Home / Lajme / Maqedoni / Familja e Telit kërkon lëmoshë

Familja e Telit kërkon lëmoshë

9 janar-Bashkëshortja e Komandant Telit, Rabija me dy fëmijët – djalin Letjani dhe vajzën Rexhina, këto ditë po qëndrojnë në Maqedoni duke kërkuar lëmoshë për tejkalimin e situatës së rëndë në familjen e tyre – mungesën e vendbanimit. Që nga korriku i vitit të kaluar, fëmijët dhe bashkëshortja e Komandant Telit nga Nishova e Skraparit kanë ngelur edhe pa strehë mbi kokë

Të gjendur në një situatë të palakmueshme dhe të vështirë, pa mbështetja nga askush, familja e dëshmorit Lefter Goxhaj i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si Komandant Teli, kanë zgjatur dorën e lëmoshës. Me muaj të tërë, fëmijët dhe bashkëshortja e komandant Telit nga Poliçani i Beratit, kanë ngelur edhe pa strehë mbi kokë. Pasi ishin larguar nga banesa ku kishin jetuar prej vitesh në Tiranë, familja e Komandant Telit vazhdon të endet rrugëve pa pasur një adresë banimi.

“Kemi mbetur të pastrehë dhe pa asnjë ndihmë ekonomike. Që nga muaj korrik i vitit të kaluar, ne po jetojmë nëpër shtëpitë e Botës me qira dhe vetëm për arsye të fëmijëve që duhet shkolluar. Aq më tepër kur djali është me probleme shëndetësore – nuk dëgjon dhe nuk flet mirë. Jam e detyruar që ta dërgojë me një shkollë private që është speciale për fëmijë me të meta. Është e pamundur të jetojë diku tjetër. Ne në vitin 2003 u vendosëm në një banesë në Tiranë, duke e ditur që ajo banesë ishte e jona. Prej tetë vitesh, ne jetuam aty në atë banesë ku dhe u rritën fëmijët. Dhe siç e përmenda, në korrik të vitit 2011 u detyruam që të dalim nga ajo shtëpi. Ka qenë një moment shumë i vështirë që do të dilnim nga shtëpia”, potencon Rabije Myrta, bashkëshortja e Komandant Telit.

Përveç hallit për të siguruar kulm mbi kokë, familja e dëshmorit Lefter Goxhaj ballafaqohet edhe me shumë probleme dhe sfida të tjera. Djali i tij, Letjani që nga lindja ka lindur me të meta, kurse bashkshortja ka pësuar probleme shëndetësore pikërisht në momentet e largimit nga shtëpia.

“Djali ka pasur probleme me dëgjimin qysh kur ka qenë i vogël, nervin e dëgjimit e ka të dobët dhe të dëmtuar. Vazhdon të mbajë aparatin e dëgjimit. Po ashtu, edhe në të folurit ka probleme. Me ndihmën e njerëzve human, kur ishte 4 vjeç, e dërguam në Zvicër, i kemi bërë një kontroll atje ku dhe i vendosën aparatin e dëgjimit. Por prapë ka probleme me dëgjimin, ka dhembje koke, ka stres, me një fjalë ai fëmijë do përkushtim”, thotë Rabija, bashkëshortja e Komandant Telit. Edhe për këtë rast, por edhe për raste të tjera, sipas dëshmisë së saj, mbështetja institucionale ka munguar për familjen e Komandant Telit. I vetmi që u është gjendur pranë, pas largimit nga banesa në Tiranë, ka qenë kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi. Ky i fundit, për disa muaj me radhë ka vazhduar të paguajë qiranë e shtëpisë ku aktualisht është e vendosur familja e Komandant Telit. I është premtuar mbështetje nga Qeveria e Kosovës, por deri tash ende nuk është zyrtarizuar asgjë. “Edhe Qeveria e Shqipërisë, ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë, deri tash nuk na janë gjendur pranë. Na janë gjendur një pjesë e shokëve të Telit që kanë pasur dëshirë të ndihmojnë familjen e tij”, thotë ajo. Bashkëshortja e Telit, Rabija bashkë me dy fëmijët, djali Letjanin dhe vajzën Rexhinën, këto ditë qëndrojnë në Maqedoni. Janë duke kërkuar lëmoshë për tejkalimin e situatës së re të krijuar në familjen e tyre – mungesën e vendbanimit.

“U drejtohem atyre burrave të luftës, e në veçanti atyre që kanë përjetuar çaste të vështira, që e dinë se çka është lufta, që e dinë se çka është dhembja, që e dinë dhe e mendojnë më shumë se të tjerët kur mbetesh dhe rritesh jetim, që të kthejnë kokën nga ne, me ato pak mundësi që kanë – të na ndihmojnë që edhe ne të kemi një kulm mbi kokë, që edhe fëmijët e Telit të kenë një shtëpi të tyren dhe që mos të trokas nëpër derë të huaja. Që të rriten dhe shkollohen si gjithë fëmijët e tjerë”, thotë e përlotur Rabija.

Lefter Goxhaj, i njohur në luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë si Komandant Teli, është i lindur në fshatin Nishan të Skraparit. Ishte pjesëtar i dalluar i njësitit për kryerjen e detyrave speciale “Brisku” në Shqipëri, po ashtu edhe në luftërat në Kosove dhe në Preshevë. Kulminacioni i trimërisë së tij arrihet në luftën e 2001- shit, ku si Komandant i njësisë speciale “Teli”, mbetet legjendë e paharruar e kombit shqiptarë. Me strategjinë dhe shkathtësinë që tregoi në luftimet nëpër betejat më te ashpra si në Sllupçan, Mateç dhe Haraçinë, u bë i njohur dhe i dashur për të gjithë ata që ishin bashkë me atë. Më 7 gusht 2001, u vra ne një tradhti me pesë bashkëluftëtarë të tij në Gazi Babë të Shkupit. Ka lënë pas vetës gruan Rabijen dhe dy fëmijët, djalin Letjanin dhe vajzën Rexhina, ndërkohë që i ati Lutfiu dhe nëna Lirie, jetojnë në fshatin e lindjes Nishovë të Skraparit.(KOHA)

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *