Home / Lajme / Rajon / Mentor Kosova”, protagonisti kryesor i serialit ballkanik

Mentor Kosova”, protagonisti kryesor i serialit ballkanik

30 janar-Mentor Kosovës i vdes klienti me kokën në tepsi të byrekut… Kjo e bën atë që të ndërrojë kursin e jetës. Shet biznesin e deriatëhershëm dhe ndërron profesion. Kështu, shqiptari nga Kosova bëhet protagonisti kryesor në serinë më të shikuar të rajonit “Lud, zbunjen, normalan”

Sarajevë
Mentor Kosovës i vdes klienti me kokën në tepsi të byrekut, pasi i kishte ngrënë tri tepsi me byrek. Kjo e bën atë që të ndërrojë kursin e jetës. Shet biznesin e deriatëhershëm dhe ndërron profesion. Investon kapitalin dhe provon veten në një profesion të ri, atë të produksionit, në një vend të huaj. Kështu, shqiptari nga Kosova bëhet protagonisti kryesor në serinë më të shikuar të rajonit “Lud, zbunjen, normalan”.
Drama që zhvillohet në këtë seri është një dramë e njeriut të sotëm, një përplasje në mes të resë që depërton jo vetëm për nga shpejtësia e saj, por edhe si domosdoshmëri e mbijetesës dhe, të vjetrës rezistuese. Drama lind edhe si përplasje për ideologjinë dhe kategoritë estetike, të bukurën, të madhërishmen, të shëmtuarën… Shqiptari nga Kosova është gjetja më interesante për ta freskuar serinë më të shikuar në republikat e dala nga ish-federata në këto pesë vitet e fundit. Me karakterin tipik, vendosmërinë dhe gatishmërinë “për të çarë” edhe në vend të huaj, Mentor Kosova është protagonisti kryesor i kësaj komedie. Ai nga “byrekxhi”, kërkon t’i futet industrisë së produksionit. Në rolin e Mentor Kosovës, aktori prishtinas, Ilir Tafa, interpreton me aktorin boshnjak Miraj Grbiç, të cilin vitin e kaluar e kemi parë ne “Mission Impossible: Ghost Protocol” së bashku me aktorin holivudian, Tom Cruise.
E veçanta që gjithashtu e bën mjaft atraktiv këtë seri në vendin e përplasjeve të mëdha historike dhe kulturore, siç është Bosnja, është edhe konceptimi i botës. Të gjithë kërkojnë t’i japin një kuptim botës, por të gjithë e bëjnë këtë në mënyrën e vet. E reja dhe e vjetra përplasen në katër brezat e meshkujve që janë gjallë në një familje, pa një grua në shtëpi. Stërgjyshi vazhdon të kërkojë mësimin e marksizmit dhe madje për këtë bën fushatë publike sepse “ndryshe përmbyset bota”, ndërsa nipi zgjedh mësimin fetar për të birin e tij i cili sapo fillon shkollën. Të katër brezat e një familje ndonëse nuk i bashkon e madhërishmja (Zoti), i bashkon e bukura si kategori estetike. Që të katërtit “votojnë” për përzgjedhjen e një ndihmëseje shtëpiake jo vetëm për faktin se të katër meshkujt (brezat) e një familjeje kishin vërtet nevojë për një grua që do t’ua kryente punët e shtëpisë, por kriteri dominues në përzgjedhjen e saj ishte e bukura, jo thjesht si estetikë, por, mbase edhe si epshndjellëse.
E gjithë kjo e shpërfaq njeriun me nevojat, dëshirat, sfidat dhe ambiciet e veta në përballje me jetën, shpesh me imponimin e zgjedhjeve që duhet bërë. Teleshikuesi sheh dramën e jetës, e mbushur me plot humor në thyerjen e disa normave shoqërore, shpesh dogmatike. Seria fut në ekranet e vogla dramën e të përditshmes që e jetojmë, e duam dhe njëherësh e urrejmë; e pranojmë dhe refuzojmë; një dramë që njeriu e jeton dhe rrit shijimin vetëm kur këtë e pasuron me skena komike.

Protagonisti i sezonit të ri të këtij top-seriali rajonal, Ilir Tafa, shprehet se është gjendur mjaft i familjarizuar në mesin e aktorëve, madje edhe me “vartësin” e tij Çambon, i interpretuar nga i mirënjohuri Grbiç.

“Nuk është lehtë kur luan në gjuhë të huaj, sepse gjithmonë mendon në gjuhën amtare dhe më pas duhet ta thuash në gjuhën tjetër. Jam i mirë edhe në gjuhën boshnjake, por sërish e kam atë theksin i cili nuk do të zhdukej edhe sikur të jetoja për 10-15 vjet këtu. Pikërisht kjo më pëlqen në këtë seri, personazhi im nuk e di mirë gjuhën boshnjake, madje e flet shumë më keq se unë. Edhe nëse gaboj ndonjë fjalë, kjo nuk është ndonjë katastrofë. Ndoshta kjo do t’i duket publikut edhe me komike”, tha Tafa, transmeton televizioni federal boshnjak.

Me nisjen e sezonit të ri, seria e 121-të është mirëpritur me mjaft reagime dhe emocione nga teleshikuesit, për shkak të freskimeve të bëra dhe tematikës së trajtuar sociale.

Seria 121 me Mentor Kosovën: http://www.youtube.com/watch?v=haqH9HwtRxw

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *