Home / Lajme / Maqedoni / Xhamia e Pashës në loto

Xhamia e Pashës në loto

Ky akt ka irrituar Myftininë e Bashkësisë Islame në Tetovë, pasi është në kundërshtim me parimet e fesë islame. Në Lotarinë e Maqedonisë shprehen se që në pranverë është dhënë urdhër për heqjen e tiketave nga tregu pas reagimit të Bashkësisë Fetare Islame, mirëpo pranojnë se ende janë prezentë për shkak të gabimit individual

Fotografia e Xhamisë së Larme (Xhamia e Pashës) në Tetovë është publikuar në tiketat e lojërave të fatit që organizohet nga ana e Lotarisë së Maqedonisë. Ky akt ka irrituar Myftininë e Bashkësisë Islame në Tetovë, pasi është në kundërshtim me parimet e fesë islame. Në Lotarinë e Maqedonisë shprehen se që në pranverë është dhënë urdhër për heqjen e tiketave nga tregu pas reagimit të Bashkësisë Fetare Islame, mirëpo pranojnë se ende janë prezentë për shkak të gabimit individual. Për këtë lëshim, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë si pronare e objektit fetar, paralajmëron edhe kallëzim penal ndaj Lotarisë së Maqedonisë. “Xhamitë janë shtëpi të Allahut xh.sh., por njëkohësit janë pronë e Bashkësisë Fetare Islame. Ata mund të shfrytëzohen vetëm në përputhshmëri më ligjin e Sheriatit islam dhe konform akteve normative të Bashkësisë Fetare Islame. Askush, qoftë person fizik, shoqatë apo subjekt tjetër juridik nuk ka të drejtë të keqshfrytëzojë xhamitë për qëllime të veta profitabile apo komerciale. Xhamitë mund të shfrytëzohen vetëm për adhurim të Allahut xh.sh., ndërsa assesi xhamitë nuk e kanë vendin në lojërat e fatit, kur dihet mirë se cili është qëndrimi i fesë islame për këto lojëra. Myftinia e BFI-së në Tetovë dënon ashpër keqpërdorimin e imazhit dhe pamjeve të Xhamisë së Pashës në fletushkat e lojërave të fatit të Lotarisë së Maqedonisë. BFI si pronar i objektit do të ngrejë kallëzim penal ndaj Lotarisë së Maqedonisë”, thotë Namik Xhaferi, sekretar në Myftininë e Tetovës. Ndërkaq, në Lotarinë e Maqedonisë thonë se tiketat me fotografinë e Xhamisë së Larme janë tërhequr që në pranverë pas një reagimi të BFI-së, ndërsa theksojnë se për tiketat në Tetovë bëhet fjalë për gabim individual. “Në pranverë të këtij viti ne dërguam përmbajtjen me të dhënat e tiketës rreth Xhamisë së Pashës në BFI. Në përmbajtje janë prezantuar pasuritë kulturore të vendit tonë. Megjithatë, pas vërejtjeve nga BFI-ja, dhamë urdhër që në tërë rrjetin shitës të Maqedonisë të tërhiqen tiketat ndihmëse me fotografinë e bukur të Xhamisë së Pashës. Ju siguroj se në pajtim me të dhënat tona nga tereni, pas aksionit tonë në pranverë, të gjitha pikat shitëse kanë raportuar se nuk kanë më tiketa të vjetra, ndërsa të reja nuk janë shtypur që nga atëherë”, thotë Kamelia Levenska-Nikolovska nga Sektori për marrëdhënie me opinion në Lotarinë e Maqedonisë. Ajo thekson se pas këtij reagimi, është kontaktuar pika shitëse në Tetovë, kurse tiketat janë hequr nga shitja. “Supozojmë se bëhet fjalë për gabim individual në pikën shitëse të Tetovë, e cila sipas të gjitha gjasave, nuk i ka kthyer tiketat ndihmëse me fotografinë e Xhamisë së Pashës. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe është kontaktuar pika shitëse në Tetovë, ndërsa tiketat janë larguar nga shitja”, thotë Levenska-Nikolovska. Përveç institucionit fetar, tiketa e lojës së fatit me Xhaminë e Larme ka irrituar edhe qytetarët e përkatësisë fetare islame. Edhe pse që në pranverë Lotaria e Maqedonisë ka dhënë urdhër për tërheqjen e tiketës, ajo deri para dy javëve ka qarkulluar në qoshqet e Tetovës. I riu Argjend Abdiu thotë se paradokohe, ka blerë tiketë të lotarisë me fotografinë e Xhamisë së Larme. “Unë kam blerë tiketë me në një pikë shitëse në Tetovë. Përmbajtja e tiketës është revoltuese dhe fyerje e rëndë që i është bërë objektit fetar të myslimanëve, i cili është ndër objektet më të vizituara edhe nga ana e turistëve të huaj, por edhe të personaliteteve të larta të shumë shteteve”, thotë ai. Xhamia e Larme në Tetovë është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur me Ligj dhe për çdo ditë vizitohet nga vizitorë të huaj dhe vendor.

Gjithashtu lexo

Shkarkohet Zvërlevski, me 64 vota për dhe asnjë kundër

Kuvendi i Maqedonisë, pas debateve disajavëshe maratonike të deputetëve VMRO-DPMNE-së, e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *