Home / Lajme / Maqedoni / Pagesa e rregullt e obligimeve ndaj “Komunalecit” mundëson shërbime më cilësore

Pagesa e rregullt e obligimeve ndaj “Komunalecit” mundëson shërbime më cilësore

24 janar-Nga kjo ndërmarrje njoftojnë se vërejtjet me shkrim të dërguara në adresë të amvisërive dhe subjekteve juridike, tanimë kanë dhënë efektet pozitive, që ka rezultuar me dyfishimin e arkëtimit në periudhën aktuale, ndërsa nga qytetarët të cilët paguajnë në rregull faturat, ky hap i drejtorisë së kësaj ndërmarrjeje është përshëndetur nga shkaku se në këtë mënyrë të gjithë qytetarët vihen në pozitë të barabartë.

Vërejtjet me shkrim të dërguara në adresë të shfrytëzuesve të shërbimeve të NP “Komunalec”– Gostivar, për borxhe të pashlyera të amvisërive dhe subjekteve juridike për vitin e kaluar kalendarik, sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje, tanimë kanë dhënë efektet pozitive dhe nga shumica e qytetarëve janë mirëpritur.

“Për momentin u dërgojmë vërejtje amvisërive dhe subjekteve juridike të cilët nuk i kanë paguar në rregull faturat për shërbimet e kryera nga ana e Ndërmarrjes Publike, duke ju dhënë një afat prej tetë ditësh që të lajmërohen në ambientet e Ndërmarrjes sonë për të rregulluar gjendjen lidhur me pagesat e ngelura gjatë 12 muajve të vitit të kaluar. Pas skadimit të këtij afati, ne do të obligohemi tu drejtohemi noterëve të autorizuar për të sjellë vendim që borxhet të cilat i kërkon Ndërmarrja Publike nga ana e amvisërive dhe subjekteve juridike, janë të parashtruara në kohë të duhur dhe me këtë të mbrohet e drejta që borxhet e vitit të kaluar të mund të kërkohen për tu shlyer edhe pas skadimit të afatit”, potencon Kurtish Salija, drejtor në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”.

Afati për përgjigje ndaj vërejtjeve të tilla është 8 ditë, dhe në rast se amvisëritë apo subjektet juridike injorojnë këto vërejtje, Ndërmarrjes Publike “Komunalec” i hapet rruga për të parashtruar kërkesë ligjore për borxhet e pashlyera ndaj kësaj ndërmarrje.

“Amvisërive dhe subjekteve juridike, shfrytëzues të shërbimeve tona, mesatarisht u bie që të paguajnë rreth 450 denarë në muaj për furnizim me ujë të pijshëm, mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave, larjen dhe pastrimin e rrugëve nëpër qytet, mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra si dhe mirëmbajtjen e varrezave të qytetit. Për të gjitha këto shërbime që i kryen Ndërmarrja Publike, nevojitet një kosto e lartë e harxhimeve, pra mjete të konsiderueshme financiare, ku hyjnë edhe shpenzimet për rrogat e mbi 250 punëtorëve, mirëmbajtja dhe shtimi i kapaciteteve të parkut vozitës, si dhe shumë obligime të tjera”, potencon drejtori Salija.

Me qëllim për të shmangur çdo procedurë të panevojshme juridike, nga drejtoria e NP “Komunalec” apelojnë deri te shfrytëzuesit e shërbimeve të kësaj ndërmarrje, që të kryejnë pagesat e mbetura nga vitit i kaluar, 2011. “Pagesa në kohë e faturave për shërbimet që kryhen nga ana e ndërmarrjes sonë, kthehet në të mirën e përgjithshme të qytetarëve dhe duke bërë pagesat e faturave ne do të jemi në gjendje që më në rregull dhe në afat sa më të shkurtër të mënjanojmë problemet që mund të lindin brenda kohës, qoftë në rrjetin e ujësjellësit, rrjetin e kanalizimeve etj. Me pagesat e rregullta të obligimeve ndaj ndërmarrjes, do të rritet edhe më shumë cilësia e shërbimeve tona të përditshme ndaj qytetarëve”, thekson Kurtish Salija.

Nga kjo ndërmarrje njoftojnë se vërejtjet me shkrim të dërguara në adresë të amvisërive dhe subjekteve juridike, tanimë kanë dhënë efektet pozitive, që ka rezultuar me dyfishimin e arkëtimit në periudhën aktuale, ndërsa nga qytetarët të cilët paguajnë në rregull faturat, ky hap i drejtorisë së kësaj ndërmarrjeje është përshëndetur nga shkaku se në këtë mënyrë të gjithë qytetarët vihen në pozitë të barabartë.

Apelit të NP “Komunalec” për pagesë të rregullt të obligimeve ndaj kësaj ndërmarrjeje,I bashkëngjitet edhe Komuna e Gostivarit. Gjatë këtij mandati, Komuna e Gostivarit në forma të ndryshme ka mbështetur dhe ka subvencionuar këtë ndërmarrje për daljen nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur strukturat paraprake udhëheqëse komunale, por për sanimin afatgjatë të gjendjes në NP “Komunalec” i domosdoshëm është kontributi i çdo shfrytëzuesi të shërbimeve të saja.

Gjithashtu lexo

“Çështja mes Shkupit dhe Beogradit shkakton shqetësime në Athinë”

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan se diplomatët grek me shqetësime i ndjekin ngjarjet në Ballkan, pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *