Home / Sport / Nuri Mustafi, ambasadori ynë në Suedi

Nuri Mustafi, ambasadori ynë në Suedi

Numri i futbollistëve shqiptar që luajnë me sukses në kampionate të ndryshme evropiane është i madh dhe ata përpos avansimit personal, në të njëjtën kohë janë prezentues të denjë të vlerave kombëtare të shqiptarëve. I tillë është edhe 28 vjeçari nga Shemshova e Tetovës, Nuri Mustafi. Duke nisur në rradhët e Shkëndijës së Tetovës, Nuriu përmes FC PoPa-s së Finlandës para katër viteve arriti të ekipin suedez, GIF Sundsvall. Përpos dy lëndimeve të rënda, Nuriu me nder dhe përkushtim tregon profesionalizmin e tij në këtë skuadër, duke qenë me një fjal ambasador i yni në Suedi. Pikërisht për këtë qëllim, në prag të ndrimit të moteve, Nuri Mustafi ishte mysafir i Kohës, duke folur gjërë e gjatë për gjithë atë çka ndodh rreth tij.

Koha: Nuri latë pas një vit të suksesshëm te GIS Sundsvalli duke arritur më në fund atë që dëshironit vite me rradhë, inkuadrimin në Allsvenska (kategoria e parë).
N.M.:
Ishte një vit i mirë për klubin tim, por nuk mund të them edhe për mua, sepse isha i lënduar 6-të muajt e para dhe lëndimi më ndoqi pas deri në muajn e 7-të. Mirëpo sa i përket klubit dhe gjithë rrethit jam i kënaqur me këtë vit, pasi arritëm të ngjitemi në Ligën e Parë, që njihet si Allsvenska.
Koha: Gjithsesi qëndrimi juaj 4 vjeçar në Sundsvall mund të konsiderohet pozitiv, kuptohet nëse heqim atë pjesën e lëndimeve, pasi në anën tjetër që në fillim fituar zemrën e tifozëve, trajnerit dhe bashkëlojtarëve. Ishit edhe zëvendëskapiten dhe megjithë rrënien në kategorinë e dytë, ju mbetët një prej futbollistëve kyç të ekipit. Si i komentoni ju këto vite në Suedi?
N.M.:
Çka mund të them? Nëse klubi vendos të të mbajë edhe një vit pas atyre lëndimeve. Pata dy lëndime të rënda, e para ishte kur lëndova gjurin dhe kisha ndërhyrje kirurgjikale para dy viteve dhe humba tërë vitin. Pastaj edhe lëndimi i sivjetshëm i cili ishte i gjatë të them. U lëndova në fund të sezonit të kaluar dhe isha jashtë fushe gjithsej 8 muaj, duke marrë edhe pushimin që bëra këtu dimrin e kaluar. Pas gjithë këtyre gjërave, nëse analizoj pak dhe të tjerët nëse analizojnë, klubi nëse vendos të të mbajë, atëherë don të thotë se ke bërë diçka, ke lënë fjalë të mira, ke lënë punë të mirë dhe po për atë mund të bëhem pak egoist dhe të pranoj se jam i kënaqur me atë.
Koha: Kemi përvojë në Allzvenska, keni luajtur disa sezone në kategorinë, gjithsesi duke qenë afër dhe duke ndjekur futbollin elitar në Suedi, na intereso si është kualiteti atje? Duke mos dashur të flasim për shifra, mund të na thoni si janë të ardhurat atje, a jeni i kënaqur me atë që fitoni?
N.M.:
Sigurisht që jam i kënaqur, nëse pas gjithë këtyre katër viteve unë vendos që të rij aty edhe një vit, d.m.th. unë patjetër duhet të jem i kënaqur me kushtet, me financat, me gjithë ato kushtet e klubit dhe për rreth, sepse futbollisti nuk duhet të shohë vetëm atë anën futbollistike, pasi duhet edhe të jetë i kënaqur me anën tjetër të jetës. Me ambientin, me qytetit, shokët, sepse e gjithë kjo bën që futbollisti të jetë i kompletuar dhe që të jesh 100% i koncentruar në lojë, duhet të kesh edhe një jetë private të rehatshme dhe të mirë.
Koha: Diferenca me futbollin këtu në Maqedoni?
N.M.:
Diferenca është shumë e madhe. Të fillojmë nga ajo që Suedia është një shtet shumë i pasur nga infrastruktura dhe gjërat për rreth infrastrukturës. Në futboll investohet shumë atje, të them me miliona e miliona që nuk është e njëjta me futbollin këtu. Atje stadiumet dhe organizimi janë në nivel shumë, shumë më të mirë se këtu. Kur vij këtu gjatë pushimeve rregullisht takohem me ish-bashkëlojatërt e mi dhe i shoh se kushte nuk kanë ndryshuar fare. Janë të njëjtat kushte që i kam lënë unë kur jam larguar para disa viteve.
Koha: Nuri e kemi përsëritur në vazhdimsi dhe ndoshta nuk ja vlen të flitet. Mirëpo pas gjithë kësaj mungon ftesë në kombataren e Maqedonisë. Këtë vit ndoshta më shumë se kurrë më parë janë bërë eksperimente në përfaqësuese, janë ftuar shumë futbollistë, të cilët pa dashur t’i ofendojmë, ndoshta s’kanë merituar një gjë të tillë, ndërsa Nuri Mustafi vazhdimisht mungon?
N.M.:
Këtë vit edhe nuk mund të flas aq shumë sepse isha i lënduar dhe nuk mund që me një lëndim të tillë unë të garoj në reprezentacion. Edhe pse thatë se janë bërë eksperimente, kam thënë dhe them përsëri se kam merituar të paktën një ftesë të themi në një ndeshje kontrolluese. Nuk ka ndosh ajo dhe e kam lënë atë pas. Të them të drejtën edhe nuk jam duke menduar shumë për reprezentacionin. Tani që jemi në Allsvenska i lutem Zotit që të kem një start të mirë dhe të shëndetshëm dhe besoj se nëse luaj, të shpresoj se një ditë për rreth reprezentacionit do të më ndjekin dhe ndoshtë të më bëjnë një ftesë.
Koha: Të kthehemi të flasim për këtu në Maqedoni. Ish-skuadra juaj, që ju lidh edhe më shumë fakti që vëllau juaj është kapiten i Shkëndijës, la pas një vit historik. Atë që nuk e bëtë ju, e bëri këtë vit Shkëndija, fitoi titullin e kampionit, debutoi në Evropë dhe hyri në histori si fituesja e parë e Super Kupës së Maqedonisë. Sa keni ndjekur këtë ecuri dhe si kanë ndikuar te ju këta rezultate?
N.M.:
Sigurisht se unë çdo ditë jam në kontakt me vëllaun dhe familjen, pastaj edhe më shokët e tjerë. Të them të drejtën mu bë shumë qefi që Shkëndija arriti të fitojë kampionatin, por edhe Super Kupën e Maqedonisë. Pak më vjen inat që unë nuk e bëra këtë sukses (hahaha) dhe e bëri vëllau im. Mirëpo jam tepër i lumtur që Shkëndija arriti aty ku është, sepse të paktën e ka merituar atë, e ka merituar me vite e vite që kemi lënë pas. Shpresoj që Shkëndija mos të ndalet këtu, sepse ky rezultat nuk don të thotë asgjë në sezonin aktual dhe duhet të bëjnë diçka më tepër që të themi në një lojë me Partizanin të themi të arrijnë të luajnë një ndeshje me barazim dhe pas dy tre viteve ata të fitojnë kundër Partizanit. D.m.th. duhet çdo herë të punohet pak më tepër, të meren futbollistë pak më kualitativ dhe për çdo vit të ngjiten nga një shkallë më lartë.
Koha: Thatë se ndjeni xhelozi pse nuk ishit pjesë e suksesit të Shkëndijës. Por edhe Nebiu s’e bëri atë në qëndrimin e tij të parë në Shkëndijë dhe ndoshta edhe për ju ka kohë që në të ardhmen ta bëni. Konkretisht mendoni ndonjëherë për një gjë të tillë?
N.M.:
Kam mësuar të them dhe të kujtoj frazën ‘asnjëherë mos thuaj asnjëherë’. Unë gjithmonë Shkëndijën do ta kem në zemër dhe do ta ndjek Shkëndijën ku do që të shkojë dhe ku do që të garojë. Tani për tani kam kontratë edhe një vit me Sundsvallin, ndërsa në të ardhmen nuk i dihet. Nuk them se do të kthehem këtu, por as nuk them se s’do të kthehem. Të shohim si do rrjedhin gjërat.
Koha: Mbase lëndimi ju penalizoi për të menduar për ndryshim, por a mund të na thoni cilat janë planet tuaja pas përfundimit të marëveshjes me Gif Sundsvallin, ku e shihi të ardhmen?
N.M.:
Sezoni i fundit në Sundsvall 2011 d.m.th ka qenë sezon turbulent për nga ana e klubeve dhe gjërave për rreth statusit tim aty. Kam fol me njeriun që meret me këtë punë, me dajën tim rreth asaj nëse do të qëndroja aty apo do të lëvizja dikund tjetër sepse në fillim kishte disa oferta të disa klubeve nga ana lindore, pastaj kishte disa oferta nga Suedia e Norvegjia. Mirëpo lëndimi më bëri që unë pak të ndalem dhe të mendoj gjërat pak më ndryshe. Pas gjysmës fillova edhe të luaj dhe në konsultim me familjen, vëllaun dhe të tjerët vendosa që të rrij aty edhe një vit. Pas 2012 të shpresojmë se mund edhe të ndodhë ndonjë gjë më e mirë se Sundvalli, d.m.th. të luaj në ndonjë ekip më të mirë se Sundsvalli. Unë gjithmonë kam dashur të luaj në Angli, s’është e thënë në Premier Ligë, por çdo kund në Angli është sukses dhe të shpresoj se një ditë unë do të gjendem aty.
Koha: Nuri mund të na komentoni futbollin Evropian dhe pa dashur t’i ikim apo t’i afrohemi do të flasim për dominimin e Barcelonës në Spanjë, Evropë dhe botë. Juve si tifoz i Real Madridit kjo ndoshta nuk ju pëlqen, por të jemi objetiv dhe të japim një vlerësim objektiv për Spanjën dhe Evropën?!
N.M.:
Hahaha (qeshet për ngacmimin ndaj Realit). Nuk jam edhe shumë tifoz i ndonjë ekipi, pasi jam futbollist dhe luaj për një ekip mjaft të mirë në Suedi. Normal është çdo herë kënaqësi të shohësh një ekip si Barcelona dhe nuk mund ta them të njëjtën për Realin pas ka një stil tjetër të lojës dhe s’ka futbollistë si ata të Barcelonës. Sa do pak unë jam tifoz i Real Madridit. Vëllezërit e mi Nehati dhe Nebiu janë tifoz të Barcelonës dhe duke dashur të fusim një rivalitet në familje kur në program janë “El Clasciot’, unë mora anën e Realit. Gjithsesi për momentin shumë e pëlqej stilin e lojës së Barcelonës dhe mënyrën se si ata luajnë. Janë një ekip unik dhe ekipet tjera nuk mund të bëjnë të njëjtën gjë. Për atë unë i admiroju ata.
Koha: Nuri lëmë pas vitin 2011. Nëse doni diçka të thoni për fund.
N.M.:
Uroj të gjithëve një vit të mbarë, një vit të shëndetshëm. Juve stafit të Kohës j’u uroj të keni një punë të suksesshme dhe me gjithë të mirat, duke ju falemenderuar që gjithmonë kontriboni për avansimin e sportit shqiptar, ndërsa edhe për atë se personalisht jeni pranë meje dhe sukseseve të mija. Urime 2012.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *