Home / Lajme / Maqedoni / Shkolla e Merovës ende në gërmadha

Shkolla e Merovës ende në gërmadha

25 dhjetor-Drejtori i SHF “Vaso Pasha” beson se objekti i shkollës periferike në Merovë do të jetë gati në shtator. Shkolla u dogj para nëntë muajve, e sikurse thotë përgjegjësi komunal i arsimit, Saubi Avziu, nuk janë larguar as mbetjet e djegies. Në MASH e refuzuan projektin e parë prej 200.000 euro dhe kanë premtuar se do të ndërtojnë një godinë prej 100.000

Nuk është vënë qoftë edhe një guri i vetëm për ndërtimin e shkollës “Vaso Pasha” në fshatin Merovë të Tetovës. Gjithçka ka mbetur në pikën e 16 shkurtit të vitit 2011, ditën kur kjo shkollë periferike në Komunën e Zhelinës u përfshi nga flakët.

“Nuk janë larguar madje as mbetjet e djegies”, thotë Saubi Avziu, përgjegjësi për arsim në këtë komunë e, sipas të cilit, gjithë menaxhimi i situatës deri tani ka rënduar mbi komunën dhe drejtuesit e shkollës. “Nga ana jonë është bërë gjithçka ishte e nevojshme dhe presim që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të bëjë pjesën e vet të punës, pra të fillon ndërtimin e objektit”, shprehet ai. Rreth 150 nxënës të kësaj shkolle u desh të mbyllin vitin e shkuar në ambientet e një shtëpie private, ku gjithashtu do të përfundojnë edhe vitin shkollor 2010/2011. Drejtori i shkollës, Nuredin Ismaili është optimist se prej 1 shtatorit të vitit 2012, nxënësit e Merovës do të kenë objektin e ri, mirëpo në nëntë muajt e pas djegies së shkollës, MASH nuk ndau asnjë denar për ndërtimin e kësaj shkolle.

“Na kanë premtuar se kjo shkollë do të jetë në buxhetin investimeve kapitale të MASHit për vitin tjetër”, thotë drejtori Ismaili, i cili pret që maksimumi i mjeteve që do të ndajë MASH-i për këtë qëllim, të mos jetë më të larta se 120 mijë euro. Në MASH nuk arritëm të sigurojmë informacion se deri ku janë punët përgatitore për ndërtimin e një shkolle në fshatin Merovë, mirëpo ka shumë të ngjarë që ato të jenë prolonguar për shkak të mosmiratimit të projektit të parë.

“Ne dërguam në MASH një projekt për ndërtimin e shkollës, i cili kapte vlerën e 200.000 eurove, mirëpo i njëjti nuk u miratua me arsyetimin se në Merovë, nuk ka nevojë për një shkollë aq të madhe”, tregon drejtori. “Në MASH na premtuan se do të na ndajnë buxhet prej 100.000 deri në 120.000 euro”, pohon ai, ndërsa thotë se tanimë është dorëzuar në MASH edhe projekti tjetër, më i vogël, respektivisht me buxhet dhe hapësirë të reduktuar. Sipas këtij projekti, objekti i ri do të ketë shtatë mësonjëtore dhe një kabinet, kurse projekti i parë ishte për disa klasë më i madh. Mirëpo, edhe me shtatë klasë të miratuara nga MASHi, objekti do të plotësojë nevojat e nxënësve të Merovës, deklaron Ismaili. “Nëse punët shkojnë si duhet dhe nuk bëhen pengesa procedurale, shkolla do të ndërtohet për tre muaj, duke nisur punimet në pranverë. Në Merovë nuk ka asnjë problem. Askush nuk do të pengojë punimet, vendi është gjetur, komuna ka dhënë leje, pra çdo gjë është gati”, shprehet drejtori i shkollës “Vaso Pasha”, me qendër në fshatin Grupçin. Nxënësit e pesë paraleleve, nga e para në të pestën, mësojnë në hapësirat e adaptuara të një shtëpie private. “Për 130 metra katrorë në dispozicion, të zotit të shtëpisë i janë paguar 2000 euro në këmbim të qirasë, për një vit”.

Shtëpia, plotëson më tej Ismaili, është marrë në qira prej shtatorit të këtij viti deri shtatorin e vitit të ardhshëm. Kushtet në shtëpi, padiskutim se janë më të mira se në shkollën e vjetër, e cila ishte e tipit barakë dhe e ndërtuar në vitin 1978. Të hollat për qiranë janë ndarë nga Komuna e Zhelinës, thotë përgjegjësi arsimor, Avziu, ndërsa nënvizon se MASH-i nuk i ka ndarë komunës as një denarë më tepër, me dedikim qiranë për nxënësit e Merovës. “Këto mjete i kemi siguruar prej buxhetit që na ndahet për mirëmbajtjen e të gjitha shkollave në Komunën e Zhelinës. Ne, duke mos pasur zgjidhje tjetër, kemi shkurtuar nga pak buxhetin që do t’jua ndanim të gjitha shkollave veç e veç dhe me mjetet e grumbulluara, mbulojmë shpenzimet e qirasë”, tregon Avziu. Ai, nuk është edhe shumë optimist se objekti i ri do të jetë gati. “Uroj të ndodhë kështu, por pak e vështirë”, shprehet ai.KOHA

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *