Home / Lajme / Maqedoni / Masa serioze për mbijetesë

Masa serioze për mbijetesë

9 janar-Nebi Jusfi, menaxher në Agjencionin ESA, thotë se më keq do të kalojnë bizneset të cilët bëjnë eksport jashtë dhe që janë të varura nga tregjet e vendeve fqinje. Ndërsa, ata që kryejnë shërbime brenda në territorin e Maqedonisë nuk do të kenë vështirësi më të mëdha

Ekonomistët botëror parashohin se viti 2012 do të jetë i rëndë, njëjtë si viti 2009, kur mbarë bota u kaplua nga kriza ekonomike. Nëse viti 2010 dhe 2011 ishin vite të rimëkëmbjes, perspektiva e ekonomisë në këtë vit do të varet nga kriza monetare. Se sa kjo ka ndikuar në ekonominë e rajonit të Tetovës, në Agjencionin për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ESA theksojnë se kompanitë në Tetovë, veçanërisht ato të mëdha do të kenë vështirësi me eksportin e produkteve të tyre për shkak të krizës monetare që ka kapluar botën. Sipas Nebi Jusfi, menaxher në Agjencionin ESA më keq do të kalojnë bizneset të cilët bëjnë eksport jashtë dhe që janë të varura nga tregjet e vendeve fqinje.

Ndërsa, ata që kryejnë shërbime brenda në territorin e Maqedonisë nuk do të kenë vështirësi më të mëdha. Jusufi është optimist se nuk do të përsëriten lëshimet masive të punëtorëve si në fabrikën SILMAK, ku vitin e kaluar në rrugë ngelën më shumë se 400 punëtorë. “Viti 2011 për grupin e fillestarëve në biznes ka qenë pozitiv pasi që janë implementuar vauçerët për bizneset e reja pasi që ESA është e autorizuar për implementimin e programit të sipërmarrësisë dhe janë regjistruar disa biznese të reja, të cilët i kanë kaluar të gjitha fazat, trajnim, konsultim deri në regjistrim. Me programin e Qeverisë për vetëpunësim, viti 2011 ka qenë vit rekord pasi që kemi pasur 57 kandidatë nga Tetova dhe 58 kandidatë nga Gostivari dhe, krahasuar me vitin paraprak ky numër është dyfishuar. Ka pasur mjaft kandidatë me ide interesante dhe shpresoj se edhe këtë vit këta kategori të biznesit fillestar do të kenë nevojë për asistencën tonë që biznesi i tyre të mbijetojë. Sa i përket grupit të biznesit që janë bizneset ekzistuese, ne si agjencion kemi shërbyer 7 ndërmarrje më të mëdha, ku konsulencat janë 50 për qind të subvencionuara. Në rajonin e Pollogut, duke krahasuar këtë rajon me rajonet tjera në Maqedoni, krahasuar me vitet 2010, 2009, viti 2011 ka qenë një vit pak më i mirë dhe më i konsoliduar në aspektin ekonomik, veçanërisht te ndërmarrjet që bëjnë eksportin e produkteve të tyre ne vendet fqinje dhe në vendet e Evropës Perëndimore. Por, normalisht krizat që ndodhën në Evropë në nivel të politikës monetare dhe turbullirat tjera si duket do të kthejnë situatën e 2009.

Pra druajmë se edhe në 2012 te ndërmarrjet që bëjnë eksport jashtë vendit apo më mirë thënë më shumë se 50 për qind të produkteve të tyre i kanë për tregun e jashtëm, mund të kenë krizë dhe duhet të bëjnë përgatitje paraprake”, thotë Jusufi. Përpos masave anti-krizë që ka zbatuar qeveria, ESA Tetovë i ka këshilluar të gjithë biznesmenët se duhet të veprojnë dhe të marrin masa preventive për të mbrojtur bizneset e tyre.

“Pritet që nga ana e qeverisë të ndërmerren masat anti-krizë dhe është mirë që ndërmarrjet me paraqitjet e shenjave të para të krizës dhe recesionit të bëjnë propozimet e tyre deri te qeveria dhe të tejkalojnë krizën sa më lehtë. Poashtu kemi informacione se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë programi i vetëpunësimit dhe apeloj te të gjithë ata që kanë ide dhe interesim për hapje të bizneseve të vogla, të aplikojnë. Edhe pse ka rritje të interesimit në këtë drejtim, në krahasim me qytetet tjera, ky interesim megjithatë është i vogël. Duhet potencuar se ka subvencionim në mjete dhe pajisje deri në 3 mijë euro. Kjo shumë ndoshta është e vogël, por janë mjete të mjaftueshme për të legalizuar biznesin e tyre dhe për të filluar diçka”, shprehet menaxheri në ESA, Nebi Jusufi. Ai pret që ndërmarrjet të cilët më pak do të kenë vështirësi, do të jenë ato ndërmarrje shërbyese që ofrojnë produkte për konsumatorët, pasi nuk do të kenë ndikim nga turbulencat që ndodhin në tregun botëror.

“Këto ndërmarrje do të kenë përparësinë e tyre për të përballuar me lehtë krizën. Megjithatë, edhe ato do t’i ndjejnë pasojat pasi që do të bie fuqia blerëse, për shkak të shtrenjtimit të rrymës dhe shtrenjtimit të gazit. Ndërmarrjet që janë në treg me gjatë, 5 deri në 10 vjet, dhe kanë shërbim të konsoliduar dhe e kanë produktin e tyre për tregun e brendshëm, mund të kenë ndonjë zvogëlim të shitjes, por do ta përballojnë krizën”, thotë ai. Ndryshe, ekspertët ndërkombëtarë të ekonomisë vitin 2012 e kanë parashikuar të njëjtë me vitin 2009.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *