë se dhjetë vjet, kurse për riparimin e tij nevojiten rreth 12 milionë euro, ndërkaq modeli i ri kushton rreth 15 milionë euro. Pra, më mirë do të ishte që të vendoset një model i ri normalisht me financa të shtetit për të lidhur sërish me këtë lloj transporti qytetin e Tetovës me këtë pikë turistike”, thotë Petre Dimitrievski, njëri prej dy drejtorëve të Kodrës së Diellit. Në vijë ajrore nga Tetova për në Kodrën e Diellit ka 8 kilometra, kurse përmes rrugës ka rreth 19 kilometra. Dimitrievski shprehet se vënia në funksion e teleferikut do të lehtësonte shumë edhe komunikacionin, sidomos gjatë sezonit dimëror, por do të hapte shtigje edhe për vizitorë gjatë sezonit veror. Ai shpreson në një vullnet të mirë të qeverisë për të bërë një investim në këtë drejtim, që do tërhiqte edhe më shumë vizitorë, por edhe do të rriste numrin e qytetarëve vendor të cilët në të shumtën e rasteve ngurojnë të udhëtojnë me automjete, për shkak të mungesës së parkingjeve në qendrën turistike, por njëkohësisht do të kishte edhe përfitime material. Sipas tij, Kodra e Diellit në Tetovë ka patur teleferik që nga vitet 70-ta dhe ka funksionuar deri në luftën e 2001. Ai ka lidhur Tetovën me qendrën turistike për skijim Kodra e Diellit, por gjatë luftës në 2001, janë dëmtuar telat-kabllot për transportin e kabinave. Ndryshe, që nga viti 2001 ky teleferik është jashtë përdorimi dhe ka ngelë vetëm një histori e lumtur për të gjithë ata që kanë pasur mundësi të udhëtojnë në qendrën rekreative –sportive Kodra e Diellit, ndërkohë që riparimi i tij kushton shumë. Kohë më parë Qeveria e Maqedonisë investoi në ndërtimin e një teleferiku nga Shkupi për në kryqin Milenium, që ka kushtuar rreth 7 milion euro, ndërsa për qendrën turistike Kodra e Diellit deri më tani nuk është paraparë asnjë investim infrastrukturor. Sipas drejtorit Dimitrievski, përgatitjet për fillimin e sezonit të ri dimëror janë bërë dhe me rënien e borës në trashësi të mjaftueshme do të hapet edhe sezoni i skijimit, kurse njëjtë si edhe në dhjetë vitet e kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të duhet të udhëtojnë me automjetet e tyre private, ndërsa transporti alternative me furgon apo autobus nuk është paralajmëruar nga asnjë institucion.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *