Home / Lajme / Rajon / Askush s’i ka kërkuar eksponatet historike që i ka ‘vjedhur’ Serbia

Askush s’i ka kërkuar eksponatet historike që i ka ‘vjedhur’ Serbia

22 shkurt-Shasivar Haxhiaj, këshilltar i Ministrit ka thënë për Zërin se MKRS-ja ka përgatitur strategjinë për kthimin këtyre eksponateve: “Ne kemi përgatitur strategjinë për kthimin e të gjitha eksponateve që janë marrë nga Kosova, dhe këtë ia kemi dorëzuar delegacionit të bisedimeve. Për gjithçka mbetet të pritet deri sa të vijë radha e bisedimeve për këtë çështje”.

Muzeu i dikurshëm i Revolucionit, sot nuk ekziston më. Në vitin 1992 Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë i kishte “huazuar” artefaktet historike kinse për t’i ekspozuar në Muzeun e Serbisë, për të mos i kthyer më. Sot përveç regjistrave aty nuk ka mbetur asgjë. Muzeu i Revolucionit dikur brenda mureve të tij ruante fotografi dhe dokumente të ndryshme të cilat i përkisnin periudhës pas Luftës së Dytë Botërore.

Fati i këtyre eksponateve historike, si edhe i atyre të trashëgimisë kulturore, varet në agjendën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Por deri më tash askush as që i ka kërkuar ato. Riza Sadiku, këshilltar në Muzeun e Kosovës kujton kohën kur u zhdukën materialet e historisë së re.

“Ish-Muzeu i Revolucionit kishte tre sektore, sektori i lëvizjes punëtore, i Luftës Nacionalçlirimtare dhe ai i ndërtimit socialist. Ky Muze fillimisht ka qenë i vendosur te Kisha Ortodokse në Prishtinë, kurse më vonë iu dha në përdorim ish-biblioteka e vjetër krahinore(tash Galeria e Arteve). Muzeu ka pasur eksponate të llojeve të ndryshme, nga lëvizja punëtore ka pasur kryesisht gazeta të ndryshme, fotografi dhe dokumente të ndryshme që kishin të bënin me revolucionin, grevat e minatorëve. Ndërsa nga periudha e luftës që është quajtur nacionalçlirimtare kemi pasur fotografi të radhave partizane, të personaliteteve të ndryshme po ashtu një numër të madh të eksponateve të Luftës së Dytë Botërore të personaliteteve si Fadil Hoxhës, Veli Devës, Sabrie Devës, Pavdo Viçeviç etj. Armët me të cilat kanë luftuar këto dhe personalitete tjera janë prezantuar në ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Sadiku, duke shpjeguar se i vetmi dokument që nuk u është lejuar që të ekpozohet në ekspozita të ndryshme ishte marrëveshja e Bujanit.

Sipas tij, arsyeja ka qenë për shkak se në nenin 6 të kësaj marrëveshje shkruante se “Kosova do të vendosë fatin e vet pas luftës në bazë të parimit të vetëvendosjes”. Vendet në të cilat ekspozitat ishin organizuar në atë kohë, sipas Sadikut, ishin qytete të ndryshme të Kosovës por edhe në muzeun e Novisadit, Sarajevës, Zagrebit, Cetinjes dhe Sllovenisë. “Në këtë mënyrë kemi dashur t’u tregojmë se edhe Kosova ka dhënë një kontribut në atë kohë duke i dokumentuar me të tilla eksponate”, shprehet Sadiku.

Mirëpo e gjithë kjo u shkatërrua pas disa vitesh. Regjimi serb gjoja për t’i mbrojtur kishte marrë çdo gjë, për të cilat as sot e kësaj dite nuk dihet gjë.

“Me ardhjen e regjimit të Millosheviçit një numër i eksponateve, fotografive dhe dokumenteve është marrë me një kamion, i cili më pas është dërguar në fabrikën e letrës në Lipjan. Më vonë në vitin 1992 të gjitha trofetë e luftës i ka marrën Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjoja që këto armë po tërhiqen për sigurinë e tyre. Ato nuk janë kthyer kurrë më dhe sot e kësaj ditë muzeu i Kosovës ndjen një mungesë të këtyre trofeve. Nga dy muze që kanë qenë në nivel të Kosovës u shndërruan në një muze i cili u quajt Muze i Prishtinës”, tregon Sadiku.

Ndërsa sa i përket asaj se institucionet vendore a janë interesuar ndonjëherë për fatin e këtyre eksponateve, Sadiku thotë se as që është biseduar për to. Në anën tjetër Ministria e Kulturës, nën kupolën e së cilës është edhe muzeu, thotë se e gjitha mbetet në bisedimet mes dy vendeve.

Shasivar Haxhiaj, këshilltar i Ministrit ka thënë për Zërin se MKRS-ja ka përgatitur strategjinë për kthimin këtyre eksponateve: “Ne kemi përgatitur strategjinë për kthimin e të gjitha eksponateve që janë marrë nga Kosova, dhe këtë ia kemi dorëzuar delegacionit të bisedimeve. Për gjithçka mbetet të pritet deri sa të vijë radha e bisedimeve për këtë çështje”.

Muzeu i Revolucionit me ligj ishte aprovuar në vitin 1977 ndërsa ishte themeluar në vitin 1981. Njeriu i parë i cili kishte kontribuar në themelimin e tij ishte Muhamet Shukriu që kishte bërë edhe aktet normative. Ai e kishte udhëhequr shumë pak për shkak se në fillimin e punës të këtij muzeu më 2 prill 1981 kur filluan edhe demonstratat Shukriu ishte larguar nga kjo pozitë nga regjimi i atëhershëm serb për gjoja punën antishtetërore që ka bërë.”Zëri”

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *