Home / Lajme / Maqedoni / Vihet gurthemeli i Sheshit Skënderbeu

Vihet gurthemeli i Sheshit Skënderbeu

17 janar-“Sheshin dhe përmendoren e Skënderbeut e respekton çdo qytet në Evropë dhe këtë e them me bindje si kryetar i Tiranës dhe e pres me kënaqësi si dhe pres bashkëpunim me komunën e Çairit, si dhe me të gjitha komunat shqiptare në Maqedoni të vendosim bashkëpunim dhe të gjithë të kemi përfitim nga kjo gjë” tha Basha.

Në sheshin “Skënderbeu” në Shkup sot lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe zëvendëskryetari i Qeverisë Musa Xhaferi, e vunë gurthemelin për ndërtimin e sheshit të ri si dhe u shënua 544 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me çka dhe zyrtarisht filluan aktivitetet e shënimit të 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së shqiptarëve.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se sot shënohet 544 vjetori i vdekjes së prijësit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, përvjetori i Flakës së janarit 30 vjetori i rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës dhe 30-të vjetori i Lëvizjes Popullore të Kosovës që njihet si themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këtë rast, lideri i BDI-së falënderoi për prezencën kryebashkiakun e Tiranës, Lulëzim Basha i cili i në këtë ditë dhe me këtë rast, siç tha, ka nderuar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë.

“Ata kanë ardhur për ne pasi që Skënderbeu dhe Dita e Flamurit me të cilët krenohemi ne sot me çka fillojmë maratonën e vitit 2012 për të festuar ditën më madhështore për shqiptarët, Ditën e Flamurit sepse, flamuri dhe Skënderbeu janë dy emblema të cilat e kanë mbajtur shpirtin tonë gjallë për 544 vjet me radhë, pasi që ky nëntor që bën 100 vjet është nëntori i dytë”, theksoi Ahmeti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi se dita e sotme është me rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët, pa dallim se ku jetojnë ata. Ai njëherësh iu falënderua liderit të BDI-së Ali Ahmetit, Kryetarit të komunës së Çairit Izet Mexhitit dhe zëvendëskryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe njëherësh kryetar i Këshillit organizativ Musa Xhaferit për organizimin e këtij manifestimi.

“Jam i privilegjuar që ndodhem sot në qytetin tuaj në këtë ditë që është me rëndësi të madhe kombëtare. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i ka bashkuar shqiptarët gjithnjë. Si një ndër gjeneralët më të mëdhenj në Evropë, si strateg i ushtrisë mbrojtëse e të vogël arriti ta fitojë një ndër fuqitë më të mëdha të kohës dhe ta sigurojë lirinë e popullit. Më vonë e mbante gjallë shpresën e shqiptarëve dhe u bë simbol i rilindjes kombëtare dhe sot i bashkon shqiptarët kudo që janë”, theksoi Basha.

Ai theksoi se Skënderbeu është simbol i bashkimit, i lirisë i vëllazërisë dhe atdhedashurisë dhe gjithashtu simbol i evropianizmit të shqiptarëve.

“Skënderbeu është simbol i bashkimit, i lirisë i vëllazërisë dhe atdhedashurisë dhe gjithashtu simbol i evropianizmit të shqiptarëve, evropianizëm për të cilin ky lider, ky prijës u shpall si atlet i Evropës shumë kohë më parë kur identiteti politik konceptohej dhe drejt së cilit të gjithë shqiptarët u orientuan pa dallim se ku jetojnë. Ky projekt i yni evropian është përgjigja përfundimtare e aspiratave të shqiptarëve”, theksoi kryebashkiaku Basha.

Ky shesh, siç tha, ka simbolikë të veçantë për mua si kryebashkiak i Tiranës.

“Sheshin dhe përmendoren e Skënderbeut e respekton çdo qytet në Evropë dhe këtë e them me bindje si kryetar i Tiranës dhe e pres me kënaqësi si dhe pres bashkëpunim me komunën e Çairit, si dhe me të gjitha komunat shqiptare në Maqedoni të vendosim bashkëpunim dhe të gjithë të kemi përfitim nga kjo gjë” tha Basha.

Kjo ditë, siç shtoi më tej, ka rëndësi të madhe për 100-vjetorin e flamurit dhe pavarësisë, për Skënderbeun – simbolin tonë kombëtar. Le të jetë ky vit i bashkimit, të bashkimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe për përfitime të shqiptarëve, le të jetë simbol i harmonisë paqes, bashkëpunimit dhe simbol i sinqeritetit të aspiratave të shqiptarëve gjegjësisht aspiratave evropiane.

Ai gjithashtu falenderoi liderin e BDI-së Ali Ahmeti, për lidershipin e tij të orientuar nga interesat kombëtare shqiptare dhe të orientuara drejt integrimeve të vendit.

Në këtë manifestim të pranishëm ishin zëvendëskryetarë të qeverisë, ministra deputetë, përfaqësues të OJQ-ve si dhe qytetarë të shumtë.

Sheshi “Skënderbeu” po realizohet nën patronazhin e kryetarit të komunës së Çairit me investim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *