Home / Sport / UEFA publikon “Skuadrën e Vitit 2011”

UEFA publikon “Skuadrën e Vitit 2011”

Ashtu siç pritej, ka qenë një dominim absolut spanjoll dhe sidomos i skuadrës së Barcelonës. Katalanasit kanë 5 lojtarë në këtë formacion, të ndjekur nga Reali i Madridit me 3 dhe nga 1 lojtar për Milan, Bajern dhe Totenhem.

Mbi 4.5 milionë vota të hedhura nëpërmjet faqes së internetit të UEFA-s kanë përcaktuar edhe formacionin ideal të vitit 2011.

Ashtu siç pritej, ka qenë një dominim absolut spanjoll dhe sidomos i skuadrës së Barcelonës. Katalanasit kanë 5 lojtarë në këtë formacion, të ndjekur nga Reali i Madridit me 3 dhe nga 1 lojtar për Milan, Bajern dhe Totenhem.

Portieri i përzgjedhur nga përdoruesit e kësaj faqe të internetit për të katërtin vit radhazi është Iker Kazijas, gardiani i Realit të Madridit dhe Spanjës që ka lënë mbrapa emra të njohur si Van der Sar dhe Valdez.

Në qendër të mbrojtjes, të përzgjedhurit janë Xherard Pike i Barcelonës dhe Tiago Silva i Milanit, ky i fundit një debutues mes fituesve në formacionin më të mirë të vitit.

Në krahun e djathtë të mbrojtjes është zgjedhur braziliani i Barcelonës, Dani Alvesh, i cili e ka merituar këtë vlerësim edhe në vitin 2007, por atëherë ishte një futbollist i Seviljes.

Në krahun e majtë të mbrojtjes është një tjetër brazilian, Marselo i Realit të Madridit. Si debutues në këtë formacion, ai ka mundur konkurrencën e Abidal dhe Eshli Kol.

Krahu i djathtë i mesfushës i përket holandezit të Bajern Mynih, Arjen Roben, i cili është përzgjedhur para Mario Gëtze dhe talentit kosovar të Zvicrës, Xherdan Shaqiri.

Në krahun e majtë të mesfushës vjen një tjetër debutues, uellsiani Garet Bejl i Totenhemit që ka mundur Angel Di Marian.

Mesfushori i qendrës nuk është askush tjetër përveç spanjollit Ksavi, i cili ka qenë njëkohësisht edhe futbollisti që ka marrë më shumë vota dhe cilësohet si kapiteni i këtij formacioni yjesh. Para tij, më i avancuar është shoku i kombëtares dhe Barcelonës, Andres Iniesta, në rolin e mesfushorit organizator.

Në sulm, votuesit e uefa.com kanë përzgjedhur dy lojtarët të cilët prej dy vitesh po duelojnë me ritëm të lartë golash, Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon.

Ndërkohë, trajneri i kësaj skuadre ëndrrash është përzgjedhur Pep Guardola, i cili ka lënë mbrapa Sër Aleks Ferguson dhe Andre Vijas Boas.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *