Home / Lajme / Rajon / Kosova u përcaktua për integrim dhe jo për izolim

Kosova u përcaktua për integrim dhe jo për izolim

Siç transmetojnë mediat serbe, Tadic e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes, që sipas tij, në forumet rajonale Prishtina do të përfaqësohet “nën ombrellën e Rezolutës 1244 të OKB, që do të thotë se Kosova nuk do të jetë e pranishme si shtet i pavarur”

Derisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Ahtisaarit i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë Evropiane. Dhe nuk po flas këtu për liberalizimin e vizave, apo marrëveshjen tregtare, por për Procesin e Stabilizim-Asocimit, që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe Evropiane. Kështu ka thënë kryeministrit Hashim Thaçi në një konferencë për media.
“Kosova anëtarësohet, përfaqësohet, flet në emër të saj dhe ka fuqinë dhe autoritetin e nënshkrimit në të gjitha institucionet multilaterale si shtete të barabarta. Unë jam shumë i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës. Por, e theksoj, se kjo formulë është e përkohshme. Unë jam i vetëdijshëm që veprimi i qeverisë nuk është shumë populist, por jam i bindur është në të mirë të vendit”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka theksuar se si kryeministër është i bindur që është ndërmarrë vendimi i duhur për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës.

“Kosova, me këtë marrëveshje u përcaktua për integrim, dhe jo izolim. Kosova u përcaktua ta përfaqësojë vetveten e jo të përfaqësohet nga të tjerët. Me këtë marrëveshje e larguam përgjithmonë UNMIK-n nga tavolina e përfaqësimit të Kosovës Kjo marrëveshje, ne asnjë rrethanë nuk e zbeh në asnjë rrethanë shtetësinë e vendit tonë. Përkundrazi, e forcën atë, duke i dhënë Kosovës vendin e saj të merituar në të gjithë mekanizmat ku do të përfaqësohet”, ka pohuar kreu i ekzekutivit.

Ai më tej ka pohuar se ka marrë garanci që marrëveshja për bashkëpunim dhe përfaqësim rajonal do të jetë çelësi për integrimin evropian të Kosovës.

“Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republike edhe sot, kur do të përfaqësohet nga institucionet e Kosovës, pa UNIMIK, dhe me fusnotë të balancuar me opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 shkurtit për Pavarësinë”, ka shpjeguar kryeministri, duke shtuar se “ua kemi borxh atyre që dhanë jetën dhe çdo që patën, e mbi të gjitha, ua kemi borxh fëmijëve tanë ndërtimin e Kosovës se re Kosovës evropiane”.

Marrëveshjen e arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, zyrtarët e lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë parë si marrëveshje në vazhdën e pajtimeve të arritura deri më tash mes dy vendeve, e që sipas tyre nuk po realizohen ashtu siç do të duhej.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i kësaj partie Ahmet Isufi, tha se pozicioni i Kosovës dhe paraqitja e saj në bashkëpunimet rajonale duke u prezantuar edhe me Rezolutën 12 44, e kthen Kosovën në pozicionin në të cilin ka qenë dikur në kohën e UNMIK-ut.

“Kthimi i Rezolutës 12 44 është rikonfimimi i prezencës së UNMIK-ut dhe po ashtu pa Republikën e Kosovës që do të duhet të ishte formulim në marrëveshje, cenon të arriturat që kanë qenë deri me tani në Kosovës”, tha Isufi.
Shefi i diplomacisë gjermane, Gudio Wetserwelle, e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel dhe ka vlerësuar se ky është një hap i madh në drejtimin e duhur.
“Ky është një hap i madh në drejtimin e duhur, në drejtimin kah një rajon paqësor dhe i qëndrueshëm, kah partneriteti rajonal, si dhe kah perspektiva evropiane e të dy shteteve”, ka deklaruar Westerwelle, thuhet në një njoftim për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Sipas ministrit Westerwelle, ky është edhe sukses i politikës unike të jashtme evropiane. Ai ka thënë se pret që Beogradi e Prishtina të zbatojnë marrëveshjet, meqë sipas tij kjo do të ishte e rëndësishme për shqyrtimin e perspektivës evropiane të Serbisë në javën e ardhshme në Bruksel.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, vlerëson si një arritje të rëndësishme marrëveshjet në dialogun e fundit midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për bashkëpunimin rajonal dhe mbi zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.
“Këto marrëveshje, të arritura me një vullnet politik të përbashkët dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nuk cenojnë parimet e pavarësisë së Kosovës, si shtet i pavarur, që tashmë njihet zyrtarisht nga 88 vende anëtare të OKB-së, dhe as integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”, thuhet në një deklaratë të presidentit shqiptar.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë thekson se marrëveshjet e mësipërme midis Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, por janë një hap konkret drejt rrugës së përbashkët në integrimin evropian. Sipas tij, ato i shërbejnë pjesëmarrjes me të drejta të plota të Kosovës në të gjitha veprimtaritë rajonale, paqes dhe prosperitetit të popujve të Ballkanit, si pjesë e rëndësishme e Evropës demokratike.
Kosovës ia hoqën Republikën dhe ia shtuan fusnotën. Sot, në Bruksel, përfaqësuesit e kryeministrit të Kosovës, u morën vesh me Serbinë edhe për përmbajtjen e fusnotës. Fusnota i ka dy elemente: së pari, Rezolutën 1244 dhe, së dyti, mendimin këshillues të GJND-së. As pavarësia dhe as shpallja e pavarësisë nuk janë elemente të fusnotës. Aty vetëm sa thuhet në mënyrë njoftuese se për çfarë ishte ky mendim këshillues i GJND-së. Kështu ka deklaruar në një konferencë për media lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin, por edhe me bashkëpunimin rajonal. Pra, Republika e Kosovës kësisoj privatizohet. Atë mund t’ia shfaqim vetes sonë por jo edhe të tjerëve. Jemi Republikë vetë-me-veti. Mirëpo, kjo është saktësisht e kundërta e konceptit të Republikës”, ka thënë Kurti duke shtuar se me këtë marrëveshje, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, “Kosovës përsëri po i bëhet statusi i papërcaktuar, përsëri për Kosovën e paqartë po legjitimohen dy palë: vetë Kosova por edhe Serbia”.

Sipas tij, rezultatet e dialogut në Bruksel janë realizim i kërkesave të Serbisë që po i arrin qëllimet “nëpërmjet kryeministrit të Kosovës”.

“Prandaj, të hënën, me 27 shkurt, duke filluar nga ora 12:00, në sheshin ”Nëna Terezë” dhe para Qeverisë së Kosovës, do të mbajmë një demonstratë paqësore. Kjo demonstratë e parë do të zgjasë katër orë. Ajo do ta pezullojë për katër orë punën e kësaj Qeverie që po na e pezullon shtetin dhe pavarësinë”, ka paralajmëruar Kurti.

Ndërkohë, Visar Ymeri nga kjo lëvizje, ka thënë: “Ne kemi kërkuar qysh të hënën takim me dy subjektet politike të opozitës për bashkërendim të hapave në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Ne do të presim edhe sot t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme për seancë të jashtëzakonshme, 40 sosh sa janë të nevojshme. Deri tash kemi arritur t’i sigurojmë nënshkrimet e mjaftueshme. Nëse nuk e arrijmë këtë që nga nesër do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës për ta kërkuar seancën për këtë çështje. Për këtë na nevojiten 10 mijë nënshkrime”.
Pas marrjes së lajmit rreth arritjes së marrëveshjes në Bruksel, presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka deklaruar se është konfirmuar politika “edhe BE edhe Kosova”.
Siç transmetojnë mediat serbe, Tadic e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes, që sipas tij, në forumet rajonale Prishtina do të përfaqësohet “nën ombrellën e Rezolutës 1244 të OKB, që do të thotë se Kosova nuk do të jetë e pranishme si shtet i pavarur”.

“Kosova nuk do të prezantohet në punën e forumeve dhe institucioneve rajonale si shtet i pavarur, por në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së rreth Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Republika e Serbisë është anëtare e Kombeve të Bashkuara, që respekton edhe rezolutën 1244 të OKB-së, e cila garanton sovranitet mbi Kosovën, si edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila nuk përcakton një sovranitet të tillë”, ka deklaruar Tadic.

Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Marrëveshja përfshinë mbishkrimin Kosovë me një yll sipër saj që në fusnotë sqaron se ky emërtim nuk e paragjykon statusin e Kosovës dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe vendimin e GJND-së, për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Kosovo*
“Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
Marrëveshja e arritur është përshëndetur nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesja e lartë e BE-së Ketrin Eshton dhe Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule thanë se marrëveshja është një hap i madh i përpara. Ato janë të rëndësishme jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën por edhe për stabilitetin e rajonit dhe po ashtu edhe për BE-në. Të gjitha vendet anëtare të BE-së i kanë dhënë përkrahje rezolutës së shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që ka nisur dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Synimi i këtij dialogu është që tu ndihmohet të dyja palëve që të arrijnë progres në rrugën e tyre drejt Europës”, kanë thënë dy zyrtarët e BE-së. Zyrtarët e BE-së kanë thënë po ashtu se marrëveshja për bashkëpunimin rajonal dhe IBM është veçmas e mirëpritur para takimit të BE-së javën e ardhshme e që ka të bëjë me statusin e kandidatit për Serbinë derisa konsiderojnë se Kosova bëhet pjesëmarrës i plotë me të drejta të saj në takime rajonale dhe ngjarje që do të mundësojnë progres të mëtejmë drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *