Home / Sport / Çisora-Hej, duel me shishe para kamerave

Çisora-Hej, duel me shishe para kamerave

Derek Çisora vazhdon të mbetet protagonist edhe kur humbet. Pas ndeshjes me Vitali Kliçko, ku ai u mund me pikë me vendim unanim të jurisë, boksieri britanik ka gjetur një tjetër “armik”, rivalin e tij Devid Hej.

Gjatë konferencës për shtyp të Çisora, ka qenë i pranishëm edhe Hej, ndërsa dy boksierët kanë sharë rëndë njëri-tjetrin. Më pas, Hej është afruar dhe i ka thyer një shishe birre në kokë Çisorës. Kjo ka bërë që mes dy boksierëve të shpërthejë një sherr i mirëfilltë, ku ata jo vetëm kanë grushtuar, por kanë vazhduar të qëllohen me mjete të forta.

Hej ka goditur me një këmbalec kamere në kokë trajnerin e Çisora, ndërsa ky i fundit i drejtohej gazetarëve duke u thënë se e kishin prerë me shishe. Më pas Çisora ka kërkuar publikisht një ndeshje me Devid Hej, në ring apo në rrugë, duke kërkuar hakmarrje pasi si ai, si trajneri i tij ishin përgjakur në këtë zënkë.

Incidenti ka marrë përmasa aq të rënda sa është dashur ndërhyrja e policisë së Mynihut e cila ka hapur një hetim për këtë ngjarje. Ky ishte incidenti i dytë në po aq ditë për Çisora, i cili të premten goditi me shpullë në fytyrë Vitali Kliçkon gjatë ceremonisë së peshimeve, por ky i fundit u hakmor në ring duke e mundur në ndeshjen e vlefshme për titull.

Mediat botërore kanë filluar ta cilësojnë 27 vjeçarin britanik me Majk Tajson, pasi bën veprime po aq të çmendura sa ”Majku i Hekurt”.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *