Home / Lajme / Rajon / Ato që nuk i dini për Shkëmbin e Kavajës

Ato që nuk i dini për Shkëmbin e Kavajës

2 shkurt-Shkëmbi i Kavajës bën pjesë në monumentet natyrore të vendit tonë. Ai ndodhet në afërsi të fshatit Shkallnur, fare pranë bregut të detit. Lartësia e tij shkon deri në 105 m mbi nivelin e detit. Sipas specialistëve, Shkëmbi përbën një gur konglomeratik dhe ranor me moshë miocenike, i modeluar nga era. Është i gjatë deri në 200 m dhe 100 m i gjerë.

Nëse deri më tani e keni parë vetëm si një vend strategjik apo një pikë takimi, ne po ju tregojmë më shumë për këtë “shkëmb monument”. Ai nuk është thjesht një masiv guri, në “trupin” e tij është shkruar histori, janë bërë luftëra, është derdhur gjak. Në të kanë shkelur emra që nga Cezari, Pompeut e deri tek perandorët e Bizantit Aleks Komneni dhe Robert Guiskardit, të cilët kanë zhvilluar betejat mes tyre. Sot të gjitha këto na i tregojnë historianë të cilët e kanë studiuar dhe na kanë rrëfyer më shumë për këtë vend për të cilin shumica prej nesh e njihte vetëm si “Shkëmbi i Kavajës”.

Shkëmbi i Kavajës si monument

Shkëmbi i Kavajës bën pjesë në monumentet natyrore të vendit tonë. Ai ndodhet në afërsi të fshatit Shkallnur, fare pranë bregut të detit. Lartësia e tij shkon deri në 105 m mbi nivelin e detit. Sipas specialistëve, Shkëmbi përbën një gur konglomeratik dhe ranor me moshë miocenike, i modeluar nga era. Është i gjatë deri në 200 m dhe 100 m i gjerë.

Në pjesën e tij të sipërme dhe në shumë nga pjeset anësore vertikale është i mbuluar me shkurre e pemë. Forma e tij e veçantë, gjelbërimi i përhershem, figurat që janë krijuar nga gërryerjet milionavjeçare të agjentëve atmosferikë dhe pozicioni ku ndodhet, i japin Shkëmbit të Kavajës njëë pamje fantastike dhe krijojnë një peisazh shumë tërheqës për turistët që pushojnë në plazhet pranë tij, si dhe për udhëtarët e shumtë që kalojnë në rrugën nacionale buzë Shkëmbit. Tasim Besho, një ekspert i njohur i agroturizmit në Durrës, thotë se vlerat e këtij shkëmbi janë të mëdha. Ai thotë se e parë nga poshtë, faqja nga deti e shkëmbit të krijon idenë e një figure mitologjike gjigante. Mund ta krahasosh edhe me një fytyrë ciklopi, ku duar të padukshme kanë skalitur forma nga më të çuditshmet. Është i veshur me gjelbërim të përhershem tipik mesdhetar. Të bëjnë përshtypje e të duken të pabesueshme disa pemë të larta që rriten në faqen e shkëmbit, i cili zbret pingul poshtë. Emri i Shkëmbit del në shumë legjenda që datojnë që nga kohët e lashta.

Besho thotë se në kujtesën e Shkëmbit është incizuar një pjesë e histroisë së lashtë e të re të shqiptareve e madje Shkëmbi mbart në kujtesën e tij edhe ngjarje të mëdha të historisë së rajonit. Ai gjendet në rajonin ilir të banuar nga taulantët. Në këmbët e tij kalonte si e detyruar rruga e lashtë Egnatia që vinte nga Italia e shkonte në Konstandinopojë për t’u takuar me rrugën e mëndafshit që shkonte në Kinë.

Pozicioni i tij i veçantë e ka bërë që të jetë edhe një pikë e rëndësishme strategjike. Me emrin e tij janë të lidhura shumë legjenda dhe ngjarje të rëndësishme të të gjitha kohërave. Në të dy anët e Shkëmbit është zhvilluar edhe njëra nga betejat me të njohura të lashtësisë, ajo ndërmjet Cezarit dhe Pompeut në Durrës. Rreth vlerave historike të tijat rrëfen studiuesi i shkencave ushtarake, Novruz Zeinati, i cili përshkron me hollësi ngjarjet e asaj periudhe. Stratagemat e Cezarit në këtë sheshbeteje janë të njohura, si dhe me vonë në disa zona të tjera të Shqipërisë derisa më 9 gusht të vitit 48 kur u zhvillua beteja finale në Farsalë, ku Cezari me 22 000 vetë dhe një kavaleri 7 herë më të vogël mundi Pompeun që numëronte rreth tij 47 000 ushtarë. Fitore që e ka zanafillen e saj në betejën e Shkëmbit të Kavajës.

Shkëmbi i Kavajës është një pikë lidhjeje e veçantë e rrugëve që kalojnë nga veriu në jug, si dhe nga perëndimi në lindje. Ose e kryqëzimit të korridoreve 8 me 10, pranë tij janë linjat detare, hekurudhore dhe automobilistike. Ai ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike e historike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke marrë rrugën automobilistike Durrës – Plepa – Shkëmbi i Kavajës. Rreth këtij objekti drejtori i muzeve rajonale të Durrësit, Edmond Agolli, thotë se është një objekt unikal i cili vazhdon të studiohet për vlerat komplekse që ka.

Shkëmbi i Kavajës ka qenë ndër vite një fortifikatë e vërtetë natyrore, por që në periudhën e sistemit të kaluar socialist që kthyer në një fortifikate nga më të fuqishmet në bastionet e mbrojtjes së vendit. Një rrjet që, sipas oficerit të artilerisë Shpend Topollait, shkencat ushtarake italiane e kanë cilësuar atë së bashku me Sazanin si 2 nga pikat e papushtueshme të bregdetit tonë të fortifikuar. Këtu ka pasur një rrjet tunelesh ku ishin pozicionuar topa të fuqishëm të artilerisë bregdetare dhe transportues të blinduar, të cilët, sipas oficerit Topollai, ishin superiorë ndaj çdo flote ushtarako-detare, me përjashtim të goditjeve atomike. Dhe kjo për shkak se në rast goditjeje bërthamore dallgët e detit që mund të ngriheshin ishin në linjë të drejtpërdrejtë me grykat e tuneleve në zonën e poshtme të Shkëmbit të Kavajës. Zona përreth tij ka qenë shesh betejash të cilat kanë qenë të herëpashershme. Përballë Shkëmbit të Kavajës ndodhet edhe “Kodra e Shën Mëhillit”, ku është zhvilluar edhe beteja midis Perandorit të Bizantit, Aleks Komneni dhe Robert Guiskardit, në 18 tetor 1081. Marre nga “Shekulli”

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *