Home / Lajme / Maqedoni / Komuna thellësisht e interesuar për ndërtimin e ujësjellësit

Komuna thellësisht e interesuar për ndërtimin e ujësjellësit

23 dhjetor-Në qoftë se ministria lejon, që kontraktuesi të vazhdojë punët, komuna e Tetovës është e gatshme që menjëherë të aplikoj për këtë kredi në Bankën Evropian dhe të dedikoj këto mjete për ndërtimin e ujësjellësit në qytet, përkundër faktit që për ujësjellësin e Tetovës nuk janë paraparë të ndahen mjete nga buxheti i shtetit”, tha Pustina.

Komuna e Tetovës i është përgjigjur deklaratave të zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit në Tetovë. Zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakran Pustina, në mënyrë të argumentuar sqaroi në detaje problematikën e krijuar.
“Me 19 shkurt të vitit 2009, Komuna e Tetovës, ka marrë një njoftim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 55 milion denarësh nga buxheti i shtetit për ndërtimin e ujësjellësit. Sipas këtij njoftimi, komuna e Tetovës obligohej që për këto mjete të kryej procedurën e tenderimit dhe të lidh kontratë me ofertuesin më të volitshëm. Në bazë të kësaj, Komuna e Tetovës, në tërësi e ka kryer procesin e tenderimit dhe ka lidhur kontratë me ndërmarrjen për kryerjen e punëve për ndërtimin e ujësjellësit. Por, me 15 korrik të të njëjtit vit, nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve është lëshuar informatë se mjetet e parapara prej 55 milion denarësh zvogëlohen në 40 milion denarë për vitin 2009, prej të cilave ministria realizon vetëm 18 milionë e 41 mijë e 947 denarë. Ndërsa për vitin 2010 janë realizuar vetëm 8 milionë e 433 mijë e 655 denarë”, tha Pustina.

Në lidhje me deklaratat për shfrytëzimin e kredisë nga Banka Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim, zëdhënësi Pustina tha se “mjetet që përmendin zyrtarët e ministrisë së Transportit prej 1 milionë e 252 mijë e 598 euro, janë mjete të ndara komunës së Tetovës si mjete kreditore prej Bankës Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim për realizimin e projekteve infrastrukturore”.
Ai tha se mundësi për aplikim për kredi në Bankën e Evropiane për Investim kanë të gjitha komunat në Maqedoni.
“Por, është e çuditshme se vetëm komunës së Tetovës i sugjerohet nga ministria Transportit , që këto mjete kreditore t’i shfrytëzoj për ndërtimin e ujësjellësit. E gjithë kjo bëhet që të mos ndahen mjete për ujësjellësin nga buxheti i shtetit, ndërkohë që qeveria e ka për obligim të ndajë mjete sipas kontratës paraprake. Dëshirojmë që t’ua sqarojmë zyrtarëve të ministrisë së Transportit se diçka tjetër janë mjetet kreditore dhe krejtësisht diçka tjetër janë mjetet buxhetore për të cilat theksojmë se ka një kontratë paraprake për ndarjen e tyre”, tha Pustina.

Sipas tij, pavarësisht nga gjithë kjo situatë dhe ky diskriminim i skajshëm, kryetari i komunës së Tetovës, Prof .Dr. Sadi Bexheti, për të mirën e qytetarëve ka rënë dakord që këto mjete krediotore dhe jo buxhetore, t’i shfrytëzoj për ndërtimin e ujësjellësit.
“Por edhe pas kësaj ministria nxjerrë probleme të tjera, duke mos u pajtuar që kontraktuesi i njëjtë të vazhdoj punimet. Kërkojmë përgjigje nga ministria e Transportit dhe Lidhjeve, se çka duhet të bëjmë me kontraktuesin e punëve të ujësjellësit, me të cilin tashmë kemi të lidhur kontratë në bazë të udhëzimeve të ministrisë. Në qoftë se ministria lejon, që kontraktuesi të vazhdojë punët, komuna e Tetovës është e gatshme që menjëherë të aplikoj për këtë kredi në Bankën Evropian dhe të dedikoj këto mjete për ndërtimin e ujësjellësit në qytet, përkundër faktit që për ujësjellësin e Tetovës nuk janë paraparë të ndahen mjete nga buxheti i shtetit”, tha Pustina.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *