Home / Lajme / Rajon / Haxhinasto: Takimi i 4-t Shqipëri – BE, në një klimë të përmirësuar politike

Haxhinasto: Takimi i 4-t Shqipëri – BE, në një klimë të përmirësuar politike

9 dhjetor-Ai shtoi se shpreson që ky progres në vazhdimësi të çojë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave sa më shpejt që të jetë e mundur për Shqipërinë.
Në takim u fol edhe për rolin e Shqipërisë në marrëdhënie me vendet e tjera të rajonit, ku u vlerësua maksimalisht kontributi i vendit tonë për bashkëpunimin dhe ripajtimin mes popujve të rajonit

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, shprehu sot kënaqësinë për zhvillimin e takimit të katërt të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, Shqipëri-BE, në një klimë të përmirësuar politike, ku ka nisur bashkëpunimi mes forcave politike parlamentare për zbatimin e reformave, sipas axhendës së 12 rekomandimeve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Në një takim me delegacionin e Parlamentit Evropian, që ndodhet në Tiranë, i kryesuar nga Kryetari i Delegacionit për Europën Juglindore, Eduard Kukan, Haxhinasto theksoi se rezultatet që do të prodhojnë këto reforma janë mbi të gjitha në dobi të qytetarëve shqiptarë, përveçse ndikojnë në avancimin e marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Kryetari i delegacionit të PE, Kukan vuri në dukje se gjatë kësaj kohe Shqipëria ka shënuar progres, çka është reflektuar dhe në gjuhën e konkluzioneve të Këshillit të Punëve të Jashtme, por edhe në Këshillin Evropian.

Ai shtoi se shpreson që ky progres në vazhdimësi të çojë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave sa më shpejt që të jetë e mundur për Shqipërinë.
Në takim u fol edhe për rolin e Shqipërisë në marrëdhënie me vendet e tjera të rajonit, ku u vlerësua maksimalisht kontributi i vendit tonë për bashkëpunimin dhe ripajtimin mes popujve të rajonit.

Haxhinasto shprehu vlerësimin më të madh për rolin që ka luajtur ky Komision Parlamentar për promovimin e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për marrëdhëniet e Shqipërisë me Parlamentin Evropian dhe me Bashkimin Evropian, në përgjithësi.

“Folëm për situatën politike, ku gjëja për t’u nënvizuar është sidomos situata e re, një situatë e re e cila, me përpjekjet e përbashkëta të gjithë politikës shqiptare, do të konsolidohet më tej për të realizuar objektivat e saj kryesore për momentin, objektiva të cilat janë: realizimi i reformës zgjedhore, realizimi i reformës së procedurave parlamentare dhe adresimi i asaj pakete ligjore, e cila do të zbatojë 12 prioritetet e vëna përpara Shqipërisë nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Haxhinasto, duke shtuar se “në këtë takim kemi folur gjithashtu edhe për çështje të tjera, për situatën në rajon, për kontributin e Shqipërisë, rolin e saj konstruktiv në rajon dhe për çështje të tjera të reformave dhe të zgjerimit, që janë çështje të axhendës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian”.

Ndërsa Kukan theksoi se në takim u diskutua mbi situatën politike aktuale në Shqipëri dhe perspektivën e integrimit të mëtejshëm evropian të vendit.

“Anëtarët e Parlamentit Evropian vlerësuan situatën shumë pozitive, atmosferën pozitive mes dy partive politike dhe sinjalet shumë të mira që janë dhënë deri tani dhe shpresoj që kjo atmosferë të vazhdojë edhe më tej për çuarjen më tej të reformave. Dëshiroj t’ju inkurajoj që kjo situatë të vazhdojë, pra që të keni një kthesë me të vërtetë pozitive për të ardhmen e Shqipërisë. Ne vlerësojmë shumë rolin e Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal dhe vërtet duhet të vlerësohet për këtë rol. Është e rëndësishme që lidershipi politik shqiptar të fokusohet tani në integrimin evropian të Shqipërisë, që do të sjellë rezultate konkrete në të ardhmen”, deklaroi Kukan.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *