Home / Lajme / Maqedoni / Kosova dy vjet zonë e ndaluar për tetovarin

Kosova dy vjet zonë e ndaluar për tetovarin

19 janar-Pasi policët përgjegjës nuk gjetën asnjë mangësi në dokumentacionin e shoferit të automjetit, filluan me pyetje të çuditshme drejtuar udhëtarëve, mes tyre edhe se çka kërkoni sot në Kosovë apo komentet se ju sot assesi nuk mund të futeni në territorin e Kosovës”, thotë Bajrami.

Aktivistë të shoqërisë civile nga Tetova, kryesia e grupit te tifozëve “Ballistët” dhe shoqatat tjera, në mënyrë të organizuar të shtunën ishin nisur për të kaluar drejt pikës kufitare Maqedoni – Kosovë, me qellim përkrahjen dhe pjesëmarrjen në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në dy pikat kufitare me Serbinë. Në pikën kufitare të Jazhincës kanë arritur rreth orës 13, kur edhe kanë nisur problemet. Policia e Maqedonisë i ka ndaluar për një orë, duke ua fotokopjuar pasaportat. “Pasi nuk gjetën asnjë arsye për të na ndaluar udhëtimin drejt Kosovës, ne u lejuam të vazhdojmë drejtë pikës kufitare të Republikës së Kosovës”, thotë aktivisti Zufer Bajrami nga Tetova. Kjo nuk ka qenë e gjitha, pasi Policia e Kosovës ka rezervuar pritje më të ftohtë ndaj aktivistëve, madje edhe me ndalesa për të hyrë në territorin e shtetit fqinj. “Aty ndryshe nga automjetet tjera të cilat nuk u bëhej pengesë për të kaluar në anën e Kosovës. Automjeti jonë u urdhërua të ndalojë në një korsi të veçantë, ku kalimi ishte i bllokuar nga një barrikadë dhe një numër policësh të cilët dukshëm ishin aty apostafat për ne. Pasi na u morën pasaportat për kontroll rutinor, shoferit të automjetit iu kërkuan të gjitha dokumentet. Pasi policët përgjegjës nuk gjetën asnjë mangësi në dokumentacionin e shoferit të automjetit, filluan me pyetje të çuditshme drejtuar udhëtarëve, mes tyre edhe se çka kërkoni sot në Kosovë apo komentet se ju sot assesi nuk mund të futeni në territorin e Kosovës”, thotë Bajrami. Në momentin kur unë kërkova arsyetim se pse na ndalohet kalimi në territorin e Kosovës nga policët, u urdhërova të zbres nga automjeti dhe u shoqërova në qelinë e pikës kufitare, tregon Bajrami. “Pasi nuk gjetën asgjë ilegale në trupin tim gjatë kontrollit, filloi presioni psikologjik dhe trajtimi sikur unë të isha një terrorist. Aty më thanë se unë shkoj ta dëmtoj pronën dhe pasurinë e qytetarëve te Kosovës, si dhe ta prish rendin dhe qetësinë. Këtyre deklaratave unë iu përgjigja me refuzimin tim të plotë dhe kërkova arsyetim se ku bazohen ato deklarata, pasi unë nuk njihem për organet e rendit në Maqedoni e as në Kosovë si prishës i rendit dhe qetësisë publike”, thotë aktivisti Zufer Bajrami. Ai tregon se më pas nuk u është lejuar hyrja në Kosovë, duke i konsideruar si të rrezikshëm për shtetin e Kosovës. “Ishte e qartë se policia kufitare e kishte ndarë mendjen mos na lejojë të futemi në territorin e Kosovës. Kërkonin ne të ktheheshim prapa, dhe si pasojë e kësaj unë kërkova arsyetim me shkrim për arsyet e ndalesës që na bëhet. Në dokumentin zyrtar si arsye krahas moslejimit, thuhet se konsiderohet të jetë kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik, apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Këtë dokument me këto arsyetime të cilat ishin dhe janë tërësisht absurde për mua, unë refuzova ta nënshkruaj sepse nuk konsideroja se unë apo ndonjë anëtarë i grupit me të cilin udhëtoja nuk paraqet ndonjë rrezik për Republikën e Kosovës por i njëjti dokument kërkova të më jepet për ti ndërmarrë gjitha masat legale kundër ndalesës në fjalë”, thotë Bajrami. Grupit të aktivistëve nga Maqedonia pas pritjesh dyorëshe nga Policia e Kosovës është urdhëruar që ta lëshojnë pikën kufitare. “Pas një pritje për gati 2 orë na u dhanë pasaportat edhe raporti i pa nënshkruar, ndërsa u urdhëruam në mënyre urgjente ta lëshojmë pikën kufitare”, thotë Bajrami. Ai shprehet se është për të ardhur keq se si është e mundur që shqiptarët të cilët janë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ekonomik të Republikës së Kosovës, tu refuzohet të futen në këtë territor, e në anën tjetër serbët hyjnë e dalin nga Kosova kur ju kujtohet. Së bashku me Bajramin, në furgon kanë qenë edhe 13 aktivistë të tjerë, të cilët janë kthyer në Tetovë. Ai thotë se në dokumentin zyrtar nuk shkruan se u ndalohet hyrja dy vjet, por se kështu u ka thënë Policia kufitare e Kosovës. Aktivistët nga Tetova kanë paralajmëruar se do të ankohen në të gjithë organet kompetente si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup. Ndërkohë, askush nga Policia e Kosovë gjatë ditës së hënë nuk ka qenë në disponim për të dhënë shpjegime rreth masave ndaj aktivistëve nga Tetova. Zyrtarët nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike, por as edhe në pyetjet e dërguara në postën elektronike të policisë.
Ndërkaq, për dallim nga ndalesa në pikën kufitare Jazhincë, aktivistët e nisur nga pika kufitare e Bllacës kanë kaluar pa probleme. Zeqir Sulejmani shprehet se në këtë vendkalim janë futur pa probleme, mbase ndoshta për shkak se nuk kanë kaluar në grup. “Ne pjesa tjetër që ishim nga Tetova, Struga, Manastiri, Shkupi dhe qytetet tjera, deri te pika kufitare shkuam të organizuar, kurse pastaj kemi dalë nga dy tre veta në këmbë nëpërmjet kufirit për tu bashkuar pastaj në Kosovë dhe vazhduam për në Merdare dhe Dheu i Bardhë”, tregon Sulejmani.
PDSH: Policia e teproi, Bajrami të ikë
Partia Demokratike Shqiptare ka dënuar sjelljen e policisë së Kosovës ndaj aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe qytetarëve, të cilët të dielën bllokuan dy kalimet kufitare, atë te Dheu i Bardhë dhe Merdare. PDSH për këtë ngjarje akuzon vetë ministrin e Brendshëm, Bajram Rexhepi, prej të cilit kërkon të japë dorëheqje. “Partia Demokratike Shqiptare dënon dhunën ndaj protestuesve në Kosovë. Pamjet e dhunës që ushtroi policia e Kosovës ndaj qytetarëve na kujtoi një sistem të kaluar. Përgjegjës i drejtpërdrejt për këtë brutalitet policor është vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili më së paku që mund të bëjë – është të jep dorëheqje”, tha deputeti i kësaj, partie, Bekim Fazliu. Partia e Menduh Thaçit mbështet demokratizimin e Kosovës dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe NATO, por është kundër përdorimit të dhunës ndaj qytetarëve që shprehin vullnetin e tyre demokratik.
Urim Hasipi

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *