Home / Sport / Shkëndija barazoi pa gola me Çernomorec-in

Shkëndija barazoi pa gola me Çernomorec-in

‘Duke patur parasysh se kjo ishte ndeshja e parë për ne, duhet të jemi të kënaqur. Në kushte fantastike për lojë, treguam cilësi dhe kualitet, por vërehet se ekipi ka nevojë për pak kohë, deri sa të gjejë rritmin e duhur’, deklaroi nga Antalia, trajneri i portierëve të Shkëndijës, Enver Ramadani.

Skuadra kampione e Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës të shtunën zhvilloi ndeshjen e parë kontrolluese në përgatitjet në Antali të Turqisë, duke barazuar pa gola përballë skuadrës së ligës së parë ukrainase, Çernomorec. Në një ndeshje të balansuar, pa shumë emocione para portave kundërshtare, të dyja skuadrat kishin disa mundësi për të shënuar, mirëpo pa mundur të prekin rrjetat respektive. Ndeshja u zhvillua vonë pas dite, ndërsa nga minuta e 57-të takimi u luajt nën dritat e reflektorëve. Çernomoreci është skuadër cilësore, e cila në kampionatin ukrainas për momentin zen vendin e 11-të në renditjen tabelare ku bëjnë pjesë 16-të skuadra. Për Shkëndijën kjo ishte ndeshja e parë kontrolluese në vitin 2012 dhe me shumë kureshtje pritej formacioni që do të nxirte në fushë trajneri Shabani, për të parë se si do të duket fiziomonia e skuadrës që në dimër mbeti pa Hasanin, Kurtishin, ndërsa jashta ekipit është i lënduari Huseini, si dhe kapiteni Mustafi që mbeti në Tetovë si pasojë e një zënke me drejtuesit e klubit. Shkëndija takimin e nisi me Jovanovskin në portë, Neziri, Berisha, Nikitoviq dhe Cuculi formonin mbrojtjen, Miki Jovanovski dhe Ertan Demiri zunë vendin e Useinit dhe Mustafit, ndërsa në krahë të mesfushës takimin e filluan Allomeroviq dhe Taipi. Sulmi ishte për Izair Eminin dhe Ersen Sali-n, i cili mbajti shiritin e kapitenit për Shkëndijën. Vlen të ceket se për herë të parë pas një kohe të gjatë, kapiten i Shkëndijës ishte një futbollist jo-tetovar. Pra në formacionin e parë vetëm Demiri dhe Allomeroviq ishin debutues, ndërsa në pjesën e dytë u zhvilluan shumë zëvendësime, duke regjistruar të tjera debutime në taborin e Shkëndijës, si Jusufi dhe sulmuesi nga Mali, Tamboura Mahambe. ‘Duke patur parasysh se kjo ishte ndeshja e parë për ne, duhet të jemi të kënaqur. Në kushte fantastike për lojë, treguam cilësi dhe kualitet, por vërehet se ekipi ka nevojë për pak kohë, deri sa të gjejë rritmin e duhur’, deklaroi nga Antalia, trajneri i portierëve të Shkëndijës, Enver Ramadani, duke komenduar më pas lojën e përforcimeve. ‘Allomeroviqin e njohim të gjithë, pasi ka luajtur edhe më parë te ne, ndërsa për Ertan Demirin nuk ka nevojë të flas pasi ai është futbollist i dëshmuar dhe do jetë përforcim i madh për ne. Sa i përket Jusufit dhe Mahambes është herët për të folur pasi luajtën në pjesën e dytë dhe s’kishin shumë hapsira. Përshtypjet e para janë pozitive dhe presim që me kalimin e kohës ata të gjejnë veten në skuadër dhe të sjellin performansa edhe më të mira’, u shpreh Ramadani. Kjo ishte ndeshja e parë e Shkëndijës në Antali, ndërsa gjatë përgatitjeve në Turqi ‘kuqezinjtë’ do të realizojnë edhe pesë takime tjera kontrolluese. Më 7-të shkurt Shkëndija luan me ekipin slloven, Mariborin për të cilët luan tetovari dhe ish-futbollisti i ‘kuqezinjëve’ Agim Ibrahimi. Më 9-të shkurt kampionët e Maqedonisë do të luajnë me Dioshgjerin, pasataj më 11 shkurt në program është dueli me ekipin rumun Pandurii-n, më 13-shkurt tetovarët përsëri kanë ‘test’ rumun kur do luajnë me Kluzhin, ndërsa kontrollën e fundit në Antali do ta zhvillojnë më 13-të shkurt përballë Lokomotiv Tashkentit.

Çernomorec-Shkëndija 0:0

4 shkurt 2012, Antali (Turqi)

Arbitra: M.Sojtork, H. Altantash, B. Gojlar (Antali)

Çernomorec: Bеzоtоsnji, Fоntanelo, Berger, Babiç (kapiten), Vangjeli, Politiljo, K. Kovalchuk, Balashov, Didenki, De Matos, Sito. Nga minuta e 66-të u inkuadruan: Past, Kutas, Shimanek, P, Kovalchuk, Donec, Kulishenko, Slinkin, Bobko, Setti, Burduzhan, Silantev.

Trajner: Roman R. Grigorchuk.

Shkëndija: M. Jovanovski (Velii 46’), Neziri (Jusufi 67’), Berisha (Peev 46’), Nikitoviq, Cuculi (Xhemaili 89’), Miki Jovanovski (Mishkovski 46’), Demiri (Karimani 80’), Taipi (Rexhepi 55’), Allomeroviq (Elmazovski 55’), Sali (kapiten) (Mahambe 61’), Emini (Selmani 46’).

Trajner: Nexhat Shabani

Kartona të verdhë: De Matos (56’), Kulishenko (79’) – Allomeroviq (30’).

Alsat-M.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *