Home / Sport / Sporti në vitin 2011: Vit historik për KF dhe KV Shkëndijën

Sporti në vitin 2011: Vit historik për KF dhe KV Shkëndijën

Viti që lëmë pas do të shënohet me shkronja të arta për sportin shqiptar në Maqedonia, pasi Klubi i Futbollit Shkëndija dhe Klubi i Basketbollit Shkëndija arritën që të dominojnë në elitat e ligës respektive këtu në Maqedoni. KF Shkëndija për herë të parë në historikun e saj fitoi titullin e kampionit shtetëror, duke debutuar në arenën ndërkombëtare, gjegjësisht kualifikimet për Ligën e Kampionëve, para se të fitojë edicionon e parë të Super Kupës së Maqedonisë. Ndërkohë KV Shkëndija dominoi tërësisht volejbollin në vend, duke fituar kampionatin dhe Kupën. Drita e Bogovinës mbylli vitin në pozitën e parë në Ligën e Dytë të futbollit të Maqedonisë, ndërsa vlen të ceket suksesi i të rrinjëve të Renovës, të cilët fituan kampionatin dhe Kupën e Maqedonisë për të rrinjë. KB Liria kishte sezon të kënaqshëm debutues në Ligën e Parë, ndërsa gjysmësezonin aktual e mbylli në pozitën e katërt, duke paralajëmruar se në pranverën e vitit të ardhshëm do të luftojë për titullin e kampionit. Vlen të ceket se boksieri shqiptar Fatlum Zhuta ishte fitues i edicionit të 41-të, të turneut ndërkombëtar në Boks, “Gongu i Artë 2011”.

Viti 2011 ka qenë me plot bereqet për sportin shqiptar në Maqedoni, nga fakti se skuadrat e Shkëndijës në volejboll dhe futboll kishin dominim të plotë në kategoritë e tyre, duke fituar në fund titujt e më të mirit. Por të nisim me rradhë, duke filluar prej ‘punës më të rëndësishme në botë’, futbollit.
FUTBOLL:
Shkëndija e Tetovës
përfundimisht len pas vitin më të suksesshëm në historikun e saj 32 vjeçar. Duke ardhur nga kategoria e dytë, me ambicie për tu përzier në luftën për kreun e tabelës, ‘kuqezinjtë’ tetovarë sollën një rezultat historik, duke fituar në fund titullin e kampionit shtetëror në elitën e futbollit në vend. Shkëndija këtë sukses e paralajmëroi që në stinorin vjeshtor, kur u shpall kampione e dimërit me 35 pikë të tubuara, një më shumë se Renova në vendin e dytë. Me vetëm tre përforcime në dimër, Shkëndija e bindur në forcën e saj në pranverën e 2011 shkeli gjithçka që i doli përpara, duke mbyllur gjysmëstinorin pranveror pa asnjë disfatë. Dy fitoret kundër Vardarit, triumfi i shumëpritur përballë Teteksit, drejtuan Shkëndijën në sigurimin e diferencës së madhe në pikë para ndjekësit të vetëm Metalurgut, duke siguruar titullin e kampionit dy javë para mbylljes së sezonit, kur në Tetovë me rezultat 2:1 mundën Rabotniçkin. 17-të maji i vitit 2011 ishte dita kur Shkëndija siguroi matematikisht titullin e kampionit në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni. Në dy javët e fundit Shkëndija luajti për prestigj duke argëtuar tifozët e saj, por edhe kushte të këtilla nuk mund, duke barazuar 1:1 me Renovën dhe 2:2 me Metalurgun. Kjo e fundit ishte qershia mbi tortë për sezonin e shkëlqyeshëm të Shkëndijës. Ishte 28 maji i 2011, kur gjithë Tetova ishte e veshur ‘kuqezi’, stadiumi dy orë para fillimit të ndeshjes ishte përplot me tifozë, duke shënuar rekord shikueshmërie në futbollin e Maqedonisë, pasi në stadium ishin të tubuar mbi 16 000 spektatorë. Shkëndija vallëzoi në teren, duke festuar me gjithë tifozët e saj në një atmosferë fantastike, spektakulare, thjesht të paparë ndonjëherë më parë në trevat tona. Në fund Shkëndijës në ceremoni solemene i’u nda trofeu i më të mirit në futbollin e Maqedonisë për sezonin 2010/2011. Festa e madhe që përfshiu Tetovën nga stadiumi u shpërngul në sheshin e qytetit, ku u festua deri në orët e hershme të mëngjesit. Me këtë Shkëndija shkruajti pjesën më të ndritshme të historisë së saj shumëvjeçare, duke bërë skuadra e parë në Maqedoni, e cila në sezonin e parë pas inkuadrimit nga Liga e Dytë, shpallet kampione e vendit. Titulli i kampionit nënkuptonte se Shkëndija realizoi ëndrën e kahmotshme për dalje në arenën ndërkombëtare. Megjithatë Shkëndija kishte debutim të passuksesshëm në kupat evropiane, gjegjësisht në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, pasi u mund me rezultat 4:0 nga Partizani në ndeshjen e parë të zhvilluar në Beograd. Kampionët e Maqedonisë zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë kur edhe humbën një penalti me anë të Hasanit. Në pjesën e dytë në shprehje erdhi përgatitja më e mirë fizike e futbollistëve të Partizanit të cilët arritën të shënojnë katër gola në rrjetën e Shkëndijës. Në ndeshjen e kthimit në Shkup, Shkëndija edhe përkundër lojës së mirë dhe rasteve të shumta për të shënuar, në fund doli me një tjetër humbje nga Partizani. Shkëndija përsëri zhvilloi një pjesë të parë të mrekullueshme kur kampionët e Serbisë vetëm falë fatit sportiv nuk pranuan tre-katër gola. Hasani dhe Emini, që në minutën e dytë u shndërruan në kërcënim për Partizanin, më vonë Hasani kishte tjetër mundësi, para se goditja e Selmanit të shkonte pranë portës. Serbët u hakmorën në pjesën e dytë, me Jovançiq i cili shënoi duke i dhënë fund dilemave. Tetovarët eliminohen kështu nga Liga e Kampionëve me disfatë të përgjithshme 5:0. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Shkëndija u rrimëkëmb fuqishëm në Super Kupën e Maqedonisë, duke fituar edicionin e parë të kësaj kupe. FFM-ja vendosi për herë të parë të organizojë përballje mes fituesit të kampionatit dhe fituesit të Kupës, kështu që Shkëndija me golat e Mustafit dhe Salit mundi 2:1 Metalurgun, duke shkruar emrin e saj si skuadra e parë që ka fituar Super Kupën e Maqedonisë. Në sezonin e ri Shkëndija pagoi çmimin e suskeseve paraprake duke hasur në vështirësi të mëdha në ndeshjet e zhvilluara në cilësi të mysafirit. Eliminimi nga Kupa e Maqedonisë solli largimin e trajnerit Qatip Osmani, vendin e të cilit në pankinën ‘kuqezi’ e zuri Nexhat Shabani. Gjithsesi deri në fund të vitit Shkëndija arriti të rrimarë veten, duke arritur në fund të mbyllë sezonin në pozitën e tretë, me 8-të pikë më pak se lideri i renditjes, Vardari.
Renova për dallim nga disa sezonet e fundit në 2011 nuk ishte në nivelin e pritur. Xhepçishtasit pas titullit të kampionit në vitin 2010, sezonin e kaluar paguan çmimin e ndryshimeve të mëdha në formacion, kështu që në fund të vitit pozita e tretë dhe dalja në Evropë ishte sukses i madh për xhepçishtasit. Mirëpo atje nuk kaluan aq mirë, pasi u eliminuan që në rrethin e parë parakualifikues të Evropa Ligës. Edhe pse u panë si favorit përballë ekipit nga Irlanda e Veriut, Glentoran, Renova fitoi 2:1 në Shkup, para se të pësoi në Belfast me të njëjtin rezultat, ndërsa Glentorani pas egzekutimit të penaltive siguroi kualifikimin në raundin e ardhshëm, duke eliminuar Renovën që në fillim të aventurës evropiane. Në sezonin e ri Renova gjatë kohë nuk mundi të gjejë veten, ndërsa në fund duket se Kostov i cili zëvendësoi Sokolin, arriti që t’i fusë gjërat në binarët e duhur. Renova vitin 2011 e mbylli në pozitën e 6-të në renditje, me 24 pikë të tubuara. Megjithatë në vitin 2011 nga rradhët e Renovës vjen një sukses i madh. Të rrinjtë të Renovës, të drejtuar nga Dashmir Behari, arritën që të shpallen kampionë në kampionatin për të rrinjë, si dhe fituan Kupën e Maqedonisë për juniorë. Gjithsesi ky sukses është për çdo respekt, duke paralajmëruar se xhepçishtasit në taborin e të rrinjëve kanë futbollistë që do të jenë prespektiva e klubit.
Drita e Bogovinës në Ligën e Dytë sezonin e kaluar ishte në mesin e tabelës, duke mbyllur sezonin në pozitën e 7-të me 35 pikë të tubuara. Ky rezultat përbënte sukses për ekipin, nëse llogariten ndryshimet dhe problemet e mëdha që kishin në aspketin organizativ. Mirëpo në sezonin e ri, me një strukturë të shëndoshë dhe ekip të përbërë nga futbollistë kryesisht të rrinjë, Drita solli befasinë më të madhë në futbollin vendor, duke arritur që në fund të vitit 2011 të renditet në pozitën e parë, me 29-të pikë, aq sa ka edhe Skopje në pozitën e dytë. Titulli i kampiones së vjeshtës në Ligën e Dytë, për Dritën përbën suksesin më të madh në historikun e saj dhe paralajmëron pranverë nxitëse, kur ekipi nga fshati Bogovinë i Tetovës do të provojë të inkuadrohet në Ligën e Parë.
Maqedonia (A dhe shpresat) Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë la pas një vit skajshmërisht të pasuksesshëm dhe në ranglistën e FIFA-s Maqedonia në vitin 2011 është fundosur deri në maksimum. Maqedonia mbylli vitin në pozitën e 103-të, që është një prej renditjeve më të dobëta të përfaqëuseses së futbollit. Maqedonia vitin 2011 e nisi nga pozita e 81-të, ndërsa gjatë 12-të muajve vazhdoi rënien në kontuinitet. Maqedonia në vitin 2011 zhvilloi gjithsej 9-të përballje, prej të cilave tre ishin kontrolluese. Në kualifkimet për Euro 2012 Maqedonia në 6-të takime shënoi një fitore kundër Andorës, barazoi në Shkup me Sllovakinë, ndërsa përjetoi katër disfata. Ndërkohë në takimet kontrolluese Maqedonia mundi 1:0 Azerbajxhanin, barazoi pa gola me Shqipërinë, ndërsa u mund në shkurt nga Kameruni 1:0 në Shkup. Ky ishte një prej viteve më të passuksesshme në historinë e futbollit, duke shënuar rrënie prej plotë 23 pozitave dhe tani në vendin e 103-të është në shoqërim të përfaqësueseve si Togo, Ruanda, Azerbajxhani, Sudani e kështu me rradhë. Rikujtojmë se Maqedonia vitin e nisi me Mirsad Jonuzin në pankinë, ndërsa e mbylli me Xhon Toshakun, që përveç emrit nuk arriti të sjellë asnjë ndryshim në futbollin e Maqedonisë. Edhe shpresat e Maqedonisë nuk kishin ndonjë sukses të shënuar, ndërsa më 15-të nëntor zhvilluan takimin e fundit të vitit duke barazuar 1:1 me Danimarkën në stadiumin Maxhari në Shkup. Për Maqedoninë ky ishte barazimi i dytë nga gjithsej tre ndeshje të zhvilluara në kuadër të grupit eliminator e vlefshme për Evropianin e vitit 2013-të, që do të mbahet në Izrael. Maqedonia pas tre ndeshjeve ka grumbulluar 5 pikë dhe për momentin mban vendin e tretë, menjëherë pas Serbisë dhe Danimarkës që renditen në dy pozitat e parë me nga 8 pikë të tubuara, por që kanë edhe nga një ndeshje më shumë.
VOLEJBOLL:
Emri ‘Shkëndijë’
në vitin 2011 sikur ishte i përcaktuar për fitore dhe tituj. Klubi i Volejbollit Shkëndija e Tetovës fitoi titullin e kampionit shtetëror në Ligën e Parë të Maqedonisë, duke dominuar në tërësi kampionatin elitar në vend. Shkëndija në serinë e ndeshjeve finale mundi skuadrën e Borecit me rezultatin 3:0. Në një atmosferë impozante, që kishin krijuar tifozët e Shkëndijës, “kuq e zinjët” në ndeshjen e tretë finale të play-offit të eliltës së volejbollit në vend mundën Borec Brakon me rezultatin 3:1 dhe në fund me plotë meritë u shpallën kampion të Maqedonisë pas plotë 37 viteve gara në volejboll. Shkëndija u shpall fituese e dyfishtë në Maqedonisë, pasi përballë të njëjtit kundërshtar, Borec Brakos fitoi edhe Kupën e Maqedonisë. Shkëndija tregoi cilësi të lartë edhe në turneun kualifikues në Kluzh të Rumanisë, ndërsa vitin e sukseshëm e mbylli me titullin e kampiones së vjeshtës në sezonin e ri në Ligën e Parë, si dhe me triumfin në ‘Super Kupën Mbarëkombëtare’, në të cilën morën pjesë edhe Studenti i Tiranës, Besa e Pejës dhe Liria e Zherovjanit. Me një fjalë 2011 ishet një vit i përkryer i KV Shkëndijës, të cilët fituan gjithkund ku morën pjesë në përjashtim të turneut në Kluzh.
BASKETBOLL:
Klubi i Basketbollit Liria
ishte ekipi i vetëm shqiptar që garoi në Ligën e Parë të Basketbollit në vend. Dhe pasi sezonin e kaluar si debutuese në fund u rendit në pozitën e 6-të, skuadra e Lirisë në sezonin e ri hyri me ambicie të mëdha dhe pas startit të dobët në vazhdim solli performansë të shkëlqyeshme, duke arritur të renditet në pozitën e 4, me gjasa reale që në stinorin pranveror përmes play-offit të kërkojë edhe titullin e kampionit. Nga tabori i KB Liria theksojnë se janë të kënaqur me suksesin e arritur në sezonin e kaluar dhe në pjesën e parë të këtij sezoni, megjithse pranojnë se ndoshta është mundur të bëhet edhe më shumë. KB Liria stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e 4 me 23 pikë të tubuara, një më pak se skuadra e vendit të tretë, Torusi. Drejtuesit e skuadrës planifikojnë të përgatiten mirë para vazhdimit të kampionatit, ku synojnë që të jenë në mesin e katër skuadrave më të mira në vend.
BASKETBOLL MAQEDONIA
Viti 2011 sa i përket sportit në Maqedoni do të mbahet mend me paraqitjet historike të përfaqësueses së basketbollit të Maqedonisë në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Lituani, ku arriti suksesin më të madh të sportit të Maqedonisë, vendin e katërt në Europian. Maqedonia pas humbjes në start nga Mali i Zi, Maqedonia në vazhdim sillte befasi pas befasie, duke mundur Kroacinë, Greqinë Finlandën dhe Bosnjën e Hercegovinën. Në fazën e dytë të Evropianit Maqedonia mundi Gjeorgjinë dhe Sllovenin, ndërsa u mund nga Rusia, por që gjithsesi u kualifikua në çerekfinale. 14-të shtatori ishte tjetër ditë historike për Maqedoninë, kur në çerekfinale me pikë të shënuara në sekondat e fundit nga ana e Vllado Ilievskit, Maqedonia mundi 67:65 përfaqësuesen vendase të Lituanisë, e cila në këtë duel në mbështetje kishte mbi 15 mijë tifozë. Më 16 shtator në një gjysmëfinale të mrekullueshme, Maqedonia u desh të dorëzohet para Spanjës, duke humbur me rezyltat 92:80. Gjithsesi kishin të sigurtë edhe një përballje për vendin e tretë, ku u përballën me Rusinë. Dhe përsëri dramë e vërtetë, luftë deri në minuatat e fundit dhe në fund disfatë e pafat me rezultat 72:68. Maqedonia mbylli kampionatin Evropian në vendin e katërt, pas Rusisë së vendit të tretë. Franca mbeti e dyta, pasi në finale u mund 98:85 nga kampionia e re e Evropës, Spanja. Gjithsesi për Maqedoninë ky ishte suksesi më i madh në historinë e basketbollit por edhe sportit në përgjithsi.
BOKS:
Zhuta:
Sukses i madh për boksierin shqiptar Fatlum Zhuta, i cili ishte fitues i edicionit të 41-të, të turneut ndërkombëtar në Boks, “Gongu i Artë 2011” që u zhvillua në qendrën sportive Boris Trajkovski. Zhuta në finale në kategorinë deri 75 kg me pikë 7-4 mundi boksierin nga Tunisi Amor Bahri. Pikërisht paraqitja e tij e shkëlqyeshme përballë Bahrit nga Tunisi i solli boksierit strugan çmimin e boksierit më të mirë të këtij turneu tradicional që është një ndër garat më të vjetra sportive në vend. Në eidicionin e 41-të, të “Gongut të Artë” morrën pjesë më shumë se 40 boksierë nga Maqedonia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Spanja, Rumania, Italia, Sllovenia, Moldavia, Bjellorusia, Serbia dhe Tunisi.
Seferi: Viti 2011 solli sukses edhe për Nuri Seferin i cili më 25 shtator mbrojti titullin e kampionit të Evropës në versionin ËBU, pasi në Gostivar mundi belgun Toni Ingelrest me nokaut teknik në raundin e tretë të ndeshjes. Në palestër të stërmbushur me tifozë dhe atmosferë fantastike, Nuri Seferi bëri një paraqitje të furishme, duke paralajmëruar fitoren që në fillim të takimit.Në pamundësi për të rezistuar goditjet e forta të shqiptarit, boksieri belg dorëzoi luftën, duke i dhënë Nuriut fitoren dhe mbrojtjen e titullit në versionin WBU. Kjo fitore e ngre Nuri Seferin në listën e boksierëve më të mirë të botës dhe mund t’i japë mundësinë për të sfiduar titullin e botës në kategorinë ‘kruizer’. Paraprakisht, para luftës kryesore mes Nuri Seferit dhe Toni Ingelrest, u zhvillua një tjetër ndeshje interesante, në të cilën vëllai më i vogël i Nuriut, Sefer Seferi mundi hungarezin Zoltan Petranyi duke fituar titullin kampion bote në versionin PBU.
Xhila: Boksieri profesionist nga Struga, Agron Xhila u shpall kampion i botës në peshat e rënda, të moshave të reja, në versionin IBF dhe GBU. Në palestërn sportive në Burgsdorf të Zvicrës, në përballjen e 12 raundeve, Agron Xhila mundi boksierin nga Tanzania, Paskal Ndomba, me nokaut në raundin e pestë. Për struganin kjo ishte fitorja e 11-të në boksin profesionist në 12 përballjet e deritanishme. Në mbrëmjen galla të boksit në Zvicër, Sefer Seferi dhe Petrit Mazrekaj, shënuan fitore në përballjet para sfidës kryesore.
TENIS:
Dehari:
Stefan Mickov u shpall kampioni i ri Maqedonisë në tenis, pasi në finale të kampionatit shtetëror mundi tenistin shqiptar Shëndrit Dearin me rezultat 3-1 në sete. Deari u ankua në dhimbje të mëdha për shkak të ftohjes, mirëpo nuk deshi të dorëzojë sfidën finale, por që më vonë e humbi. Ndëkohë, në finalen e garave në dyshe, Predrag Rusevki dhe Lazar Magdinçev, mundën dyshen Danil Zelenkov- Stefan Micov, me rezultat 2-1.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *