Home / Lajme / Maqedoni / Në pranga edhe 87 inkasantë

Në pranga edhe 87 inkasantë

1 dhjetor- Në kuadër të operacionit “Syri i Gjarprit”, policia të enjten ka realizuar aksionin e koduar “Kalldërma”, me të cilin janë vënë në pranga 87 persona dhe njëkohësisht kanë vazhduar masat për ndalimin e pesë të tjerëve. Bëhet fjalë për 92 persona të punësuar në ndërmarrjen publike “Makedonija pat”, të cilët sipas policisë, kanë përvetësuar rreth dy milionë euro

Dy vjet me radhë policia ka shtrirë “kalldërmën” për të ndaluar 92 persona që kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke përvetësuar rreth dy milionë euro. Policia, mëngjesin e së enjtes, ka ndërmarrë fazën finale të operacionit të koduar “Syri i Gjarprit”. Në kuadër të këtij operacioni, është zhvilluar aksioni i koduar “Kalldërma”, me të cilin të enjten janë vënë në pranga 87 persona dhe njëkohësisht kanë vazhduar masat për ndalimin e pesë të tjerëve. Bëhet fjalë për 92 persona të punësuar në ndërmarrjen publike “Makedonija pat”, pjesa më e madhe e të cilëve kanë punuar nëpër pikat për pagimin e taksave rrugore. Sipas të dhënave zyrtare, 89 nga personat që janë ndjekur me aksionin “Kalldërma” kanë qenë inkasant, njëri ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Sektorit të pagesave pranë ndërmarrjes “Makedonija pat”, tjetri ka qenë në postin e zëvendësudhëheqësit, ndërsa midis të ndjekurve, ka qenë edhe një ish punonjës i ndërmarrjes “Makedonija pat”. Kundër tyre rëndon akuza për shpërdorim detyre, vepër me të cilën ato kanë përvetësuar paratë e taksës rrugore, duke i shkaktuar buxhetit një dëm të përgjithshëm që arrin në 120 milionë denarë. “Hetimet që kanë nisur nga fillimi i vitit të kaluar kanë vërtetuar se organizatorë të grupit kanë qenë udhëheqësi i sektorit të pagesave dhe zëvendësi i tij. Ato kanë shpërdorur detyrën duke mos i ndërmarrë masat e duhura për ta kontrolluar punën e inkasantëve, duke ushtruar kontrolle formale dhe duke i mbrojtur inkasantët që kanë lëshuar kuponë tatimor fals, ose që nuk kanë dhënë kuponë, duke i përvetësuar paratë që është dashur të derdhen në arkën shtetërore. Dy organizatorët ose udhëheqësi dhe zëvendësi i tij, kanë pasur kontroll të plotë mbi punën e inkasantëve dhe me vetëdije, kanë shpërndarë inkasantë të grupit kriminal në pikat më të frekuentuara, përkatësisht në pikat e aksit rrugor Tabanocë-Gjevgjeli, Romanli, Sopot, Otovicë dhe Stobi”, tha ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, duke raportuar për aksionin e quajtur “Kalldërma”.KOHA.

Gjithashtu lexo

Kuvendi duhet të votojë për shkarkim të Zvërlevskit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet të mbajë vazhdime të tre seancave midis të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *