Home / Lajme / Maqedoni / Intervistë me profesoreshë Lejla Halimi (Lumani)mbi mjedisin universitar muzikor të Tetovës

Intervistë me profesoreshë Lejla Halimi (Lumani)mbi mjedisin universitar muzikor të Tetovës

1 shkurt-Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur, përveç studentëve që janë gjithmonë e më të interesuar për disiplinat e tyre formuese, edhe profesorët dhe gjithë aparati drejtues i Fakultetit. Për të hedhur pak më shumë dritë mbi këtë çështje, unë nuk dëshiroj të zgjatem në analiza konkrete e të detajuara të procesit, por kam zgjedhur të intervistoj një nga pedagogët e rinj të tij dhe pikërisht, profesoreshën Lejla Halimi (Lumani), e cila prej fillimit të këtij viti shkollor angazhohet në lëndët e formimit teorik e muzikologjik.

Intervistoi
Elif Osmani

Ndër hapat reformues të Fakultetit të Arteve në Universitetin shtetëror të Tetovës, specialiteti i muzikologjisë dhe trajtimi i lëndëve teorike janë ndër më të dukëshmet. Përveç përgatitjes speciale të studentëve muzikologë, të cilët kanë filluar ta kenë më të përcaktuar drejtimin e tyre si historianë, publicistë dhe studiues të trashëgimisë, edhe specialitetet e tjera të interpretimit muzikor kanë filluar të shfaqen më të përgatitur e më të interesuar për formimin e tyre kulturor e të përgjithshëm.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur, përveç studentëve që janë gjithmonë e më të interesuar për disiplinat e tyre formuese, edhe profesorët dhe gjithë aparati drejtues i Fakultetit. Për të hedhur pak më shumë dritë mbi këtë çështje, unë nuk dëshiroj të zgjatem në analiza konkrete e të detajuara të procesit, por kam zgjedhur të intervistoj një nga pedagogët e rinj të tij dhe pikërisht, profesoreshën Lejla Halimi (Lumani), e cila prej fillimit të këtij viti shkollor angazhohet në lëndët e formimit teorik e muzikologjik.
Së pari, duke e falenderuar profesoreshën time, që e pranoi këtë intervistë, dëshiroj ta pyes në një rrafsh më të përgjithshëm:
A mund të na tregoni diçka për formimin tuaj si muzikologe, studimet universitare dhe mbresat që ruani prej tyre?
Formimi im si muzikologe në Akademinë e Arteve të Tiranës, në klasën e prof. Fatmir Hysit, mund të them se ishte vendimi i duhur që unë mora, në kohën kur duhej të vendos për profesionin tim. Tradita e vet institucionit ku studioja dhe përvoja profesionale e mësimdhënësve, më plotësuan shumë “boshllëqe” dhe më ndihmuan në formimin e mëtejshëm si muzikologe. Më pas, Tirana si kryeqendër, më ofronte atë që unë në vendin tim nuk e kisha: koncerte, njohja nga afër e personaliteteve të muzikës profesioniste, një pjesë e madhe e të cilëve ishin edhe profesorët e mi, teatro, opera, etj.
Pas përfundimit të studimeve ju keni kryer edhe një Master në muzikologji. Çfarë gjërash të ngjashme dhe çfarë ndryshimesh keni parë ndërmjet dy shkallëve të formimit tuaj: Atij universitar dhe atij pasuniversitar? A e kanë mbështetur ato njëra tjetrën për të arritur formimin që keni?
Në fakt, studimet pasuniversitare në Shkup dhe ato të rregulltat në Tiranë, e kanë mbështetur dhe e kanë plotësuar njëra tjetrën dhe kjo për arsye se cdo shkollë ka dicka origjinale dhe të vecantë në mënyrën se si e konceptojnë të studiuarit muzikologjik. Gjithësesi, thelbi dhe qëllimi i të dy shkollave mbetet i njëjtë. Mendoj se cdo përvojë e re është e mirëseardhur për fushën e studimit që kemi ne.
Me që më erdhi rasti të bëj me ju këtë intervistë, do të doja të dija çfarë mendimi keni në lidhje me lindjen e muzikës profesioniste në Tetovë dhe gjëndjen e saj aktuale?
Muzika profesioniste në Tetovë, fatkeqësisht nuk ka ende histori për të cilën mund të bisedohet. Mirë, po shpresëdhënëse janë institucionet arsimore, si Fakulteti i Muzikës apo edhe shkolla e muzikës, prej të cilave kanë filluar të dalin gjeneratat e para të muzikantëve profesionistë. Nga një hulumtim të cilin e bëra vitin e kaluar mbi gjendjen e jetës koncertale në Tetovë në dekadën e parë të shekullit XXI, nga 269 koncerte të regjistruara, vetëm 31 koncerte janë të realizuara nga muzikantë profesionistë!
Po në lidhje me situatën e përgjithëshme të muzikës në Maqedoni, e kryesisht në Tetovë çfarë mendimi keni?
Ne shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi patur asnjë institucion, i cili do promovonte muzikën artistike shqiptare. Mbështetja materiale, që është një nga faktorët kyç për zhvillim të jetës muzikore, gjithmonë ka qenë nën minimalen. Kemi vetëm një festival të këngës së lehtë, i cili vit pas viti shkon hap prapa me këngët që promovohen dhe kemi disa festivale, si ato të këngës për fëmijë, të muzikës qytetare dhe të muzikës popullore, të cilat nuk kanë vazhdimësi në realizim.
Unë e mirëkuptoj opinionin tuaj, por personalisht mendoj që ka një rënie të cilësive të muzikës në Tetovë; Ju si mendoni?
Unë them se jeta muzikore profesioniste në Tetovë, as nuk ka patur ndonjëherë zhvillim të mirëfilltë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve që janë bërë deri tani, janë realizuar kryesisht nga muzikantë amatorë.
Po për këngët e lehta të sotme, çka mendoni?
Këngët e lehta sot janë transformuar në mall dhe biznesi muzikor shkon drejt idesë që muzika duhet të shitet sa më shumë në masë me sa më pak harxhime. Në të shumtën e rasteve, krijuesit në fillim të veprimtarisë së tyre janë origjinalë e të talentuar, por me kalimin e kohës ata e ndjejnë atmosferën e mos vlerësimit nga publiku dhe automatikisht vjen edhe mos mbështetja materiale e këtij krijuesi. Kështu fillon edhe devijimi i rrugës artistike, ku shumë shpejt këngët do jenë thjesht guacka boshe, pa kreativitet dhe pa etjen origjinale të krijuesit për të përcjellë ide të mirëfillta të profesionit të tij.
Dikur interpretimi i muzikës “live” ka qenë një gjë e padiskutueshme. Pse sot nuk ndodh kështu? A ka diçka që e inkurajon interpretimin “play back” të këngëve?
Sot, përqëndrimi kryesor i interpretuesve, vecanërisht i këngëtareve femra, është në mënyrën se si ato do të duken, pasi edhe vetë mediat dhe publiku shqiptar jo i edukuar muzikalisht, vëmendjen më të madhe e përqëndrojnë, jo në talentin e krijuesit dhe interpretuesit, por në pamjen e tyre të jashtme. Inkurajimi i vetëm për të kënduar “play back” mendoj se është mosaftësia për të kënduar “live”.
Çfarë mendimi keni për studentët e Fakultetit të Arteve (dega e muzikës) dhe a i mendoni inkurajuese lëvizjet reformuese të edukimit të tyre? Besoni se ata do të arrijnë nivele të pranueshme europiane në formimin e tyre dhe për të arritur këtu, ç’mendoni se duhet bërë më tepër?
Dëshira për të punuar ekziston midis studentëve të muzikës, gjë e cila vërehet në obligimet që ata kanë ndaj programit studimor. Jemi në hapat e parë të krijimit të gjeneratave të para të instrumentistëve, të cilët e japin maksimumin e tyre dhe janë të vetëdijshëm për peshën që bartin në formimin e formacioneve të para instrumentale profesioniste në Tetovë. Mendoj se studentët e muzikës në përgjithësi duhet të jenë më të hapur ndaj tendencave të reja të muzikës botërore, qoftë të asaj profesioniste apo edhe zbavitëse. Sot jetojmë në një kohë kur mundemi të informohemi për cdo arritje, për cdo ndryshim që ndodh në botën muzikore, mjafton të shprehim dëshirë për t’u njohur me këto zhvillime.
Ju falenderoj për intervistën dhe ju uroj punë të mbarë dhe suksese në karrierën tuaj profesionale.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *