Home / Sport / Heynckes pëlqen Shaqirin

Heynckes pëlqen Shaqirin

Mesfushori shqiptar pritet të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2016, ndërsa Baseli do t’i përfitojë 9 milionë euro, plus bonuset.

Trajneri i Bayernit, Jupp Heynckes, e ka pranuar se e pëlqen njërin nga lojtarët e Baselit, të cilin e ka vëzhguar kohëve të fundit. Sipas medieve gjermane, ky mund të jetë pikërisht Xherdan Shaqiri, i cili pritet të bëhet bavarez nga sezoni i ardhshëm. Mesfushori shqiptar pritet të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2016, ndërsa Baseli do t’i përfitojë 9 milionë euro, plus bonuset.

Xherdan Shaqiri është njëri prej lojtarëve të preferuar të trajnerit të Bayern Munichut, Jupp Heynckes. Gjermani mund ta ketë në dispozicion mesfushorin kosovar nga sezoni i ardhshëm. Trajneri i klubit bavarez e ka pranuar se i ka rënë në sy njëri nga lojtarët e Baselit, por nuk ka pranuar të flasë më shumë rreth kësaj çështjeje.

“Unë e kam ndjekur Baselin duke luajtur dhe është e qartë se dikush nga ky ekip më ka rënë në sy. Sidoqoftë, ne kemi përcjellë shumë lojtarë në të kaluarën dhe nuk do të thotë se të gjithë duhet të vijnë tek ne”, theksoi trajneri gjerman për të përditshmen Suddeutsche Zeitung.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të takohen udhëheqësit e të dyja klubeve për ta arritur marrëveshjen përfundimtare rreth transferimit të futbollistit gjilanas në klubin bavarez.

Sipas medieve gjermane dhe atyre zvicerane, Shaqiri do të transferohet në Bayern për 9 milionë euro, plus premitë dhe bonuset, varësisht prej arritjes së rezultateve, duke u bërë kështu lojtari më i vlefshëm që shitet jashtë AXPO Super League. Përfaqësuesi zviceran pritet të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2016 me gjigantin gjerman.

Shaqiri do të luajë pikërisht kundër Bayernit më 22 shkurt dhe më 13 mars në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Kjo mund të jetë edhe një mundësi që ai të njihet me shokët e rinj të skuadrës, edhe pse në këtë rast do t’i ketë vetëm kundërshtarë.

Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, por ai pritet t’i bëjë valixhet gati dhe ta marrë rrugën drejt Gjermanisë gjatë qershorit. Atë e kërkojnë edhe klubet tjera prestigjioze evropiane si Manchester United, Liverpool, Juventus, Milan, Inter, Roma, Napoli, Hamburg etj.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *