Home / Lajme / Rajon / Leka Zogu i I-rë përcillet për në banesën e fundit

Leka Zogu i I-rë përcillet për në banesën e fundit

3 dhjetor-Në përfundim të homazheve për pretendentin e Fronit mbretëror fjalën përmbyllëse e mbajti kryebashkiaku Luzim Basha i cili tha se pas shumë vitesh peripecish Leka Zogu do të prehet në tokën arbërore.

Kurora me lule, heshtje dhe pikëllim rrethuan të shtunën ceremoninë mortore të pretendentit të Fronit Mbretëror, Leka Zogu i I-rë, i cilësuar si figurë historike e shtetit shqiptar.
Trupi i pajetë i Leka Zogut, i vendosur paraditen e sotme në hollin e selisë së Kuvendit të Shqipërisë i mbuluar me flamurin kombëtar, u përcoll me respekt e nderime nga personalitetet e larta të shtetit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi , kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përfaqësues të komuniteteve fetare, artistë , trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, të afërm, qytetarë etj.
Në Ditën e lamtumirës së këtij personaliteti të historisë shqiptare ishin të shumtë ata që zhvilluan homazhe para trupit të atij, që u konsiderua “atdhetari i mençur, me humbjen e të cilit shqiptarët humbën një figurë të rëndësishme të historisë së tyre dhe kujtesës kombëtare”.
Në përfundim të homazheve për pretendentin e Fronit mbretëror fjalën përmbyllëse e mbajti kryebashkiaku Luzim Basha i cili tha se pas shumë vitesh peripecish Leka Zogu do të prehet në tokën arbërore.
“Jemi sot për t’u ndarë përgjithmonë nga Princi shqiptar, Leka Zogu i I-rë. Kurorën e Shqipërisë mbretëria nuk ja dha askujt, as Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu, të cilët nuk e negociuan kurrë kurorën mbretërore, duke e cilësuat si pronë të kombit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij, u preftë i qetë në tokën arbërore”, tha kryetari Basha.
Më pas trupi i pajetë i Leka Zogut sipas itinerarit të Protokollit të Shtetit dhe i shoqëruar nga autoritetet e larta të vendit do të përcillet në bulevardin “Zhan D’Ark”, për të vijuar më pas te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- sheshi Skënderbej për t’u drejtuar për në varrezat e Sharrës.
Pretendenti i Fronit Mbretëror shqiptar, Leka Zogu I, u nda nga jeta të mërkurën (30 nëntor) në moshën 72-vjeçare, pas një arresti kardiak, bëri të ditur familja mbretërore. Leka Zogu, i cili vuante prej kohësh nga shqetësime të rënda në zemër e mushkëri, ishte shtruar në një spital në Tiranë, që prej dy javësh.
Qeveria shqiptare me këtë rast e shpalli ditën e shtunë, ditë zie kombëtare dhe njoftoi se Leka Zogut do t’i rezervohej një ceremonial shtetëror me të gjitha nderimet që i takojnë.
Pretendenti i Fronit, pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga Shqipëria që kur kishte vetëm dy ditë jetë në prill të vitit 1939, shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të vitit 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat.
Por, sërish qëndrimi do të ishte shumë i shkurtër, as 24 orë, pasi u detyrua nga autoritetet e atëhershme të largohej, sepse pasaporta e tij mbretërore nuk i njihej zyrtarisht. Ai do të rikthehej në prill të vitit 1997. Në ato momente iu afrua realizimit të ëndrrës së monarkisë kur në zgjedhjet e qershorit të atij viti të trazuar mori një mbështetje të madhe.
Zyrtarisht, referendumi për monarkinë mori mbi 33 % të votave, por ai dhe mbështetësit e tij pretenduan për manipulim të rezultatit, duke organizuar dhe një protestë në Tiranë, e cila u mbyll me vrasjen e një prej pjesëmarrësve në manifestim. Leka Zogu do të akuzohej për kryengritje të armatosur. Pak ditë më pas ai do të largohej nga vendi. Rikthimi i tij përfundimtar, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri, do të bëhej 5 vite më vonë, në qershor të vitit 2002.LAJMESHQIP

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *