Home / Sport / Shqiptarët e Maqedonisë s’besojnë në Ligë gjithëshqiptare

Shqiptarët e Maqedonisë s’besojnë në Ligë gjithëshqiptare

‘Ideja është e mirë, do të donim të luajmë së bashku me bashkëkombasit tanë nga Shqipëria e Kosova, mirëpo për momentin kjo mbetet dëshirë e parealizueshme, pasi për këtë vendosin FIFA dhe UEFA’. Ky mund të jetë përkufizimi i opinionit të funksionarëve shqiptar të futbollit në Maqedoni, sa i përket idesë së Aleancës Kuqezi në lidhje me formimin e një Lige të përbashkët të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Katër ditë më parë Aleanca Kuqezi paraqiti nis- mën “Një komb, një kampionat”, që ka për qëllim bashkimin e kampionateve të futbollit të Shqipërisë dhe të atij të Kosovës. Kjo iniciativë ditëve të fundit u komentua nga të gjithë anët, ndërsa ne vendosëm të marrim prononcimin e krerëve të skuadrave shqiptare në Maqedoni, nga të cilët kërkuam të vlerësojnë këtë iniciativë dhe nëse do të pranonin që të përgjigjen pozitivisht ftesës eventuale për t’iu bashkuar një lige gjithëshqiptare. “Ky vendim nuk varet as nga Alenca Kuqezi, as nga VMRO, as nga PDK e Kosovës e tjera parti, ajo varet nga FIFA, pasi që FIFA nuk e ka pranuar ende Kosovën, por nuk do të kishte pranuar as një gjë të këtillë, pra bashkimin e Ligave. Nuk është një gjë që mund ta bëjmë ne. Ne mund të flasim me gojë çka të duam, por një gjë e këtillë nuk mund të ndodhë, pasi UEFA nuk e pranon. Disa herë ka dalë para mediave edhe Armand Duka e ka thënë këtë gjë, që kjo nuk varet nga ne shqiptarët, por gjithcka varet nga FIFA dhe UEFA. Për shembull skuadrat kosovare nuk luajnë në ndeshje ndërkombëtare pasi nuk janë të pranuara ende në FIFA, nuk është te ne shqiptarët a do të pranojmë a po jo?! Klubet shqiptare këtu në Maqedoni, kanë luajtur ndeshje miqësore me ekipe nga Kosova dhe Shqipëria. Federata e futbollit të Maqedonisë nuk i ka penguar për këtë gjë. Por për të tu bashkuar dhe për të luajtur ndeshje kampionale nuk varet as nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, as nga FFK e as nga FSHF. Në gjë e tillë nuk është e mundur pasi FIFA dhe UEFA nuk do të kishin pranuar këtë”, deklaroi nënkryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Qenan Idrizi. “Kjo është një temë shumë delikate, për të cilën ndoshta edhe duhet të mendojmë mirë, para se të flasim. Si shqiptarë, normal që na pëlqen ideja për një bashkim kombëtar qoftë edhe përmes futbollit. Mirëpo në anën tjetër nëse analizojmë si duhet, del se për një gjë të tillë vendosin të tjerë dhe ndoshta nuk është e mjaftueshme vetëm dëshira dhe vullneti ynë. FIFA dhe UEFA janë ata të cilët vendosin për një gjë të tillë dhe duke parë se Kosova nuk është e pranuar në këta organe ideja duket e parealizueshme. Vlerësoj se ne si shqiptarë kemi shumë cështje tjera shumë më të rëndësishme për të zgjedhur dhe futbolli në këtë drejtim ndoshta është gjëja e fundit për të bërë. Mos keqkuptohem, jam duke folur për situatën e përgjithshme të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Duhet të pastrohen shumë probleme tjera dhe ne si puntorë sportiv ndoshta nuk jemi kompetent për të komentuar, pasi pyetja e juaj edhe pse ka të bëjë me futbollin, gjithsesi duke u bazuar në situatën tonë del të flasim për politikë dhe për këtë unë nuk dua të ndërhyj më shumë. Përsëris se si ide gjithcka është në rregull, pasi jo vetëm Shkëndija, por mendoj se edhe gjithë skuadrat tjera do të kishin dashur të garojnë në një Ligë të tillë”, u prononcua nënkryetari i Shkëndijës së Tetovës, Idrizi Ibishi. Pak a shumë mendim të ngjashëm me nënkryetarin e Shkëndijës ka edhe drejtori sportiv i Renovës, Lirim Sahiti, i cili parapëlqen një kampionat gjithshqiptar, por beson se një gjë e tillë për momentin është e kontestueshme. “Personalisht sa i përket aspektit sportiv do të më kishte pëlqyer që të përballemi me skuadrat nga Shqipëria dhe Kosova, për të parë se deri ku jemi me kualitetin. Normal një ligë e tillë do të ishte interesante edhe për publikun, mirëpo nga ana tjetër për këtë vendos tjetër kush. Normal nëse do të kishin lejuar organet kompetente, atëherë fjalën e fundit do ta kishin pronarët e klubeve, mirëpo unë mund të flas për nga aspekti sportiv dhe në këtë drejtim mendoj se do të më kishte pëlqyer ideja e tillë’, u shpreh drejtori sportiv i Renovës, Lirim Sahiti. Rikujtojmë se ditë më parë Aleanca Kuqezi paraqiti nis- mën “Një komb, një kampionat”, që ka për qëllim bashkimin e kampionateve të futbollit të Shqipërisë dhe të atij të Kosovës. Kjo Aleancë apeloi që Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të nisin nga puna për realizimin e një axhende të përbashkët bashkëpunimi, si dhe një plan veprimi. Ajo kërkoi që nisma për një ligë të përbashkët të realizohet gjatë këtij viti, në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ndërmarrjen e nismës “Një komb, një kampionat”, AK-ja e sheh si obligim moral “nisur nga rrjedha e ngjarjeve politike dhe sociale në rajon në dekadat e fundit, ku prej shumë vitesh ekipet sportive në Kosovë nuk paraqiten në aktivitet ndërkombëtare”. Ndërkohë drejtues të FSHF-së dhe ata të FFK-së vazhdimisht kanë përsëritur se ideja e një lige të përbashkët është e mirë, por, sipas tyre, është e parealizueshme, pasi FIFA e UEFA nuk do të lejonin një gjë të tillë. “Është ëndërr jona që të kemi një ligë të përbashkët Kosovë – Shqipëri. Por, një gjë e tillë tani për tani nuk është e mundshme të realizohet. Nuk e lejon FIFA. Një ide e tillë do të mund të shtrohej në tavolinë vetëm pasi të pranohemi në FIFA, pasi të kemi zërin tonë në shtëpinë botërore të futbollit”, ka komentoi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, menjëherë pas publikimit të iniciativës së Aleancës Kuqezi.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *