Home / Lajme / Rajon / 21 vjet pa bustin e Xhaxhit Enver

21 vjet pa bustin e Xhaxhit Enver

20 shkurt-Rrëzimi i shtatores së diktatorit Hoxha erdhi pas një greve urie të studentëve ku qindra syresh kërkuan heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës, por edhe disa muaj pas eksodit të pazakontë të shqiptarëve në ambasadat e Perëndimit dhe themelimit në fillimdhjetorin e ‘90-ës të Partisë Demokratike.

21 vjet më parë, më 20 shkurtin e vitit 1991 mijëra qytetarë të Tiranës do të rebeloheshin kundër sistemit totalitar që i mbajti nën diktaturë për afro gjysmë shekulli duke kryer edhe aktin kuptimplotë të rrëzimit të bustit të ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, që qeverisi me dorë të hekurt Shqipërinë komuniste që prej vitit 1945. Pamjet e atyre ngjarjeve të shkurtit të vitit 1991 në sheshin qendror të kryeqytetit “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare. Pas 45 vitesh diktaturë proletariati, vendi i fundit komunist i Evropës Juglindore po njësohej me parimet demokratike të perëndimit. Për të përkujtuar këtë ditë të shënuar historike, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar do të hapet Pavijoni i Terrorit Komunist, ku do të shfaqen foto, dokumente e objekte personale të viktimave të terrorit komunist, të atyre që u syrgjynosën burgjeve e kampeve burgje të komunizmit, raporton NOA. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe autoritete të tjera të vendit. Rrëzimi i shtatores së diktatorit Hoxha erdhi pas një greve urie të studentëve ku qindra syresh kërkuan heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës, por edhe disa muaj pas eksodit të pazakontë të shqiptarëve në ambasadat e Perëndimit dhe themelimit në fillimdhjetorin e ‘90-ës të Partisë Demokratike. Thirrjet “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa” u bënë simbol i protestave studentore dhe qytetarëve të Tiranës.
Megjithatë regjimi komunist kishte lëshuar rrënjë të thella në ndërgjegjen e shqiptarëve, ndaj dhe ithtarët e diktatorit dhe Partisë së Punës nuk u pajtuan lehtë me sistemin e ri, që po instalohej në vend. Tubime pro diktatorit Hoxha u mbajtën në shumë qytete të vendit, në shenjë solidariteti me partinë dhe porositë e shokut Enver, por gjithçka degradoi shpejt për shkak të rrokopujës ekonomike, që vendi kishte marrë që prej viteve ‘80.
Në Shqipëri u instalua sistemi pluripartiak, që shumë shpejt nisi rrugën e vështirë të instalimit të demokracisë sipas modeleve perëndimore. Megjithatë përvoja e munguar bëri që Shqipëria të kalojë në një fazë tjetër, atë të tranzicionit.
Ngjarjet e ndodhura gjatë këtyre 21 viteve e konsoliduan demokracinë në Shqipëri, por sërish mbetet shumë rrugë për të konkretizuar thënien e 21 viteve më parë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Polarizimi i tejskajshëm politik ka bërë, që Shqipëria të shënojë hapa mbrapa në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Data 20 shkurt është ditë përkujtese, për një prej ngjarjeve më të shënuara të historisë moderne të Shqipërisë, e cila 21 vite më pas vijon rrugën e vështirë drejt Evropës. Në këtë ditë historike, Aleanca Kuq e Zi deklaroi se “21 vjet më parë vendit iu premtua Evropa, ndërkohë që sot Shqipëria ndodhet nën sistemin e partisë-shtet, duke e lënë vendin jashtë familjes evropiane si në kohën e Enverit”.

Gjithashtu lexo

Tiranë: Vret bashkëshorten e më pas vetëvritet – (VIDEO)

Një telefonatë e mbërritur paraditen e së dielës në numrin e emergjencave 112, ka lajmëruar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *