Home / Lajme / Maqedoni / Konferencë rajonale me temë ‘E ardhmja evropiane e të rinjve’

Konferencë rajonale me temë ‘E ardhmja evropiane e të rinjve’

8 shkurt-Konferencën e hapi sekretari gjeneral i Qendrës Evropiane SN7, Fatos Veliu, i cili theksoi se në thelb, tema e konferencës, “E ardhmja evropiane e të rinjve”, në vetvete paraqet një sfidë për të gjithë grupmoshat, ngaqë të merresh me të rinjtë dhe perspektivën e tyre është përgjegjësi, por nga ana tjetër edhe kënaqësi.

Organizata joqeveritare Qendra Evropiane SN7, dje organizoi konferencën njëditore me karakter rajonal me temë “E ardhmja evropiane e të rinjve. Konferenca u mbajt në ambientet e Qendrës Informative të Bashkimit Evropian në Shkup dhe në të morën pjesë përfaqësues të sektorit joqeveritar nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, kreator dhe protagonistë të politikave rinore, hartues të strategjive për të ardhmen e rinisë etj.

Konferencën e hapi sekretari gjeneral i Qendrës Evropiane SN7, Fatos Veliu, i cili theksoi se në thelb, tema e konferencës, “E ardhmja evropiane e të rinjve”, në vetvete paraqet një sfidë për të gjithë grupmoshat, ngaqë të merresh me të rinjtë dhe perspektivën e tyre është përgjegjësi, por nga ana tjetër edhe kënaqësi.

“Të rinjtë e vendit tonë, në rrugën e perspektivës së tyre evropiane ballafaqohen me shumë pengesa, barriera apo obstruksione nga më të ndryshmet, andaj ne sot jemi mbledhur këtu që të diskutojmë të ardhmen e tyre, nevojat dhe mënyrat e arritjes së suksesit”, theksoi Veliu.

Ilija Xhugumanov, kryetar i Rinisë së Këshillit Euro-Atlantik në Maqedoni, potencoi se nëse kontributi dhe angazhimi për euro-atlantizëm i vendit tonë fuqizohet edhe më tej, të rinjtë tanë do të ndjehen si pjesë e kësaj familje globale. Nganjëherë duhet të besojmë se të rinjtë kanë potencial të madh dhe mund të jenë shumë efikas në sjelljen e vendimeve pozitive për shoqërinë, shtoi mes tjerash Xhugumanov.

Lulzim Hakaj, përfaqësues nga organizata “Community Building Mitrovica” (CBM) – Kosovë, theksoi se të rinjtë e Mitrovicës, nga jugu dhe veriu, kanë histori të ndryshme, religjion të ndryshëm, gjuhë të ndryshme, mirëpo kanë diçka të përbashkët dhe besojnë se rruga më e mirë e jetesës është integrimi në Bashkimi Evropian.

Ndërkaq Bojana Jovanoska, demonstratore në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” – Shkup, tha se sot hasim në një shkallë të caktuar të skepticizmit tek të rinjtë, në raport me aftësitë me të cilat pajisen gjatë procesit arsimor.

“Ky perceptim i të rinjve buron nga ajo se ata, potencialin e tyre për gjetjen e mëtejshme të punës adekuate e lidhin fillimisht me përvetësimin e aftësive praktike, që në realitet mungon në procesin formal arsimor. Pikërisht procesin arsimor jo adekuat mund ta hasim nëpërmjet jo përputhshmërisë të aftësive të përvetësuara të të rinjve me kërkesat e tregut të punës, respektivisht numrin e pamjaftueshëm të vendeve të punës për kuadrot arsimore të reja”, theksoi Jovanovska.

Kjo konferencë përkon me strategjinë afatgjate të punës dhe veprimtarisë së Qendrës Evropiane SN7, e cila angazhohet për zhvillim rinor, kyçje në vendimmarrje të të rinjve dhe integrimin e tyre në institucionet e sistemit.

Gjithashtu lexo

Shkarkohet Zvërlevski, me 64 vota për dhe asnjë kundër

Kuvendi i Maqedonisë, pas debateve disajavëshe maratonike të deputetëve VMRO-DPMNE-së, e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *