Home / Lajme / Maqedoni / Rama, Thaçi dhe Ahmeti i shkëmbyen librat

Rama, Thaçi dhe Ahmeti i shkëmbyen librat

5 dhjetor-Rama ka shkëmbyer librat me liderin e BDI-së, Ahmetin dhe atë të PDSH-së, Thaçin, ndërsa çështje që kanë të bëjnë me perspektivat evropiane të shqiptarëve, sikurse edhe intensifikimi i bashkëpunimit të mëtejmë kanë qenë temat boshte të këtyre takimeve

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, të hënën ka realizuar takime të ndara me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe atë të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçin. Çështje që kanë të bëjnë me perspektivat evropiane të shqiptarëve, sikurse edhe intensifikimi i bashkëpunimit të mëtejmë kanë qenë temat boshte të këtyre takimeve. Pas takimit me kreun e BDI-së, Rama tha se kishte një takim me mikun e dashur Ali Ahmetin, me të cilin tha se kanë biseduar për Shqipërinë, Maqedoninë, marrëdhëniet mes partive, por edhe mbi librat, të cilat edhe i kanë shkëmbyer me shumë kënaqësi.

“Unë kam konsideratën e lartë për Ali Ahmetin si një pikë referimi e të gjithë shqiptarëve edhe e jona në Shqipëri, kur është fjala për këtë pjesë të territorit, për kurajën, integritetin, vizonin që e gëzon por sipas meje posaçërisht edhe durimin në përballimin e të gjitha proceseve”, tha Rama. Ai më tej ka shtuar se Partia Socialiste dhe opozita shqiptare në tërësi e ndjen të nevojshme rritjen e pranisë dhe rritjen e komunikimit me të gjithë faktorët shqiptarë në rajon për të dhënë një kontribut të plotë nga ana e Shqipërisë zyrtare. Edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, shprehu kënaqësi për takimin me kreun e Partisë Socialiste.

“U diskutuan temat për rrugëtimet e përbashkëta që neve na presin në të ardhmen qoftë si shtet, qoftë si parti politike me influencë tek shqiptarët. Kemi folur për situatën politike në Maqedoni. E njoftova zotin Rama për proceset në Republikën e Maqedonisë, marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit, të arriturat e përbashkëta si dhe të arriturat e Republikës së Maqedonisë, në veçanti duke vlerësuar përparimin e Marrëveshjes së Ohrit, sidomos për interpretimin autentik të Ligjit të amnistisë, për rastet e Hagës, si një moment shumë i rëndësishëm që prodhon stabilitet dhe rrit besimin në mes dy komuniteteve më të mëdha. Biseduam për rregullimin e çështjeve të simboleve kombëtare, avancimin e gjuhës por edhe programin e përbashkët që partnerët që marrin përgjegjësi për të qeverisur vendin”, tha Ahmeti. Kreu o socialistëve është takuar edhe me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi.

Të dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer librat e tyre, ndërsa janë shprehur të gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.“Jam i bindur se këto marrëdhënie duhet të intensifikohen dhe rrugët e komunikimit duhet të shtohen me një kontakt të vazhdueshëm pasi dua të rikonfirmoj se Partia Socialiste e ndjen të domosdoshme të ketë një prani dhe një komunikim më intensiv me gjithë faktorët shqiptarë në rajon për të dhënë mbështetje edhe më të madhe për të gjitha çështjet e hapura dhe për çuar përpara proceset e integrimit dhe për t’u bërë pjesë e familjeve evropiane dhe për të mësuar nga eksperiencat e njëri tjetrit”, tha Rama pas takimit me Thaçin. Nga ana tjetër kreu i PDSH-së është shprehur se partia që ai drejton është konstruktive por dita ditës ky konstruktivitet nuk gjen hapësirë.

“Është nder dhe kënaqësi të takosh liderin e Partisë Socialiste. Është parti me ndikim edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, por edhe në rajon. Biseduam për çështje të brendshme të shqiptarëve të Maqedonisë, mundësinë e bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare drejt një qëllimi madhor – integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Sigurisht se do të vazhdojnë kontaktet. Ne kemi nevojë për kontakte të këtilla edhe pse të dy partitë jemi më të vjetra, njëra në Shqipëri dhe tjetra në Maqedoni dhe me më shumë eksperiencë. Sigurisht se pata mundësi që vet zoti Rama të ma dorëzojë librin dhe e garantoj se do ta lexoj, nuk jam nga ata që nuk i lexojnë librat dhe do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim”, ka thënë Thaçi. Ai më tej ka shtuar se ka pasur momente kur ai ka dhënë vlerësimet e veta. “I thash zotit Rama, se mundohem të jem konstruktiv edhe si parti, por hapësira e konstruktivitetit në Maqedoni zvogëlohet dita-ditës nga politika tejet rigjide dhe arrogante që ka Qeveria e Maqedonisë”, ka thënë Thaçi, pas takimit

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *