Home / Sport / Shkëndija, Super Kampione

Shkëndija, Super Kampione

Shkëndija ka fituar edicionin e 12-të të turneut tradicional ‘Super Kupa mbarëkombëtare’, pasi në finalen e madhe fituan me rezultat 3:2 Studentin e Tiranës. Vendi i tretë i takoi ekipit të Besës nga Peja e Kosovës, të cilët në ‘finalen e vogël’ mundën 3:0 Lirinë e Zherovjanit. Epiteti i volejbollistit më të mirë të këtij turneu i takoi anëtarit të Shkëndijës, Naim Abazit. Për Shkëndijën kjo ishte hera e tretë me rradhë që fiton ‘Super Kupën mbarëkombëtare’, ndërsa kjo ishte hera e parë që ky turne u organizua në Tetovë.

Klubi i Volejbollit Shkëndija nga Tetova ka fituar edicionin e 12-të të turneut tradicional ‘Super Kupa mbarëkombëtare’, që për herë të parë këtë vit u zhvillua në Tetovë. Ky turne organizohet nga volejbolli shqiptar i të gjitha trojeve, që në një farë mënyre nënkupton një kampionat jozyrtar të shqiptarëve të të gjitha trojeve, të cilat në këtë eveniment prezantohen përmes ekipeve më të suksesshme në kampionatet repsektive. Kështu këtë vit, përveç skuadrës organizatore, Shkëndijës së Tetovës e cila është fituese e kampionatit dhe Kupës së Maqedonisë, morën pjesë edhe Liria e Zherovjanit, pastaj Besa e Pejës që është kampione e Kosovës dhe Studenti i Tiranës që është fitues i Kupës së Shqipërisë. Garat në këtë turne nisën nga faza gjysmëfinale ku Shkëndija u përball me Lirinë, ndërsa Studendi u ndesh me Besën. Në gjysmëfinalen e parë Shkëndija mundi Lirinë me rezultatin 3:0, duke avansuar në finale, ku do të takohej me Studentin e Tiranës, pasi këta të fundit në gjysmëfinale mundën 3:0 Besën, në një ndeshje shumë kualitative dhe cilësore, ku tiranasit fituan ndoshta edhe me ndihmë të fatit sportiv. Në ditën finale, Besa e Pejës mundi Lirinë me rezultat 3:0 në duelin për vendin e tretë, në një ndeshje interesante, ku Pejanët përsëri treguan cilësi të kënaqshme, ndërsa Liria u paraqit me formacion jokomplet, pasi kishin obligime në kampionat. Përballja finale mes Shkëndijës dhe Studentit e arsyetoi epitetin e një deri të madh mbarëkombëtar, pasi solli volejboll të shkëlqyeshëm që kënaqi të pranishmit në palestër. Shkëndija fitoi trofeun e këtij turneu, duke mundur Studentin në një përballje maratonike, me rezultat të ngushtë 3:2 në sete. Tetovarët avansuan 1:0, pasi fituan setin e parë me rezultat 25:19, mirëpo tiranasit u përgjigjën në setin e dytë duke barazuar në 1:1 pasi fituan 25:22. Shkëndija avansoi 2:1 pasi mori setin e tretë me rezultat 25:21, ndërsa në setin e katërt u duk se tetovarët do të mbyllin ndeshjen me fitore 3:1, mirëpo në momentet vendimtare, në rezultat 24:23, Adriatik Kajtazi humbi një pikë vendimtare, ndërsa më vonë Studenti përmbysi rezultatin dhe mori setin me rezultat 27:25 duke barazuar në 2:2 në sete. Në setin e pestë dhe vendimtarë Shkëndija hyri shumë më e koncentruar dhe me shpejtësi avansoi 5:0. Vendasit vazhduan të dominojnë lojën dhe në fund mbyllën setin me rezultat 15:4, duke fituar ndeshjen me rezultatin 3:2 dhe duke rëmbyer trofeun e ‘Super Kupës mbarëkombëtare’. Pas përfundimit të garave organizatorët ndanë mirënjohje dhe trofe për skuadrat pjesëmarëse. Liria e Zherovjanit u rendit e katërta dhe mori mirënjohje për pjesëmarjen në këtë turne. Besa e Pejës zuri vendin e tre dhe meritoi duartrokitjet e publikut tetovar, të cilët vlerësuan paraqitjen e tyre. Studenti i Tiranës u rendit në vendin e dytë ndërsa konfirmoi se pas Shkëndijës është ndoshta ekipi më cilësor në trojet shqiptare. Ndërkohë Shkëndija për herë të tretë me rradhë, mundi në finale Studentin dhe u shpall fituese e ‘Super Kupës mbarëkombëtare’. Ndërkohë në bazë të vlerësimit profesional të gazetarëve të pranishëm në këtë eveniment, volejbollist më i mirë i këtij turneu u shpall anëtari i Shkëndijës së Tetovës Naim Abazi. ‘Është kënaqësi e madhe që fituam këtë turne dhe unë jam shumë i lumtur për këtë fakt. Ndërsa sa i përket çmimit që mu nda mua si sportist më i mirë i turenut normal që më bën krenar, por mendoj se më me rëndësi ishte fakti që fituam vendin e parë. Unë nuk kam qenë në nivelin më të mirë të përgatitjes fizike, gjithsesi dhash maksimumin dhe ndoshta kjo ka ndikuar që të zgjidhem si më i mirë. Falemenderoj gazetarët për këtë vendim’, u shpreh Abazi.
Pas përfundimit të turneut trajneri i skuadrës së Besës, Xhevat Buqani u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në këtë turne. ‘Dalim të kënaqur nga ky turne që solli kualitet të lartë. Ne skuadrat kosovarë ndoshta kemi përvojë më të vogël në gara të këtilla dhe për këtë edhe nuk arritëm në finale. Si do që të jetë jam i kënaqur me paraqitjet e ekipit dhe falemenderoj organizatorët për mikëpritjen’, u shpreh trajneri i Besës, Xhevat Buqani. Ndërkohë organizimin e këtij edicioni të ‘Super Kupës mbarëkombëtare’ e vlerësoi lartë edhe trajneri i Studentit të Tiranës, Ylli Tomori. ‘Turne i shkëlqyeshëm me kualitet të lartë. Shkëndija konfirmoi se me meritë ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Maqedonisë, duke në përfaqësuar denjësisht të githë shqiptarëve anembanë. Ne provuam në finale të kundërvihemi në maksimumin tonë, por Shkëndija me meritë mori fitoren. Këta organizime tek e fundit bëhen për t’i shërbyer edukimit të përgjithshëm dhe bashkimit tonë, kështu që ne mbesim të kënaqur nga ky turne’, tha Tomori. Ndërkohë trajneri i Shkëndijës Durim Luma me plotë të drejtë ishte i kënaqur me fitoren e Shkëndijës, e cila në këtë vit garues triumfoi në të gjitha garat ku mori pjesë. ‘Unë në këto momente jam njeriu më i lumtur pasi arritëm të rrëmbejmë këtë trofe, i cili na bën të jemi skuadra që kemi fituar të gjitha kompeticionet ku kemi garuar. Për të tretën herë me rradhë mundim Studentin në finale dhe kjo në bën të ndjehmi krenar. Uroj gjithë pjesëmarësit për cilësinë dhe kulturën që treguan, ndërsa shpreoj të kenë mbetur të kënaqur me mikëpritjen dhe organizimin tonë. Falemenderoj edhe mjetet e informimit pa mbështetjen e të cilëve nuk do të kishim mundur të jemi në këtë nivel’, deklaroi pas mbylljes së turneut, trajneri i Shkëndijës, Durim Luma. Në fund të githë pjesëmarësit u ndanë të kënaqur me organizimin dhe kualitetin që treguan skuadrat në këtë turne. Organizatorët pas përfundimit të turneut shtruan një darkë të përbashkët ku morën pjesë të gjitha skuadrat pjesëmarëse, përfaqësues të mediave dhe puntorë të ndryshëm sportive. Në këtë mënyrë u lëshua sipari i edicionit të 12-të të ‘Super Kupës mbarëkombëtare’. Për Shkëndijën kjo ishte hera e tretë me rradhë që fiton këtë eventiment, ndërsa kjo ishte hera e parë që ky turne u organizua në Tetovë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *