Home / Lajme / Maqedoni / Disidenti i palodhur i arsimit shqip

Disidenti i palodhur i arsimit shqip

9 janar-Edhe pse ishte autor i Gramatikës shqipe për klasat e 8-ta të fillores, pushteti jugosllav nuk ia njihte këtë të drejtë, pasi më parë kishte qenë i ndjekur dhe kishte vuajtur dënim për aktivitete kombëtare. Megjithatë, Hysni Abdullahu, në rajonin e Pollogut vazhdon të kujtohet si sinonim i dijes dhe aktiviteteve kombëtare

Në kohën e ish sistemit Jugosllav, veprimtaria për përhapjen e dijes ishte e ndërlidhur me aktivitet patriotike. Dhe një figurë e këtillë padyshim ishte edhe Hysni Abdullai, autor i Gramatikës shqipe për klasat e 8-ta në shkollat fillore. Edhe pse autor i këtij libri, pushteti jugosllav dhe ai në Shkup, në fillim të viteve të 80-ta, nuk e pranojnë emrin e tij, madje as si bashkautor, por vetëm si konsulentë teknik. Ai i “pengonte” pushtetit të atëhershëm dhe ishte halë në sy. I lindur në vitin 1927 në fshatin Sllatinë nga një familje me tradita arsimore, Hysni Abdullai, do të jetë udhërrëfyes për shumë gjenerata. Ai ishte fëmija i parë i Osman Abdullaut, një atdhetari të shquar të kohës, i cili njihej edhe si Mulla Osmanit dhe ishte hoxhë me profesion. Osmani kishte kryer Fakultetin Teologjik Shtetëror në Stamboll, ndërsa ka qenë anëtar aktiv në Shoqërinë shqiptare të Stambollit, e cila shtypte dhe shpërndante “Abetaren” shqiptare anembanë viseve shqiptare. Asokohe Osman Abdullai ishte angazhuar për rajonin e Tetovës dhe më gjerë që të shpërndante Abetaren shqipe. Familja Abdullai sot rishfaq kujtimet e të parëve të tyre të cilët brez pas brezi ruajtën frymën e arsimit dhe të patriotizmit në këto vise. Në kohën e largimit të regjimit të quajtur “Serbi i parë”, togeri serb në largim e sipër nga ky fshat thotë se do të vret dy persona, edhe atë: Sulën e Metës dhe Mulla Osmanin, pasi që siç thonë sllatinasit, togeri serb nuk mund të duronte krenarinë e tyre.
Rrugëtimin e të atit të tij do ta ndjek edhe djali Hysni Abdullai, ndërsa vepra nuk ngeli nën hije, pasi që më herët Këshilli Komunal i Tetovës e ka nderuar për kontributin e dhënë në sferën e arsimit, kurse më vonë edhe Komuna e Tearcës do t’i ndajë mirënjohje. Në mungesë të shkollës shqipe në Sllatinë të Tetovës, ai vijon mësimet në shkollën e fshatit Leshkë, në gjuhën serbe ku për katër vjet do të tregojë aftësi në shumë lëndë mësimore. Pas katër vitesh mësim në këtë fshat do të vijon mësimet në Gjimnazin real në Tetovë, ndërsa mësimet në shkollën e mesme do t’i ndjek në Prishtinë në gjimnazin e njohur “Sami Frashëri”. Këtu kishte fatin të njihet me shumë veprimtarë të çështjes kombëtare dhe do të vendos lidhje edhe me personalitete nga Shqipëria, të cilët në atë kohë ndihmonin arsimin shqip në Kosovë dhe Maqedoni. Drejtor i Gjimnazit të Prishtinës në atë kohë ka qenë Vasil Antoni, i cili shquhej për aftësitë e tija të jashtëzakonshme në shumë lëndë, dhe pikërisht nën drejtimin e tij, në këtë gjimnaz për herë të parë mbahen edhe testet nëpër lëndë të ndryshme. Gjendja e vështirë financiare e djaloshit të ri tetovar, ndikoi që paralelisht të punonte edhe si fotograf në një studio në Prishtinë. Në vitin 1944 do të përfundojë gjimnazin dhe do të kthehet në fshatin e tij të lindjes. Duke parë gjendjen e vështirë të popullatës dhe mungesën e shkollës, Hysniu do të merr mbi vete një barrë shumë të rëndë, të përhapte shkrim-leximin. Amaneti i të parëve nuk duhet harruar dhe tani flamurin e atdhedashurisë do ta marrin gjeneratat e reja, e në veçanti dy veteranët e arsimit shqip në këto treva: Hysni Abdullai dhe Sejdi Idrizi, të cilët janë mësuesit e parë në Sllatinë. Veprimtaria patriotike e këtyre dy pishtarëve të arsimit është e bujshme dhe kjo veprimtari do të bjerrë në sytë e pushtetit komunist dhe do të burgosen. Fillimisht, në vitin 1945, Hysni Abdullai do të çel shkollën e parë apo mësonjtoren në fshatin e lindjes, që kishte qenë edhe ëndërr e tij. Shkolla do të hapet në qendër të fshatit, ndërsa mësimi do të ndiqet në tre ndërrime. Sipas rrëfimit të djalit të tij, Luan Abdullai, Hysniu në këtë shkollë në ndërrimin e parë mësimin do ta mbajë me nxënësit e rregullt, në mesditë me nxënësit mbi 15 vjet, kurse në orët e mbrëmjes do t`ju mësojë shkrim-leximin më të moshuarve. Në vitin 1947 Hysni Abdullai do të shkojë të kryej shërbimin ushtarak, ndërsa vendin e tij do ta merr Sejdi Idrizi, që sapo kishte kryer shkollimin. Pasi kishte lënë një zëvendësues të denjë dhe bashkëmendimtar të fuqishëm në shkollën e fshatit në Sllatinë, në vitin 1952 punësohet në shkollën e mesme në fshatin tjetër fqinj-Tearcë. Paralelisht me aktivitetin e tij në sferën e arsimit, Hysni Abdullai në mënyrë të fshehur ishte bërë pjesë e organizatës patriotike “Liria”, që kishte një program kombëtar dhe ishte vazhdimësi e organizatës së NDSH-së, që në program kishte bashkimin kombëtar. Ai ishte angazhuar në përhapjen e kombtarizmit në viset e Komunës së Tearcës, ndërsa bashkëvepronte me Sadudin Gjurën, Rufat Palloshin, Vehap Lushin, Sherif Kazazin, Ismail Seitin, Jonuz Ballën dhe të tjerë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ku përfundoi shkollën e mesme, në pamundësi që menjëherë të kthehet në vendlindje për shkak se ky territor i takonte Bullgarisë, ai gjatë kohës së pushimeve do të shkojë në Kavajë, në internatin e shkollës së mesme bujqësore, ku do të aftësohet me njohuri të shumta në sfera të ndryshme. Atje pajiset me pasaportë të Shqipërisë. Gjatë qëndrimeve të tija në Shqipëri për tre vite me radhë, do të merr mësimet e edukatorëve më të mirë të kohës dhe përvojën e atjeshme do ta sjellë edhe në shkollat ku punoi më pas në Tetovë. Në atë kohë Sllatina ishte nën okupim të Bullgarisë, kurse kufiri me Shqipërinë e atëhershme ishte në fshatin fqinj Neproshten, kështu që vajtje-ardhjet në Tetovë i bënte ilegalisht. Më herët ai ishte caktuar nga krerët e organizatës “Liria” që të formon grupin në rajonin e Tearcës, ndërsa për bashkëpunëtorë kishte Idriz Esatin dhe Sali Kasamin. Hysni Abdullahu poashtu nga shteti shqiptar ishte caktuar që të jetë edhe sekretar komune.
Në vitin 1952 thirret që të merr pjesë në mbledhje, ndërsa kapet nga policia dhe arrestohet. Dënohet me 3 vjet heqje lirie. Në aktakuzën e tij të atëhershme qëndron se bëhet fjalë për një aktivist të organizatës “Liria”, dhe pushteti Jugosllav e akuzonte si të përfshirë në aktivitete me Sadudin Gjurën. “Gjatë muajit gusht të vitit 1946 formohet organizata terroriste –spiunuese me të vetmin qëllim që të punojë për organizimin e masave shqiptare në Maqedoninë Perëndimore për luftë të armatosur kundër rendit ekzistues e shoqëroro-ekonomik në RPFJ dhe shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore dhe bashkëngjitjen e saj me Shqipërinë dhe funksionimin e Shqipërisë së Madhe sipas modelit demokratik kapitalist perënimor”. Kështu qëndron në arsyetimin e aktakuzës së Gjykatës së Qarkut në Gostivar ndaj të burgosurve të organizatës “Liria”. Në të gjitha akuzat ndaj tij qëndron se ka qenë njëri ndër më aktivët në këtë organizatë. Në vitin 1952 dënohet me tre vjet burg të cilin e vuan në Idrizovë, kurse bashkëmendimtari dhe bashkëveprimtar tjetër Sejdi Idrizi do të burgoset në vitin 1955 bashkë me Ismail Spahiun nga Tetova. Pas daljes nga burgu, ai do ta ketë vështirë që të punësohet për shkak se kishte qenë i dënuar për veprimtari antishtetërore. Kur në ish-Jugosllavi bie nga pushteti Rankoviqi, fillon një “liberalizim” dhe në mungesë të kuadrit të arsimtarëve, punësohet dhe kthehet sërish me punë në Gjimnazin e Tearcës, ku do të mbajë disa lëndë. Për shkak se te nxënësit maqedonas mungonte kuadri arsimor, ai angazhohet edhe te ata, duke u dhënë lëndën e gjuhës serbe dhe fizikë. Miqtë e tij më pas i sugjerojnë që të vijojë mësimet në Akademinë Pedagogjike në Shkup, të cilën e kryen në vitin 1965. Më pas punësohet në shkollën e fshatit Sllatinë, ku do të punon deri në pensionim në vitin 1985. Në vitin 1981/82 angazhohet nga gjuhëtari Remzi Nesimi që të përpilojë Gramatikën e gjuhës shqipe për klasat e teta, të cilën e punon me mjeshtëri të rrallë.
Edhe pas vuajtjes së dënimit, këta dy pishtarë të arsimit nuk do ta ndërpresin veprimtarinë e tyre, por tani në forma tjera, duke punuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare te gjeneratat e reja. Duke pasur parasysh se pa shkollim dhe arsimim të një populli nuk ka përparim, ata do të jenë iniciues për ndërtimin e shkollës në Sllatinë më vitin 1974, pasi fëmijët e Sllatinës deri në këtë kohë e ndiqnin mësimin në Leshkë dhe Tearcë. Veterani dhe patrioti Hysni Abdullahu ndërroi jetë më 12 tetor të vitit 1997, në moshën 70 vjeçare, kurse veprat e tij vazhdojnë të trashëgohen si amanet për gjeneratat e reja.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *