Home / Lajme / Maqedoni / Më shumë se një Radio e zakonshme

Më shumë se një Radio e zakonshme

20 shkurt-Kjo Radio sipas tij, që nga fillimi me programin e vet ka dhënë kontribut në mbajtjen e lidhjeve mes mërgatës shqiptare me vendlindjen. Ai veçon momentet e luftës së vitit 2001, duke qenë një urëlidhëse me vendlindjen ndërsa duke qenë edhe një mbështetëse e fuqishme e fondit “Liria Kombëtare” deri në përfundimin e luftës, duke përmendur edhe shumë intervista me banorë të fshatrave të rrezikuar dhe eprorëve të UÇK-së.

Nga Urim Hasipi
Mërgata shqiptare në Danimarkë është ndër më aktivët sa i përket organizimit të jetës në aspektin e informimit. Kësisoji më shumë se 10 vite në kryeqytetin danez Kopenhagen, funksionon me sukses Radio Projekti, radio kjo jo vetëm që transmeton muzikë por është bërë vend ku organizohen edhe shumë aktivitete kulturore, humanitare, edukative etj. Drejtori i këtij Radio Stacioni në mërgim Havzi Sulejmani thotë se Radio Projekti, funksionon që nga viti 2001 me studio vetanake dhe që është mbështetur nga organet komunale të atjeshme në baza financiare dhe mërgata shqiptare. Kjo Radio sipas tij, që nga fillimi me programin e vet ka dhënë kontribut në mbajtjen e lidhjeve mes mërgatës shqiptare me vendlindjen. Ai veçon momentet e luftës së vitit 2001, duke qenë një urëlidhëse me vendlindjen ndërsa duke qenë edhe një mbështetëse e fuqishme e fondit “Liria Kombëtare” deri në përfundimin e luftës, duke përmendur edhe shumë intervista me banorë të fshatrave të rrezikuar dhe eprorëve të UÇK-së. “Me përfundmin e luftave në trojet shqiptare të Ish-Jugosllavisë, Radio Projekti përmes rubrikave të saja është përqëndruar në hallet dhe problemet që kanë vetë bashkëuatdhetarët ndërsa theks i veçantë i është kushtuar ardhmërisë së fëmijëve të lindur dhe të ritur në vend të huaj. Fati i fëmijëve të lindur atje është problem kyç dhe në këtë drejtim punojmë më shumë që mos kemi asimilim. Fëmijët e bashkëatdhetarëve tanë janë në moshë delikate dhe gjithnjë jeta ibën të shoqërohen me shumë moshatarë të kombeve të ndryshme dhe në këtë mënyrë të harrojnë edhe prejardhjen e tyre. Prandaj në këtë drejtim kemi shumë kujdes ku përmes emisioneve për fëmijë dhe festivaleve të ndryshme, ne mbajmë gjallë jetën dhe organizmin e shqiptarëve në Danimarkë”, thotë Havzi Sulejmani. Ai rrëfen se janë dhjetëra vullnetarë të cilët punojnë në këtë radio, të cilët kanë pasion punën dhe janë shumë të vetëdijshëm për misionin që kanë, pra të mbajnë gjallë jetën kulturore të shqiptarëve në mërgim. “Përmes mikrofonit jemi bartës të një festivali tradicional që quhet “ Pranvera e fëmijëve” festival ky që grumbullon grupe të shoqatave shqiptare në tërë Evropën. Në vitin 2010 u mbajt festivali i 15 me radhë ndërsa në 2011 nuk patëm mundësi të mbajmë për shkak të kushteve ekonomike.Megjithatë kjo nuk na ka penguar që të mbajmë shumë aktivitete për festat kombëtare që janë njëherësh edhe vendtakime për shumë mërgimtarë”, thotë Sulejmani. Edhe pse në këtë vend sipas Havziut, mund të ketë rreth 10 mijë shqiptarë të Maqedonisë, që është numër i vogël në krahasim me mërgimtarët në vendet tjera të Evropës, megjithatë aktivitetet janë të mëdha. Gjithnjë paralelisht me emisionet që mbahen në këtë radio, një vend të rëndësishëm zë edhe aktiviteti i humanitetit. “Përmes këtij Radio Stacioni, transmetohet edhe rubrika “Humaniteti në vepër” , rubrikë kjo që ka të bëjë me ndihmën e skamnorëve, varfënjakëve, të sëmurëve që nuk mund të shërohen në vendlindje, pa përjashtuar këtu edhe familjet e invalidëve dhe dëshmorëve të luftës në Maqedoni, Kosovë dhe Preshevë. Nga viti 2001 çdo muaj ka nga një aktivitet në këtë drejtim, duke grumbulluar mjete për raste të veçanta dhe shumë nevojtare. Përmes këtij aksioni të organizuar nga ana e Radio Projektit, janë ndihmuar familjet e dëshmorit Qani Belaj nga Kaçaniku, Shaban Zenunit nga Merova, familja e Komandant Telit, Tahir Sinanit dhe shumë rasteve tjera. Dua të përmend se për një kohë shumë të shkurtër nga ana e mërgimtarëve janë grumbulluar 34 mijë euro për familjen e komandant Telit. Është shumë e veçantë të theksoj se mërgata ka krijuar një besim tek stafi ynë në këtë drejtim dhe gjithnjë ka përkrahur pa rezervë aksionet tona të drejtuara për vepra humane”, thotë ai. Sulejmani, shprehet se në këtë drejtim roli dhe qëllimi i këtij Radio Stacioni është më shumë se një radio e thjeshtë, por sipas tij, gjithnjë aspekti kombëtar, kulturor, edukativ ka vendin e vet që është një mision mjaft i shenjtë dhe kombëtar. “Në rubrikat tona gjithnjë e aktualizojmë problemin e edukimit, asimilimit, martesave me të huaj, devijimet shoqërore, me qëllim që të ruajmë unin tonë si shqiptarë. Në këtë drejtim kemi shumë përkrahje edhe nga ana e prindërve dhe kuadrit tonë që punojnë në institucionet e Danimarkës. Radio Projekti tani më është bërë një vend ku shqiptarët, informohen, organizohen dhe mbajnë lidhjet me atdheun e tyre. Prandaj në këtë drejtim kemi edhe përkrahjen e parezervë të vetë mërgimtarëve dhe normalisht aksionet tona gjithnjë dalin të suksesshme” shprehet drejtori i Radio Projektit. Ky Radio Stacion. transmeton program në valë tokësore nga e hëna deri të premten nga ora 18.00 deri ora 21.00, të shtunave prej orës 18.00 deri ora 04.00 të mëngjesit. Përvec Kopnehagës ka zgjeruar punën në studiot improvizuese në Shkup, në Angli, Zvicër, ndërsa së shpejti pritet të hapet edhe studio në Tetovë

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *