Home / Sport / Nga Zvicra te De Biazi, Cana tregon planet e 2012

Nga Zvicra te De Biazi, Cana tregon planet e 2012

Ylli i kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka mohuar zërat se ai mund të largohet gjatë afatit të janarit nga Lacio.Cana ka thënë se të gjitha ato që thuhen për një largim të tij nga “lacialët”, janë vetëm spekulime. “Ato janë vetëm spekulime. Unë do të vazhdoj të luaj në Lacio. Do të mundohem maksimalisht që të bëjë më të mirën për skuadrën time e cila ka objektiva të larta”, ka thënë mesfushori shqiptar. Mediat italiane ditë më parë kanë raportuar për një rikthim të Canës në Marsej. “Aktualisht jam në Lacio, por nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të kthehem në Marsje, sepse është klubi ku kam kaluar ditët më të mira”, ka thënë ai.

Mesfushori kosovar, Lorik Cana, pret që viti 2012 të jetë shumë më ndryshe se ky që po lë pas. Ai shpreson që telashet e këtij viti të mos e ndjekin edhe sezonin e ardhshëm. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ndodhet për vizitë në Kosovë, ndërkohë që pas kthimit në Itali, për pjesën e dytë të kampionatit, ai shpreson që të bëhet i pazëvendësueshëm te Lacio.

“Si ekip jemi duke shkuar mirë, pasi jemi në mesin e skuadrave më të forta në tabelë”, ka thënë Cana, pak pasi mori mirënjohje të veçantë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Cana, tashmë 28-vjeçar, u transferua te Lacio gjatë verës nga gjiganti turk Galatasaraj. Ai ka shënuar një gol me fanelën bardhekaltër gjatë fazës së parë të sezonit, ndërsa ka zhvilluar edhe gjashtë ndeshje në Europa Ligë. “Ne jemi ende në garë për Kupën e Italisë, po ashtu në Evropa Ligë do të ndeshemi kundër Atletiko Madridit. Unë jam duke u aktivizuar dhe shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë”, ka shtuar ai. Lorik Cana, ka folur edhe për ndeshjen eliminatore kundër Zvicrës si edhe për emërimin e Xhani De Biazit si trajner i ri i kombëtares. Për të, ndeshja eliminatore për Botërorin 2014 kundër Zvicrës do të jetë e veçantë, por jo pse tek ekipi “helvetik” luajnë pesë shqiptarë.

Cana ka arsye të tjera. “Unë veçoj këtë ndeshje jo për faktin se aty luajnë shumë shqiptarë, por sepse stadiumi do të mbushet me plot shqiptarë. Pastaj, unë jam rritur në Zvicër dhe debutimi im zyrtar me ekipin kombëtar është bërë po në Zvicër, në një ndeshje ku kishte plot 15 mijë tifozë”, ka thënë Cana. Kapiteni i kombëtares e ka vlerësuar të vështirë grupin e Shqipërisë ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Qiproja, Sllovenia e Islanda, por ai ka besim në punën e trajnerit të ri De Biazi. “Ne do ta kryejmë punën tonë për t’ia lehtësuar punën atij. Cilësia e futbollit italian është në nivel të lartë dhe sigurisht që do të takohem me trajnerin dhe të bisedojmë rreth bashkëpunimit për të ardhmen e Kombëtares”, ka thënë Cana.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *